18 Shtator 2018

Prizreni, 'qytet muze' pa muze

Prishtinë, 8 qershor - EC Ma Ndryshe ka publikuar hulumtimin “Prizreni, ‘qytet muze’ pa muze?”, në kuadër të së cilit është pasqyruar gjendja ekzistuese e gjithsej gjashtë muzeve të qytetit të Prizrenit dhe janë adresuar çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e tyre.

Duke qenë se shumica e muzeve në Prizren janë ose të mbyllur ose të panjohur për publikun e gjerë, atëherë EC ka marrë si iniciativë këtë hulumtim me qëllim të prezantimit të gjendjes momentale dhe sjelljes së rekomandimeve konkrete për ringjalljen dhe promovimin e këtyre institucioneve kulturore.

Në këtë hulumtim janë analizuar poashtu edhe praktikat muzeve të tjerë në nivel vendor, rajonal dhe ndërkombëtar në mënyrë që të sillen shembuj të tjerë që mund të shërbejnë si praktika pozitive të cilat mund të aplikohen nga muzetë e qytetit të Prizrenit.

Qyteti i Prizrenit, krahas epitetit të kryeqytetit kulturor të Kosovës, sipas perceptimit të përgjithshëm të publikut kosovar është qytet me vlera të lashta kulturore dhe historike dhe mban edhe epitetin e “Qytetit muze”.

Ky epitet domosdoshmërisht reflekton ruajtjen e strukturës së saj historike dhe rrjedhimisht nënkupton edhe promovimin e kësaj pasurie tek publiku i gjërë.

Një nga mjetet e promovimit të kësaj pasurie të Prizrenit janë edhe muzetë që mes tjerash kanë po këtë mision.

Mirëpo a e meriton një epitet të tillë sot Prizreni? Sa muze sot gjenden në Prizren dhe sa prej tyre janë funksionale e të hapura për publik? Në çfarë gjendje janë dhe çfarë ofrojnë muzetë e këtij qyteti? Sa reflektohet diversiteti kulturor i këtij qyteti në muzetë e saj?

Hulumtimi ka analizuar aspekte të ndryshme të funksionimit të gjashtë muzeve të qytetit dhe ka karahasuar përmbajtjen e tyre me standarde bashkëkohore të muzeve në rajon e botë.

Muzetë e përfshirë në hulumtim janë:  1. Muzeu i Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 2. Muzeu arkeologjik - Hamami i Shemsidin beut dhe Sahatkulla, 3. Muzeu etnologjik - Shtëpia e shehzades, 4. Muzeu i hapur arkeologjik si dhe  dy muze tjera 5. Muzeu i elektroekonomisë – Hidroelektrana “Prizrenasja”  6. Muzeu i Nënë Terezës të cilat nuk janë funksion dhe të hapura për publik. 

Bazuar në të dhënat e prezantuara në këtë hulumtim del të jetë se në Prizren dy muze janë tërësisht të mbyllur për publikun; muzetë e tjerë nuk i plotësojnë në tërësi standardet ndërkombëtare të aplikueshme; prezantimi dhe mirëmbajtja e fondit të vlefshëm brenda tyre nuk bëhet në mënyrë adekuate; si dhe ka mungesë të theksueshme të kapaciteteve njerëzore dhe profesionale në shërbim të këtyre muzeve. 

Rrjedhimisht del se epiteti “Qytet muze” përfshirë këtu humbjen dhe degradimin e viteve të fundit në lokalitetet e trashëgimisë kulturore, duket të jetë i pamerituar për qytetin e Prizrenit.

Hulumtimi përmbyllet me konkluzione dhe rekomandime që i adresohen Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prizrenit dhe menaxhmentit të muzeve të qytetit.  

Ky hulumtim është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

 

Kalendari

Ngajrjet e datës 18 shtator 2018

- Ambasadori gjerman, Christian Heldt dhe ambasadori francez, Didier Chabert, do të mbajnë  ligjeratë në hapjen e ketij sesioni të Universiteti Veror  gjermano-francez. (Fakulteti Juridik i  Universitetit të Prishtinës, ora 8:30)

- Në Kuvendin e Republikës së Kosovës vazhdon mbledhja e pestë e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë. (Salla e mbledhjeve plenare të Kuvendit, ora 9:00)

- Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencën e rradhës për media në të cilën do të flitet për iniciativën “ Komiteti i biznesit dhe zhvillimi i sportit”. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli pret në takim Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie. (Kabineti i Kryeparlamentarit, ora 10:00)
 
- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka viziton Telekomin e Kosovës me ç’rast do të pritet nga Kryeshefi i kësaj kompanie Gent Begolli dhe Bordi i Drejtorëve. (Telekomi i Kosovës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i Planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 10:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim Ministren e Mbrojtjes së Republikës së Italisë, Elisabetta Trenta. (Kabineti i Presidentit, ora 10:30 vetëm pamje)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim ministren e Mbrojtjes së Italisë, Elisabetta Trenta. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)


- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi  mbanë konferencë për media. (Kabineti i Presidentit, ora 11:15)

- Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal se  bashku me  Zyren e Rregullatorit për Energji dhe Federaten e Sindikatave të Pavarura ElektroKosova diskutojn lidhur me "Raportet Konsultative për përcaktimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale" si dhe "Raportin Konsultativ për përcaktimin e Faktorit të efikasitetit". (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Hapet e dyqani i tretë të bamirsisë "Teshavesha" në Ferizaj. (Ferizaj, rr. Ahmet Kaqiku, afër stacionit të autobusave, ora 12:00)

-  Mbahet ceremonia e ndarjes së çmimit letrar "Beqir Musliu". Ky çmim ndahet tashmë tradicionalisht dhe është ndër çmimet e veçanta në fushën e letërsisë. (salla e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor në të cilën do të behët shqyrtimi i Planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Të dy kryesuesit e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë mbajn konferencë për shtyp. (Holli i Kuvendit, ora 12:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, organizojnë pritje lamtumirëse për ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 18:00)