21 Shtator 2020

Ministrja Dumoshi përkrahje maksimale projektit rinor në Gjilan

Prishtinë, 16 shtator - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi ishte sot në Gjilan në aktivitetin e organizuar nga Organizata Joqeveritare “Rinia Studentore Kadri Zeka” mbështetur nga MKRS përmes thirrjes publike për mbështetje të projekteve rinore.

Organizata në fjalë është implementuese e projektit “S’duhani” i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare tek të rinjtë kundër duhan pirjes. I gjithë ky projekt po implementohet përmes një morie aktivitetesh atraktive në vazhdën e muajit të rinisë dhe të aktiviteteve të parapara për muajin e rinisë.

Ministrja Dumoshi u shpreh tepër e lumtur që përmes thirrjes publike për rininë kanë mbështetur rreth 32 projekte rinore, në vlerë prej 100 mijë euro.

“Jemi duke punuar intenzivisht për projektligjin për rininë, dhe përmes tij do ta rrisim moshën si dhe do ta forcojmë komponentin e njohjes së punës vullnetare" theksoi ministrja.

Përmes këtij projekti synohet objektivi i ndërgjegjësimit qytetar ndaj shprehive të dëmshme si dhe ngritja e vetëdijes tek të rinjtë për një ambient sa më të shëndetshëm.

Rinia është një nga dikasteret kyçe të ministrisë dhe nga fushat më me prioritet për mbështetje institucionale, prandaj edhe vëmendja e saj si ministre është maksimale për ngritjen e kapaciteteve rinore. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Shtator 2020

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:30)

- Fillon Shkolla Verore e BE-së në të cilën do të shtjellohet temat për zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë mjedisore dhe shfaqjen e pandemisë globale. (Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të votohet raporti i panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla takohet me Ambasadorin japonez, Mizutani Akira. (Kabineti i ministres Haradinaj Stublla, ora 10:00 - pa prezencen e mediave)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)
 
- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla dhe Ambasadori japonez, Mizutani Akira, nënshkruajnë marrëveshjen për donacionin e radhës të Japonisë për Kosovën. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 10:30)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë shqyrton listen e dëshmitarëve, përzgjedh ekspertët e jashtëm si dhe publikon adresën për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në përurimin e shtatores së Heroit Ahmet Krasniqi, si dhe në inaugurimin e sheshit, i cili do të mbajë emrin e tij. (Sheshi “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri, ora 11:00)  

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore për Sallën e Operacionit dhe Sallën e Lindjes për gratë e infektuara me COVID-19, pajisje këto të financuara nga partneri jonë Raiffeisen Bank në Kosovë dhe AMC. (QKUK, ora 11:00)

- Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, do të takohet me U.D i Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Arsim Janova, ku do të  nënshkruajnë një Marrëveshje Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi mes dy institucioneve, pas nënshkrimit të marrëveshjes do të ketë konferencë për medie. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, kati i IV, ora 11:15)

- Seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë të premten do të vazhdojë sot. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 13:00) 

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim delegacionin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 18:30)