20 Gusht 2019

Ministri Gashi kërkon hartimin e një ligj që përkon me kërkesat e të rinjve

Prishtinë, 18 prill - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka bërë sot prezantimin dhe diskutimin e projekt-ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë. Në këtë prezantim, pas diskutimeve të bëra rreth këtij drafti, u dhanë edhe rekomandime.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në këtë takim u shpreh se Ligji për Rini medoemos kërkon ndryshime dhe plotësime.

“Ka kaluar më shumë se një dekadë që kemi në fuqi një ligj për rini. Besoj se ka ardhur koha që ta kemi një ligj të ri që i përshtatet nevojave dhe kërkesave të të rinjve. Gjatë takimeve me të rinj anekënd Kosovës është atakuar si problem kufizimi i moshës në ligj dhe besoj se ky ligj do ta definojë këtë kërkesë të të rinjve”, tha ai.

Ministri Gashi theksoi se në ligjin e ri duhet të kemi tri fokuse, përcaktimi i moshës, fuqizimi i mekanizmave rinor dhe përcaktimi i qartë rolit të tyre dhe njohja e punës vullnetare si përvojë e punës.

“Një çështje që është shumë me rëndësi, është ajo e mekanizmave rinorë në Kosovë që janë Këshilli i veprimit qendror të Kosovës, këshillat lokal nëpër komuna, qendrat e rinisë dhe organizatat rinore. Është mirë që me këtë plotësim dhe ndryshim të përcaktohen qartë mekanizmat rinorë në Kosovë dhe përgjegjësitë e tyre sepse këshillat e veprimit rinor lokal nuk e kanë kryer misionin e vet për çka janë themeluar, nuk e kanë luajtur rolin këshillëdhënës”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu përmendi si shumë të rëndësishme fuqizimin e qendrave rinore sepse siç tha ai aktualisht nuk janë duke funksionuar, nuk kanë ndonjë qëndrueshmëri.

“Ajo që po ashtu ka me qenë kërkesë dhe fokus në këtë ligj është puna vullnetare. Në Kosovë ka problem të madh me të rinjtë që aplikojë për vende të punës sepse kërkesa e parë është përvoja e punës. Prandaj ligji duhet të përcaktoj qartë që çdo i ri dhe e re që bën punë vullnetare duhet t’i njihet si përvojë e punës. Besoj se tashmë e kemi edhe një platformë të mirë të regjistrimit të vullnetarëve dhe përmes kësaj platforme të përcaktohet qartë puna vullnetare duke respektuar çdo rregull dhe çdo kriter të përcaktuar me akte tjera nënligjore”, u shpreh ministri Gashi.

Në fund, ministri tha se nuk do të mungojë mbështetja e tij dhe e kabinetit ndaj grupit punues duke ua bërë me dije se është përgjegjësi e tyre për ta bërë një ligj jo sa për sy e faqe por një ligj që përkon me kërkesat e të rinjve.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit të Rinisë në MKRS, Feim Hoxha, tha se dokumenti i strategjisë tani më ka marrë formën finale dhe gjatë këtyre ditëve ky dokument do të procedohet te ministri për aprovim.

“Duke marrë parasysh që Ligji për Rini është një ligj i cili është aprovuar në vitin 2009 dhe ndryshimet që kanë ndodhur nga ajo kohë deri tani, na ka shtyrë që ne të fillojmë iniciativën për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji. Ne do të mundohemi që gjatë vitit ligji të kaloj në qeveri”, tha ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)