19 Prill 2019

Objekti i Agjencisë së Arkivave do të rinovohet tërësisht

Prishtinë, 26 qershor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Gjatë kësaj vizite ministri zhvilloi takim me Kryeshefin Ekzekutiv të ASHAK-së, Ramë Manaj, i cili njoftoi ministrin me gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës në këtë institucion.

Ministri Gashi tha se “kjo vizitë bëhet në kuadër të vizitave që jam duke i bërë edhe institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por edhe Komunave të Kosovës, për të parë nga afër gjendjen në të cilën zhvillojnë aktivitetet këto institucione”.

Ministri premtoi mbështetje për Agjencinë e Arkivave të Kosovës për realizimin e një projekti i cili parasheh renovim në tërësi të objektit.

“Ne kemi përfunduar një intervenim të vogël kemi vendos raftet e reja. Këtu zotohemi që Ministria e Kulturës dhe unë si ministër do të jemi në mbështetjeje të drejtorit, menaxhmentit, stafit por edhe për të filluar një investim të ri në këtë objekt, një investim të gjithanshëm duke përfshirë depotë, objektin, sistemin kundër zjarrit pastaj aklimatizimin, aparatet për kontrollimin e lagështisë si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike për këtë institucion të rëndësisë së veçantë për vendin tonë. Është një projekt që e kemi tashmë të gatshëm”, dhe ai do të filloj të zbatohet së shpejti, ka thënë mes tjerash ministri.

Tutje ministri Gashi duke folur për rëndësinë e madhe që kanë arkivat në Kosovë tha se “pasi që lënda arkivore ka rëndësi historike, kulturore, shkencore dhe ka cilësinë e monumentit të kulturës, ajo duhet të ruhet në mënyrë të përhershme. Andaj në përputhje me rëndësinë e madhe që kanë lënda arkivore, ky investim në këtë objekt është një prej prioriteteve të Ministrisë andaj edhe procedurat për investim në këtë objekt do të hapen brenda disa ditëve.

Ai po ashtu tha se “jemi të interesuar të shohim nga afër gjendjen e objekteve të arkivave ndërkombëtare  nëpër gjashtë komunat e Kosovës në mënyrë që edhe atje të intervenojmë në të ardhmen. Kjo vizitë ka për qëllim zotimin tonë, përpjekjet tona për ta ndryshuar gjendjen për të mirë në këto objekte të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës dhe jemi jashtëzakonisht të interesuar që këtë projekt ta fillojmë sa më shpejt dhe sa më parë”, shtoi tutje Gashi.

Po ashtu ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se bashkë me drejtorin u pajtuam që të iniciojmë ndryshim-plotësimin për Ligjin për Arkivat.

Në anën tjetër, Kryeshefi Ekzekutiv, Ramë Manaj, u shpreh falënderues për vizitën por edhe për përkrahjen e Ministrisë dhe të ministrit për të investuar në përmirësim të kushteve dhe rrethanave të punës nëpër objektet e arkivave.

“Në takim kemi bërë përpjekje që t’i prezantojmë gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës, gjendje e trashëguar fatkeqësisht jo të mirë, sfidat me të cilat ballafaqohemi. Kushtet janë shumë limituese dhe kanë të bëjnë me ambientet e pamjaftueshme, me mungesën e hapësirës dhe jo adekuate, me mungesën e teknologjisë dhe mungesën e kapaciteteve njerëzore deri te kapacitetet teknike për digjitalizim. Por duke pasur parasysh premtimin e ministrit, shpresojmë që gjendja në këtë agjenci të përmirësohet” tha Kryeshefi Manaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 prill 2019

- Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendren Klinike Universitare i fillon punimet Simpoziumi mbarëshqiptarë i kirurgëve të fëmijëve. (Hotel Internacional Prishtina, ora 8:40)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në festivalin olimpik për fëmijët parafillor. ))(Stadiumi “Fadil Vokrri”, Prishtinë, ora 9:30)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe partneri implementues, Kryqi i Kuq i Kosovës, do të organizojnë një ushtrim fushor në fshatin Maxhunaj në komunën e Vushtrrisë. (Fshati Maxhunaj, ora 10:00)

- Shtëpia Botuese “Faik Konica” organizon promovimin e librit të Dr. Islam Lauka, “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë”. (Bibliotekën Kombëtare, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të bëjnë shpërndarjen e kontratave për 21 përfituesit e granteve nga Fondi Rinor që për qëllim kanë rritjen e punësimit për të rinjtë e vendit tonë përmes zhvillimit të ndërmarrësisë. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të projekteve për ndërmarrësit e rinj. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë Akademinë Përkujtimore me rastin e Ditës së Veteranëve të Koshares dhe rënies së Heroit të Kosovës, Sali Çekaj, në kuadër të Manifestimit Tradicional "Ditët e Shqipes 2019", që organizohet nën patronatin e kryeministrit. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Zëvendëskryeministri i Republikës se Kosovës, Enver Hoxhaj mban konferencë të përbashkët për media me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P32, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti së bashku me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, do të përcjellin garën komunale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik. (Objekti i Gjimnazit Natyror "Xhavit Ahmeti" në Gjilan, ora 13:30)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it Lisa Magno do të flasë me rastin e lançimit të faqes së re të internetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Sheshi 21, ora 15:00)

- Federata e Atletike të Kosovës do të mbaj konferencë për media në të cilën do të jepen informatat kryesore rreth organizimit të gjysmë maratonës së këtij viti. (Salla e shtëpisë së sporteve në Prishtinë, ora 15:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Batalionit “Atlantiku”, që organizohet nën patronatin e kryeministrit. (Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë, ora 16:00)

- Në kuadër të tubimeve Kundër PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja Lëvizja Vetëvendosje  mban tubim në Drenas. (Shtëpia e Kulturës në Drenas, ora 16:30)

- Galeria e Qytetit të Gjilanit hap ekspozitën e veçantë të fotografive “Arti i Rrudhave”, të autorit Muhamed Sadriu, e cila do të shpalos fotorgafitë e 21 personave të cilët i kanë mbi 100 vjet, e që e simbolizon shekullin XXI. (Galeria e Qytetit të Gjilanit, ora 17:30)

- Në kuadër të tubimeve Kundër PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja Lëvizja Vetëvendosje  mban tubim në Prizren. (Shtëpia e Kulturës "Xhemajli Berisha" në Prizren, ora 19:00)

- Galeria Kombëtare e Kosovës hap ekspoziten "Grouping - Moving - Spreading" Metaxym e cila është kuruar dhe organizuar nga The Activists dhe World Anonimous Society. (Galeria Kombëtare e Kosovës, ora 20:00)

- Lumbardhi do të prezantojë paraqitjen e parë të këngëtares dhe kompozitores amerikane Chrysta Bell në Kosovë në kuadër të turneut Feels Like Love 2019 dhe epizodit të dytë të Lumbardhi n’Behar. (Lumbardhi në Prizre, ora 21:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbanë mbledhjen e radhës. (selia e KQZ-së, ora 11:30) 

- Kryetari Shpend Ahmeti dhe Drilon Pireva, Udheheqës i projektit për investimet në hyrjet e banesave, do të mbajnë konferencë për shtyp. (lagja Dardania, rr. Kadri Zeka, Blloku 7/1, hyrja A te Bast Trade, ora 17:00)