28 Mars 2024

Ministrja Dumoshi paralajmëron strategji për kulturë

Prishtinë, 14 shkurt - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim një grup poetësh të cilët janë pjesë e manifestimit letrar tradicional “Republika” që mbahet çdo vit për nder të përvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, nën organizimin e ‘Social Creativity’ e kryesuar nga Vlora Ademi.

Në këtë takim njohës e bashkëbisedues, ministrja Dumoshi, i përshëndeti poetët dhe i falënderoi për angazhimin e tyre në këtë manifestim por edhe për kontributin e tyre krijues në artin letrar përmes poezisë kryesisht.

“Është një nder që të nis ditën e sotme me njerëz që flenë e zgjohen me vargun duke e kultivuar e duke transmetuar traditën njerëzore e shoqërore përmes artit poetik. Dua të theksoj faktin se sa është gjuha, është poezia”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi duke përmendur se para se me qenë nder, është një përgjegjësi e madhe marrja e udhëheqjes së MKRS-së, por që do të angazhohet maksimalisht të jetë krahu bashkëpunues i krijuesve në fushën e kulturës.

Ministrja e njoftoi grupin e poetëve me sfidat me të cilat përballet kultura në Kosovë dhe se prioritet i saj mbetet forcimi i institucioneve të kulturës si dhe i skenës së pavarur kulturore në Kosovë për të nxitur krijimin e vlerave të mirëfillta kulturore.

“Është e domosdoshme dhe shumë shpejt do të nisim të punojmë për hartimin dhe fillimin e zbatimit të strategjisë për kulturën dhe për këtë gjë do të bashkëpunojmë me institucionet dhe organizatat kulturore përmes një komunikimi të mirëfilltë dhe efikas në mënyrë që t’i jepet përparësi dhe hapësirë vlerave të mirëfillta kulturore”, paralajmëroi ministrja duke shtuar se do të angazhohet në bashkëpunim me faktorët tjerë që merren me kulturën në Kosovë për të ndaluar zhgënjimin qytetar.

Nga ana e tyre, poetët e uruan ministren Dumoshi për marrjen e detyrës dhe e përmendën se i gëzohen emërimit të saj në pozitën e ministres në një ministri kaq të rëndësishme siç është MKRS-ja për faktin se kulturës në Kosovë i duhet një femër në krye të udhëheqjes e aq më tepër një femër e cila ka përvojë në këtë fushë.

Në këtë bashkëbisedim u trajtuan temat si nxitja dhe përkrahja e krijimtarisë, rritja e mirëqenies shpirtërore përmes kulturës, faktin se shoqëria në Kosovë reformimin e saj duhet ta fillojë nga kultura, rritja e produktivitetit kreativ cilësor, përkthimi i letërsisë shqipe në gjuhë të huaj dhe anasjelltas, fuqizimi i kritikës letrare e mes tjerash edhe fokusi në gjeneratat e reja dhe ngjizja e fëmijëve me kulturë.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)