28 Mars 2024

Petrit Halilaj tërhiqet nga pjesëmarrja në Bienalen e Beogradit

Prishtinë, 29 korrik - Artisti i mirënjohur ndërkombëtarisht nga Kosova Petrit Halilaj është tërhequr nga pjesëmarrja në Sallonin e 58-të të Bienales së Beogradit, që do të mbahet në tetor të vitit 2020 në kryeqytetin e Serbisë.

Vendimi i tij vjen si rrjedhojë e një shqyrtimi të kujdesshëm dhe të shoshitjeve të shumta pasi Qendra Kulturore e Beogradit, institucioni që organizon ngjarjen në fjalë, mënjanoi shtetësinë kosovare të Halilajt nga të gjitha komunikimet publike të kësaj ngjarjeje, për dallim nga ato të pjesëmarrësëve të tjerë.

“Kisha shpresë që institucioni artistik është hapësirë që ka kapacitet të përfaqësojë një pluralitet identitetesh dhe madje të mbajë qëndrime përtej politikave zyrtare rreth shtetit tim të origjinës, thjesht duke e quajtur atë me emrin e vet: Kosovë”, ka thënë Halilaj në vendimin e tij.

Për Halilajn, pranimi i mënjanimit të Kosovës “do të kishte qenë më fort nënshtrim i pafuqishëm sesa ndërtim shpresëplotë i një hapësire të lirisë. Pajtimi me këtë mënjanim (i cili po ashtu do të nënkuptonte miratim të trajtimit të pabarabartë) më duket si pranim i mungesës strukturore të opinionit të lirë politik ose kapacitetit për të vepruar në këtë institucion të artit, gjë që për mua është në kontrast të drejtpërdrejtë me qëllimin fillestar të ngjarjes”.

Në Bienalen e Beogradit, Halilaj planifikonte ta ekspozonte një video nga performanca teatrore “Shkrepëtima”, e vënë në skenë në vendlindjen e tij në Runik të Kosovës, ku po ashtu ndodhet një ndër vendbanimet më të vjetra neolitike të rajonit. Performanca është mbajtur në rrënojat e Shtëpisë së Kulturës së Runikut — një simbol i identitetit lokal shumçtnik e cila është mbyllur, është zbrazur dhe është braktisur kur Serbia rëndoi masat e dhunshme në Kosovë gjatë viteve të 90-ta. 

“Shkrepëtima” u kushtohet ëndrrave të banorëve të Runikut, sentiment i cili përshtatet me qëllimin e përgjithshëm të temës së Sallonit, “The Dreamers” (“Ëndërrimtarët”).

“Unë po e bëj publik vendimin tim përmes një letre të hapur sepse tërheqja e heshtur do t’ia shtonte një shtresë tjetër pafuqie mohimit që kam përjetuar gjatë këtij procesi, si dhe mohimit e shuarjes së kujtimeve e të përvojave që kanë ndodhur përgjatë historisë”, ka shtuar Halilaj.

“Kështu shpresoj të nxitet një diskutim për kufijtë e kapacitetit politik për të vepruar në institucionet artistike të financuara nga qeveritë dhe që gjenden në shtete që ende synojnë politika nacionaliste dhe shtypëse; për potencialin e vetë ëndërrimit përmes praktikave artistike kur hapësira ekspozuese bëhet kornizë që përvijon kufijtë e indentitetit të artistit dhe kështu të vetë ëndrrës; dhe në përgjithësi, për situatën e tanishme politike mes Serbisë dhe Kosovës”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)