27 Maj 2022

Prezantohet loja e fëmijëve për trashëgimi kulturore “Mos u nxeh Prizren!”

Prizren, 26 janar - Në oborrin e Kompleksit muzeor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sot, në prani të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku dhe mysafirëve të tjerë, përfshirë edhe nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës “Emin Duraku” është përuruar loja “Mos u Nxeh Prizren!”.

Loja e përgatitur nga EC Ma Ndryshe është prezantuar në format të hapësirës publike dhe atë të formës së lojës për tavolinë. Gjatë ceremonisë drejtori i QRTK Prizren, Samir Hoxha dhe drejtori i EC Ma Ndryshe Valon Xhabali, u zotuan për bashkëpunim të mëtutjeshëm në aktiviteteve të përbashkëta për edukim mbi trashëgiminë kulturore.

Kjo lojë kreative e dizajnuar për qytete të ndryshme të Shqipërisë, si: Gjirokastra, Tirana, Shkodra, Korça, etj. tanimë në Kosovë për herë të parë është prezantuar në Prizren. Loja, përpos që synon të ‘pushojë’ fëmijët nga ekspozimi i tepërt në pajisje elektronike, poashtu synon rikthimin e një nostalgjie të shumë familjeve kosovare, tanimë në një format ndryshe.

Fëmijët përmes lojës e argëtimit do të mund të (ri)zbulojnë elemente të ndryshme të trashëgimisë së qytetit të tyre përderisa të rriturit, evokojnë kujtimet që ofron loja dhe mund të diskutojnë hapur për temat e mbrojtjes së trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore.

Kjo lojë, javëve në vijim do ti prezantohet edhe shkollave të ndryshme të Komunës së Prizrenit dhe do të synojë të jetë një nga mjetet jo-formale të edukimit për brezat e rinj të Prizrenit. Për më tepër, ajo do ti ofrohet edhe komuniteteve tjera që jetojnë në Prizren.

Loja “Mos u Nxeh” u krijua për herë të parë në vitin 2017 nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij në Shqipëri (CHwB Albania) si pjesë e koleksionit “E ka kush e ka” që synon të përfshijë fëmijë dhe të rritur në një seri libërthash e lojërash nëpërmjet të cilave zbulohet e rizbulohet trashëgimia kulturore e vendit ku jetojnë.

Loja është dizajn i referuar në një nga lojërat e preferuara të fëmijëve në vitet 80-90 të përshtatur dhe vendosur në funksion të edukimit dhe trashëgimisë.

Botimi i parë është dizajnuar për qytetin e gurtë të Gjirokastrës duke vazhduar më pas edhe me Beratin, Korçën, Shkodrën, Elbasanin, Tiranën, Durrësin, Pukën dhe së fundmi me edicionin për Prizrenin, kryeqytetin kulturore dhe historik të Kosovës. Në vitin 2018 kjo lojë është përzgjedhur fituese e çmimit për historitë e Trashëgimisë Evropiane gjatë ditëve të Trashëgimisë Evropiane, të menaxhuara nga Këshilli i Evropës.
 
Edicioni i lojës “Mos u Nxeh Prizren” është dizajnuar nga EC Ma Ndryshe në partneritet me GuideKS (Asociacionin e Guidave Turistike të Kosovës) dhe kontribut të çmuar nga stafi profesional i Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore - Prizren përderisa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 maj 2022

- Fillon punimet konferenca “Qasjet Aktuale në Diagnostikimin dhe Menaxhimin e Pacientëve me Sklerozë Multiple, Dita Botërore e Sklerozës Multiple 2022”. (Four Points by Sheraton, Marigona Residencë, ora 9:00)

- Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu raporton para Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Drejtoresha e Misionit të USAID-it, Zeinah Salahi, do të flasë në hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Kolegji AAB organizon hapjen zyrtare të edicionit të parë të Panairit të Karrierës dhe Punësimit AAB 2022. (Kolegji AAB, ora 10:00)

- Në kuadër të projektit “Evropa Juglindore - Së Bashku Kundër Korrupsionit” mbahet konferenca për media, në të cilën do të prezantohet raporti me titull “Nevoja për institucionalizimin e vlerësimit anti-korrupsion në Kosovë”, në të cilin raport trajtohet ndryshimi e shpeshtë i ligjeve anti-korrupsion dhe nevoja që ndryshimeve të ligjeve tu paraprijë vlerësimi periodik i legjislacionit dhe masave anti-korrupsion. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Oficerë të lartë nga Kroacia dhe Shqipëria që ishin pjesë e UÇK-së bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz. (Prekaz, ora 10:00)

-  Zyrtari për Sektorin Privat në USAID, Mathju Kulinajn, bashkë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do të mbajnë fjalë rasti në ceremoninë përmbyllëse të Programit të USAID-it Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt. (Hoteli Emerald, ora 10:30)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe te vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Sadedin Hajda dhe Mexhit Mustafa. (Hamoc, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  N303, ora 11:00)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe të vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Feim Gashi, Sakip Bellaqa, Përparim Thaqi në fshatin Fortesë. (Fortesë, ora 12:00)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion organizon konferencë për media si pjesë e Javës Kundër Varfërisë Menstruale dhe Stigmatizimit të menstruacioneve. (Para Bibliotekës Kombëtare, ora 12:30)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi. (Në rrugën Fortesë-Celinë, ora 13:0)

- Ministrja e  Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të takohet me një delegacion nga Shqipëria, të kryesuar nga ministrja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, me rastin e organizimit të konferencës “Turizmi i përbashkët Kosovë - Shqipëri”. (Hotel Prishtina, ora 14:00)

- Mbahet konferenca për media e përzgjedhësit Alain Giresse në kuadër të grumbullimit për katër ndeshjet e muajit qershor në UEFA Nations League. (Hotel Emerald, ora 14:00)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit në fshatin Brestoc. (Brestoc, ora 14:00)

- Kombëtarja e Kosovës i fillon stërvitjet dhe do t’i mbajë dy seanca në Kampin Nacional në Hajvali. (Stërvitja e parë mbahet, ora 10:30 derisa stërvitja e dytë, ora 17:30)