19 Mars 2024

Kosova nikoqire e konferencës së Vullnetarizmit Edukativ për Evropën Qendrore dhe Lindore

Prishtinë, 26 nëntor - Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim “TOKA”, së bashku me partnerë nga Argjentina, Rumania, Sllovakia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, do të organizojnë për herë të parë në Kosovë, Konferencën Rajonale për Vullnetarizmin Edukativ, me datën 10 dhjetor, në Prizren.

Konferenca ka për qëllim promovimin e “Vullnetarizmit Edukativ”, si një metodologji e dëshmuar inovative e mësimdhënies dhe të të mësuarit, si dhe të shërbejë për shkëmbimin e përvojave të mira në mes të pjesëmarrësve.

Gjatë konferencës, me një ceremoni formale do të bëhet edhe ndarja e “Çmimit Rajonal për Vullnetarizmin Edukativ” në të cilën garojnë gjithsej 36 projekte nga 6 shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe Kosovën.

Ky çmim njeh dhe vlerëson punën e mësimdhënësve për projektet vullnetare të cilat i kanë zbatuar me nxënësit e tyre përmes të cilave kanë pasur ndikim pozitiv në komunitetin ku janë realizuar.

Në konferencë pritet të marrin pjesë rreth 150 profesionistë ndërkombëtarë dhe vendor, që praktikojnë metoda të reja në fushën e edukimit. Ndër të pranishmit pritet të jenë drejtorë të shkollave, mësimdhënës, studentë, zyrtarë qendror dhe lokal të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), përfaqësues nga komunat, donatorë dhe partnerë të ndryshëm. Konferenca do të transmetohet drejtpërdrejtë nëpërmjet Livestream në Facebook në faqen zyrtare të “TOKAs” dhe është e hapur për të gjithë të interesuarit.

Konferenca poashtu do t’u jap mundësinë mësimdhënësve të cilët nuk janë pjesë e programit që të mësojnë më shumë rreth metodave më të reja në fushën e edukimit, të njoftohen më mundësitë për të aplikuar për t’u bërë pjesë e programit ndërkombëtar të “Vullnetarizmit Edukativ”, dhe të mund të garojnë me projektet e tyre vullnetare për “Çmimin Rajonal të Vullnetarizmit Edukativ - Edicioni 3”, mundësi kjo e cila hapet vetëm një herë brenda vitit.

Programi ndërkombëtar i “Vullnetarizmit Edukativ” është një metodë interaktive e edukimit brenda dhe jashtë klasës, ku liderët dhe pjesëmarrësit mësojnë aftësi të reja duke realizuar projekte në të mirën e komunitetit.

Organizata “TOKA” zbaton këtë program që nga viti 2017, ku për çdo vit trajnohen më shumë se 70 mësimdhënës në metodologjinë e të mësuarit përmes përvojës dhe për çdo vit bëhen pjesë e programit më shumë se 1500 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.

Nga mësimdhënësit dhe nxënësit deri tash janë realizuar më shumë se 100 projekte vullnetare në komuna të ndryshme të Kosovës duke trajtuar problematika në komunitetin e tyre. TOKA ka filluar të punojë ngushtë me institucionet arsimore që të mësuarit përmes përvojës dhe Vullnetarizmi Edukativ të gjejnë implementim edhe në planprogramet shkollore dhe në mësimin formal. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)