20 Shkurt 2018

MKRS ndan bursa për dhjetë shpresa olimpike në vlerën total prej 18 mijë euro

Prishtinë, 30 janar - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në mbështetje të legjislacionit në fuqi, ka nënshkruar sot vendimin për ndarjen e dhjetë bursave për shpresat olimpike dhe paraolimpike, pas propozimit të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe federatave respektive.

Bursa në vlerë monetare prej 150 eurosh për një vit kalendarik (12 muaj) do t’u ndahet sportistëve: Distria Krasniqi (xhudo), Donjeta Sadiku (boks), Orges Arifi (karate), Akil Gjakova (xhudo), Nexhat Sahiti (shenjëtari), Vijona Kryeziu (atletikë), Melisa Zhdrella (not), Drilon Syla (mundje), Leart Osmanaj (atletikë) dhe Era Janjeva (pingpong).

Kjo mbështetje e drejtpërdrejtë për sportistë që kanë treguar rezultate kulmore dhe kanë plotësuar standardet sipas Rregullores nr. 03/2013 për Ndarjen e Bursave për Shpresa Olimpike dhe Paraolimpike do të realizohet në baza mujore.

Ministri Gashi e vlerësoi vendimin për ndarjen e bursave si hap jashtëzakonisht të rëndësishëm sepse sadopak sportistëve tanë që konsiderohen shpresa të sporteve përkatëse të vendit tonë ua mundëson që të kenë kushte dhe motiv për përgatitje sa më të mira dhe për të korrur rezultate kulmore në sportet në të cilat këta sportist garojnë.

“Ky vendim bëhet sipas normave të parapara ligjore dhe pas propozimit të mekanizmave të sportit në vendin tonë. Është ky një hap i Qeverisë së Kosovës e në veçanti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që t’u qëndrojë afër dhe të mbështesë sportistët e talentët e rinj në forma të ndryshme por edhe të drejtpërdrejta."

"Bursat që do t’u ndahen shpresave olimpike dhe paraolimpike do të jenë një nxitje që sportistët që kanë përfituar të punojnë dhe të angazhohen edhe më shumë në përgatitjet e tyre dhe në prezantim sa më të suksesshëm në garat vendore dhe ndërkombëtare. Është ky një përkushtim i yni në kuadër të masivizimit dhe ngritjes së cilësisë në sport”, u shpreh ministri Gashi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Shkurt 2018 - Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj i shoqëruar nga kryetari i Sindikatës Komunale të Prishtinës Ahmet Pllana do të vizitojnë Shkollën e Mesme Bujqësore “Abdyl Frashëri” në Prishtinë në grevën dy-orëshe. (Shkolla e Mesme Bujqësore 'Abdyl Frashëri', ora 8:10)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

 - Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur organizon konferencën “Momenti i ri i zgjerimit në BE: Çfarë mund të përfitojë Kosova”. (Hoteli Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit i për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla S-I, ora 10:00)

- Fondacioni i Westminster për Demokraci në partneritet me Institutin e Kosovës për Drejtësi do të organizojnë tryezën e diskutimit “Iniciativa për Dekriminalizimin e Politikës në Kosovë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj viziton minatorët e Mitrovicës, me rastin e Ditës së Grevës së Minatorëve. (Mitrovicë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim  në të cilën do të bëhet shqyrtim i Projektligjit për Presidentin, inicimi i Komisionit për nismën legjislative për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Festat Zyrtare, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj do të takohet me kryetarin e Këshillit grevist të Universiteteve Bardh Bardhi. (Ambientet e Fakultetit Teknik në Prishtinë, ora 11:00)

- Mbahet takimi i delagacionit të Aleancës Kosovare të Bizneseve me kryetarin e Komunës së Vushtrris Xhafer Tahirin, ku do të nënshkruet Memorandumi i Bashkëpunimit në mes dy palëve për realizimin e disa projekteve të përbashkëta ekonomike. (Zyrat e kryetarit të  Komunës së Vushtrris, ora 11:00)

- Nën patronatin e kryeministri Ramush Haradinaj mbahet Java e Minatorëve, në shënim të 29 – vjetorit të Grevave të Minatorëve. (Miniera e Stantërgut, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ku do të behët shqyrtimi i Raportit me amendamente i Komisionit Funksional në Projektligjin mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. (Ndërtesa e Kuvendit, salla S-I, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje organizon tryezën me temë 'Procesi i kompromentuar i dënimit të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosjes! dhe Rezoluta nga debati parlamentar2018'. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 409, ora 13:00)

- Shef i negociatave me Serbinë, Avni Arifi do të raportojë para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike lidhur me Platformën e Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla S-2, ora 13:00)
 
- Zyra për Çështje të Komuniteteve organizon konferencën ceremoniale për festimin e Ditës së Komunitetit Ashkali. (Ndërtesa e Qeverisë, salla nr. P38, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë na manifestimin, organizuar nga Zyra e Kryeministrit/ Zyra për Çështje të Komuniteteve,  për nder të Ditës së Ashkalive. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 14:00)

- Ministri i Financave Bedri Hamza do të pret në takim  kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gerxhaliu, kryetarin e Odës Amerikane në Kosovë Arian Zeka, kryetarin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës Astrit Panxha si dhe drejtorin Ekzekutiv të Këshillit të Investitorëve Evropian Shpend Balija. (Ndërtesa Kryesore e Qeverisë, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 16:00)

- Ndihmës Administratori i USAID-it për Europë dhe Euroazi Brock Biermann do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit për aktivitetin e ri të USAID-it Qeverisja Efektive Lokale. (Ndërtesa e Qeverisë, P- 38, ora 18:00)