28 Mars 2024

Presidenti Rugova e bindi botën për të drejtën e Kosovës për liri dhe shtet

Prishtinë, 24 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaci, sot ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës për kontributin e presidentit Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës, të organizuar nga Muzeu i Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se kushdo që do ta vizitojë këtë ekspozitë, do të ketë mundësinë që të bëjë një kthim apo një udhëtim në kohë të viteve të rënda dhe tragjike të vendit, të cilat pashmangshëm lidhen edhe me emrin e presidentit Rugova.

Lëvizja për pavarësinë e Kosovës, sipas presidentit Thaçi, si në dimensionin politik, ashtu dhe ushtarak, bëri bashkë politikanë, intelektualë, ushtarakë, gra dhe burra, pleq dhe të rinj, me një qëllim të vetëm.

“Këtij populli liridashës dhe kryengritës, i cili ka qenë dhe mbetet populli më proamerikan dhe më properëndimor në këto anë të Evropës, t’i jepet e drejta për të qenë i lirë dhe për të pasur shtetin e vet”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thekuar se duke qenë  bashkë të gjithë, në emër të Kosovës, u arrit përkrahja dhe mbështetja e botës perëndimore për çlirimin  dhe pavarësimin e Kosovës.

”Presidenti Rugova dhe unë kemi qenë së bashku në Konferencën e Rambujesë, pastaj në të gjitha zhvillimet e pasluftës, si dhe në Ekipin e Unitetit. Së bashku përgatitëm Kosovën për t’u bërë e pavarur. Së bashku ishim në Uashington, në Bruksel, në Vatikan e kryeqendra tjera botërore. Për ta bindur botën për të drejtën tonë për liri dhe shtet. Ndërtuam miqësi të përjetshme me partnerët tanë strategjikë”, ka thënë ai.

Para anëtarëve të familjes Rugova dhe përfaqësuesve të tjerë shtetërorë, presidenti Thaçi ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik, por u fitua me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe. 

Ai ka shtuar se mosbindja civile kundër Serbisë ishte monumentale në lëvizjen politike botërore, derisa UÇK-ja ishte lëvizja çlirimtare me e suksesshme politike dhe ushtarake në historinë botërore. 

“Kombinimi e këtyre dy komponentëve të lëvizjes kombëtare, nuk kishte si të mos rezultonte me unitetin qytetar, me përkrahjen masive ndërkombëtare, për të kulmuar me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi në hapjen e kësaj ekspozite.

I pari i vendit ka theksuar se Ibrahim Rugova ishte njeri komunikativ, i dialogut dhe negociatave, njeri i durimit dhe pajtimit.

“Në parti e koncepte të ndryshme politike, qëllimi ynë madhor ishte realizimi i vullnetit të popullit tonë për liri dhe pavarësi të Kosovës. Prandaj ndjehem mirë për këtë bashkëpunim. Sot, çdo parti dhe lider politik duhet të shikojë të ardhmen stabile dhe perspektiven euroatlantike të Kosovës, para interesave të adresave të caktuara të partive politike”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se sot çdo qytetar i Kosovës kudo që jeton, në Kosovë apo diasporë, është liridashës dhe çlirimtar, derisa Kosova është shtet, ka simbolet e veta: flamurin, himnin, stemën.

“Kosova ka identitet kombëtar dhe shtetëror. Kosova ka identitet evropian. Secili duhet të ndihet krenar me Kosovën. Shteti i Kosovës është mbi të gjithë ne. Të gjithë ne duhet të jemi në shërbim të vendit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi i ka përgëzuar organizatorët për këtë ekspozitë, e cila midis tjerash shpreh vlerësim institucional të të gjithë neve, për rolin historik të presidentit Rugova.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)