26 Prill 2018

Nisin përgatitjet për Festivalin Folklorik Gjithëkombëtar “I këndojmë lirisë”

Klinë, 11 prill - Në Klinë, filluan përgatitjet për organizimin dhe mbajtjen e Festivalit Folklorik Gjithëkombëtar “I këndojmë lirisë”, i cili edhe sivjet do të mbahet  më 6,7 dhe 8 qershor.

Skënder Merturi, drejtor komunal i Kulturës paraqiti përbërjen e Këshillit organizativ të festivalit, si dhe përgatitjet për mbajtjen e këtij festivali tashmë tradicional, duke theksuar ndryshimet që do të bëhen me qëllim të avancimit të festivalit.

Ushtrues i detyrës së drejtorit të festivalit u zgjodh Dibran Fylli, që ishte ideatori dhe skenaristi i Festivalit të Parë  të mbajtur  në vitin 2000. Ai theksoi se ky festival do t’i kthehet burimit aty ku ka nisur, pa politizime dhe duke afirmuar këngën folklorike nga të gjitha trojet shqiptare.

Ndërkaq, zëdhënës i festivalit “I këndojmë lirisë” u zgjodh Enver Maloku.

Në mbledhjen e Këshillit organizativ  u përcaktuan kahet dhe detyrat konkrete të trupave punuese të festivalit, duke filluar nga Këshilli organizativ dhe bartësit tjerë të këtij manifestimi folklorik gjithëkombëtar. U kërkua që Ministria e Kulturës ta ndihmojë financiarisht këtë festival gjithëkombëtar.

Hapja e festivalit, edhe sivjet bëhet në Çabiq, në vendlindjen e Mujë Krasniqit, komandant Kapuçit, nga një bashkëluftëtar i komandantit të shquar të UÇK-së.

Sivjet pos çmimit kryesor “Mujë Krasniqi”, do të ndahen edhe dy çmime të tjera, ai i “Beqir Gashit” dhe “Ali Krasniqit”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Prill 2018

- Ministria e Zhvillimit Ekonomi organizon konferencë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në TIK. (Ndërtesa e AUK, rruga për Gërmi, ora 9:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:30)

 - Kryeministri Ramush Haradinaj bënë homazhe në nderim të viktimave në Kompleksin Memorial në Mejë, Komuna e Gjakovës. (Kompleksi Memorial në Mejë, Komuna e Gjakovës, ora 11:40)

- Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare te të Zhdukurve të Kosovës organizon tubimi përkujtimor. (Kompleksi Memorial në Mejë, Komuna e Gjakovës, ora 12:00)
 
- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Tubimin Qendror Përkujtimor në Kompleksin Memorial në Mejë, Komuna e Gjakovës. (Kompleksi Memorial në Mejë, Komuna e Gjakovës, ora 12:00)

- Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut organizon aksionin simbolik me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur. (Sheshi Ibrahim Rugova, ora 20:00)