02 Korrik 2020

Në Ditën Botërore të Muzikës, MKRS-ja shpall çmimet në këtë fushë

Prishtinë, 21 qershor - Sot shënohet Dita Botërore e Muzikës e njohur me emrin “Fête de la Musique” (Festivali i Muzikës). Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për nder të kësaj dite, shpall laureatët e çmimeve vjetore në fushën e muzikës, konkretisht Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” si dhe çmimet tjera vjetore në këtë fushë.

Në bazë të vlerësimeve të Jurisë Profesionale për ndarjen e çmimeve në fushën e muzikës, ministrja Vlora Dumoshi, ka marrë vendim që çmimi për vepër jetësore “Niketë Dardani” t’i ndahet kompozitorit Vinçenc Gjini, me motivacionin e profesionistit muzikor të shumanshëm dhe kontributit gjysmë shekullor në fushën e muzikës. 

“Fillimisht dua t’i uroj të gjithë muzikantët, artistët e profesionistët muzikorë, kompozitorët dhe tërë muzikdashësit për Ditën Botërore të Muzikës. Edhe Kosova i bashkohet vendeve tjera të Botës me shënimin e kësaj dite. Të gjithë fituesve ua uroj çmimet. Këto shpërblime shtetërore të cilat ndan MKRS-ja janë një mirënjohje dhe falënderim për punën të cilët këta artistë e profesionistë të muzikës e kanë krijuar duke kontribuar në kultivimin e vlerave të mirëfillta muzikor."

"Gjithashtu, dua t’i falënderoj anëtarët e Jurisë Profesionale për vlerësimet e tyre, të cilët nuk e kanë pasur të lehtë të përzgjedhin më të mirët në mesin e kandidatëve”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Çmimet tjera vjetore nga fusha e muzikës janë siç vijon: 

Çmimi për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike i ndahet kompozitorit Valton Beqiri, për veprën “Rrugëtimi”, si vepër madhore kombëtare e cila trajton motivin e qëndresës përmes larmisë muzikore të etnosit shqiptar; 

Çmimi për vepër orkestrale-simfonike dhe koncertante i jepet kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, për veprën “Koncert” për kitarë dhe orkestër, për marrëdhënien dinamike të vazhdueshme dhe bashkëvepruese mes instrumentit solistik dhe orkestrës; 

Çmimi për vepër kamertale i ndahet kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Trance” për orkestër harqesh për kompaktësinë dhe gjetjen kompozicionale; 

Çmimi për vepër korale i jepet kompozitorit Hajrullah Syla për veprën “Ubi Caritas” për kor miks për këndvështrimin origjinal të kompozimit;

Çmimi për veprat solistike dhe duo i ndahet kompozitorit Mehdi Mengjiqi për veprën “Discantus” për kontrabas solo për risjelljen e vlerave të “discantusit” në kohën moderne përmes ruajtës së kontekstit formal.

Të gjitha çmimet shpërblehen edhe me shuma financiare sipas rregullores për çmimet për muzikë. Gjithashtu, parashihet që të organizohet edhe një ceremoni solemne për ndarjen e këtyre çmimeve, por për shkak të rrethanave të pandemisë, ceremonia do të organizohet në një datë të përshtatshme.

Juria profesionale e cila ka bërë shqyrtimin dhe analizimin e veprave muzikore të paraqitura në konkurrim ka qenë në përbërje të kompozitorit Prof. Dr. Vasil S. Tole – kryetar, kompozitorit Rafet Rudit dhe kompozitorit e dirigjentit Baki Jashari – anëtarë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e dytë e rregullt për vitin 2020 e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. (Salla e Kuvendit të Komunës në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Inaugurohen zyrat të reja të Bankës Qendrore të Kosovës në të cilen do të merr pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. (Tek ish-zyrat e Komunës së Prishtinës që gjenden mes objektit të BQK-së dhe parkingut nëntokësor tek Hotel Grandi, ora 10:00)

- Nataliya Apostolova, Udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë do t’i dorëzojë Ministrisë së Shëndetësisë 6,000 komplete testimi për COVID-19, 90 shtretër spitalorë, mbi 67,000 maska të frymëmarrjes dhe pajisje të tjera mjekësore në mbështetje të sistemit shëndetësor. (Live stream në facebook.com/EuropeanUnionInKosovo, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të vizitojë Komunën e Gjilanit ku do te takohet me kryetarin Lutfi Haziri. (Objekti i Komunës së Gjilanit, ora 10:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës se Gjilanit, Lutfi Haziri vizitojnë stadiumin e qytetit në Gjilan si dhe vendosin gur-themelin e stadiumit ndihmës. (Gjilan, ora 11:00)
 
- Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Iniciativa për Progres me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it, do të mbajnë konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik: “E drejta për ujë, peng i prokurimit: Analizë e tenderit maratonik për ujësjellës në Komunën e Dragashit”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, përfaqësuar nga Ambasada Britanike, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit. (Holli i Kuvendit të Kosovës​, ora 12:00)

- SKOPI Studentor organizon aksion simbolik për të treguar realitetin e krijuar nga emërimet e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. (Para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, ora 12:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në nënshkrimin e Memorandum Bashkëpunimit me Ambasadën Britanike për pozitat e larta drejtuese. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- IKD dhe INPO mbajnë konferencë për medie, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik “E drejta për ujë, peng i prokurimit”. (Hotel “Sirius”, ora 14:30)

- Me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka ftuar të gjithë gazetarët e sportit, në takim me për të diskutuar mbarëvatjen e sportit në vendin tonë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sporti dhe gazetarët sportivë. (Kabineti i Ministres së MKRS-së, ora 15:15)