03 Mars 2021

Luan Daka merr Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore

Prishtinë, 2 tetor - Zëvendësministrat e MKRS-së, Engelbert Zefaj dhe Halil Matoshi, në një ceremoni solemne në kabinetin e MKRS-së, kanë bërë ndarjen çmimeve për teatër për vitin 2019.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore, që u ndahet personaliteteve të shquara në fushën e teatrit, për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin e veçantë në avancimin e teatrit, në mënyrë unanime iu nda aktorit dhe regjisorit Luan Daka.

Ky çmim iu nda atij duke u bazuar në kreativitetin e thellë, inovacionin dhe origjinalitetin që ai përfaqëson në fushën e artit dramatik, si në teatër, film, televizion dhe radio.

Daka në rrafshin artistik është autor i teksteve skenike, regjisor i shfaqjeve, regjisor i radiodramave, aktor i suksesshëm i teatrit dhe filmit, ekspert i fushës teatrore dhe filmike, anëtar i jurive profesionale dhe në rrafshin akademik nga viti 1988 me përkushtimin dhe profesionalizmin tij pedagogjik ka nxjerrë me dhjetëra gjenerata të suksesshme të aktorëve.

Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë, që ndahet për shfaqjen që ka treguar sukses të jashtëzakonshëm për nga vlerat, profesionalizmi, shikueshmëria dhe suksesi në prezantimin kombëtar gjatë vitit paraprak, me tri vota pro dhe dy kundër  iu nda shfaqjes “ERVEHEJA” e regjisores Drita Begolli, me arsyetimin se kjo shfaqje është një vepër e jashtëzakonshme që korrespondon  me realitetin e të gjitha kohërave. Shfaqja ka koncept, thellësi, guxim dhe art të nivelit të lartë.

Çmimi vjetor për regjinë më të mirë, që ndahet për regjinë kreative, inovative dhe origjinale, në mënyrë unanime  iu nda regjisores Elmaze Nura për shfaqjen “KOPRRACI”. Këtë çmim juria e ka ndarë duke u bazuar në nivelin e lartë artistik, kreativitetin e thellë, inovacionin teatror, përkushtimin profesional dhe mjeshtërinë e lartë regjisoriale.

 Suksesi i jashtëzakonshëm i kësaj shfaqjeje si në rrafshin ndërkombëtar dhe atë vendor është arritur kryekëput në saje të regjisë së Nurës, e cila këtë art të sentencës e sjellë në mënyrë origjinale, të pëlqyeshme dhe me vlera të reja estetike.  Me shfaqjen “KOPRRACI” Kosova është përfaqësuar në festivale të rëndësishme ndërkombëtare dhe mbarëkombëtare, duke marrë edhe shpërblim për regjinë më të mirë.

Çmimi vjetor për aktorin/aktoren më të mirë, që i ndahet aktorit/aktores që ka pasur performancë të shkëlqyeshme në një rol ose disa role teatrore, me shumicë votash,  iu nda aktorit Adrian Morina për rolin në shfaqjen  “Unë jam vetë grua”.

Me shfaqjen “Unë jam vetë grua” Adrian Morina ka sjellë në skenë rrëfimin e shkëlqyer të transgjinorit dhe përmes karakterit të tij ka sjellë një rol të kompletuar.

Çmimi vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar, që u jepet produksioneve teatrore, regjisorit, aktorit, dramaturgut, skenografit apo krijuesit për performancën dhe suksesin në prezantimin ndërkombëtar, në mënyrë unanime iu nda organizatës kulturore “Qendra Multimedia”, e cila realizoi disa prezantime ndërkombëtare në festivale prestigjioze dhe në të njëjtën kohë ka bërë edhe prezantimin e Kosovës në fushën e teatrit.

Gjatë kësaj ceremonie zëvendësministri Zefaj e vlerësoi lart ndarjen e këtyre çmimeve dhe tha se “kam kënaqësinë që jemi të gjithë bashkë në këtë ditë të rëndësishme për teatrin ku ashtu siç është edhe tradita Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpërblen laureatët.”

Duke i uruar të gjithë për çmimet  zëvendësministri Zefaj tha se “ndarja e këtyre çmimeve është një lloj respekti dhe mirënjohje nga ana e institucioneve për angazhimin dhe punën kreative të artistëve, andaj sot uroj që puna dhe sukseset të mos mungojnë as në vitet e ardhshme”.

Ndërkaq, fituesit e këtyre çmimeve falënderuan ministren Dumoshi dhe zëvendësministrat Zefaj e Matoshi për përkrahjen e vazhdueshme dhe marrjen e çmimeve edhe ata e vlerësuan si një mirënjohje institucionale dhe një inkurajim për të punuar edhe më shumë në krijimtarinë e tyre artistike.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Mars 2021 - Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë inauguron projektin “Fuqizimi i autonomisë universitare dhe rritja e llogaridhënies e transparencës së universiteteve të Ballkanit Perëndimor”. (Selia e Kolegjit IBCM, ora 9:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Enis Ramadani për vepren penale 'Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Avokati i Popullit, Naim Qelaj viziton ekspozitën për fëmijët e vrarë gjatë luftës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”. (Biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, lagjja Dardania, ora 10:00)

- Parlamenti i dytë rural shqiptar organizon konferencë për të diskutuar sfidat dhe veprimet konkrete për mirëqenien e banorëve të zonave rurale. (Platforma Zoom, ora 10:00)

- Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Gjilan, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, mban konferencë për media pas takimit të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19. (Zyra e krytarit Haziri, ora 10:30)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e shpërndarjes së librave të botuar dhe të blerë me financimin e Departamentit të Kulturës në MKRS. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)