09 Mars 2021

MKRS plotësohet me zëvendësministrin e dytë, Yll Rugova

Prishtinë, 10 mars - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bëhet me zëvendësministrin e dytë. Ministrja Vlora Dumoshi, e ka pritur zyrtarisht zëvendësministrin Yll Rugova, në marrjen e detyrës.

Gjatë këtij takimi formal, Ministrja Dumoshi e njoftoi zëvendësministrin Rugova për programin dhe synimet që pritet të realizohen prej MKRS-së gjatë këtij mandati e veçanërisht për aktivitetet e punët që synohen që të arrihen gjatë këtij viti.

Ministrja Dumoshi tha se është një fat për ministrinë që ka ardhur në pozitën e zëvendësministrit një person si z. Rugova i cili i njeh fushat me të cilat merret MKRS-ja, pasi që ka qenë drejtor për kulturë, rini dhe sport në Komunën e Prishtinës.

Dumoshi e Rugova biseduan për ndarjen e përgjegjësive dhe bashkërendimin e punëve që ka përpara udhëheqja e ministrisë, nën frymën e një bashkëpunimi konkret dhe efikas.

Ministrja Dumoshi e njoftoi zëvendësministrin Rugova edhe me sfidat që ka MKRS-ja në avancimin e fushave që mbulon dhe se pret që bashkërisht t’i zgjidhin ato në kuadër të përmbushjes së objektivave të ministrisë.

Ndërkaq, zëvendësministri Rugova e falënderoi ministren për pritjen dhe u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për të plotësuar nevojat dhe arritur pritshmëritë që janë vënë si synim në avancimin e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Mars 2021 - Institucioni i Avokatit të Popullit organizon një tryezë diskutimi në lidhje me publikimin e dy raporteve me rekomandime në të cilën do të merr pjesë edhe Presidentja Vjosa Osmani. (Hotel International Prishtina në Veternik, ora 9:30)

- Oda e Mjekëve ndan mirënjohje përkujtimore për mjekët që janë ndarë nga jeta gjatë vitit 2020 dhe  institucionet shëndetësore mbështetëse të rajonit të Prishtinës, për kontributin e dhënë në luftën kundër pandemisë. (Qendra e Telemjekësisë në QKUK, ora 10:00)

- Programi për Drejtësi Komerciale në bashkëpunim me Innovation Centre Kosovo, organizojnë diskutim rreth ngritjes të vetëdijes për bizneset fillestare të sapo themeluara dhe sipërmarrësit e rinj me fokus në drejtësinë komerciale, pjesa e sistemit të drejtësisë që siguron çasjen e bizneseve në drejtësi. (Innovation Centre Kosovo -https://www.facebook.com/ickosovo, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e zbarkimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në misionin e parë paqësorë jashtë vendit në të cilën do të merr pjesë Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. (Salla e sporteve në kazermën ''Adem Jashari'', ora 10:45)   

- Partia Liberale Egjiptiane dorëzon ankesë në Gjykatën Supreme për anulimin edhe të pesë vendvotimeve tjera. (Gjykata Supreme e Kosovës, ora 11:00)