28 Tetor 2020

Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunimin e të rinjve

Prishtinë, 26 nëntor - Në kuadër të Mbledhjes së dy qeverive, të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila po mbahet në qytetin e Pejës, në mesin e një sërë marrëveshjesh, u nënshkrua edhe marrëveshja për bashkëpunim në fushën e rinisë.

Në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Republikës së Kosovës nënshkroi ministri Kujtim Gashi, ndërkaq në emër të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë nënshkroi ministrja Lindita Nikolla.

Në bazë të marrëveshjes që do të zgjasë tri vjet, palët synojnë bashkëpunim institucional të të dy vendeve në fushën e rinisë në mbështetje të politikave dhe programeve të përbashkëta si dhe të nismave rajonale dhe evropiane.

Inkurajimi i pjesëmarrjes aktive të të rinjve në vendimmarrje, nxitja e edukimit të rinisë me vlerat më të mira evropiane për bashkëjetesë, tolerancë dhe integrim, hartimi dhe zbatimi i projekteve për shkëmbimin e të rinjve, përmes trajnimeve dhe projekteve të përbashkëta, bashkëpunimi në fushën e rinisë në hartimin e programeve dhe aktiviteteve të përbashkëta, nxitja e pjesëmarrjes në konferenca e seminare rajonale e ndërkombëtare si dhe në aktivitete të tjera rinore, me synim forcimin e miqësisë ndërmjet të rinjve, janë fushat e bashkëpunimit që parasheh marrëveshja e nënshkruar.

Bashkëpunimi sipas marrëveshjes në fjalë do të realizohet për format e ndryshme sikurse organizimi i konferencave dhe aktiviteteve, zhvillimi i panairit të shoqatave/organizatave rinore, organizimi i sesioneve informuese, shkëmbimi i organizatave rinore, sportistëve të rinj, inkurajimi i sipërmarrjes, organizimi i kampeve të përbashkëta, krijimi i komiteteve të përbashkëta organizative, këshillave koordinuese si dhe angazhimi të rinjve në aktivitete vullnetare.

Marrëveshja parasheh edhe nxitjen e partneritetit mes organizatave rinore si dhe programin e përbashkët të aktiviteteve i cili dakordësohet gjatë muajit dhjetor të çdo viti.

Ministri Kujtim Gashi e ka vlerësuar të rëndësisë së veçantë nënshkrimin e marrëveshjes, ngase mundëson një bashkëpunim më të madh të të rinjve shqiptarë këndej dhe matanë kufirit.

“Duke qenë të bindur se të rinjtë mund të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të frymës së mirëkuptimit, tolerancës, miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, të vetëdijshëm se të rinjtë e të dy vendeve përballen me sfida të njëjta, të ndërgjegjshëm se rinia është forca më e gjallë që do të ndërtojë të ardhmen evropiane të rajonit tonë sot do të jetësohet kjo marrëveshje në fushën e rinisë”, tha ndër të tjera ministri Gashi.

Ndërkaq, homologia nga Shqipëria, ministrja Lindita Nikolla, tha se me nënshkrimin e marrëveshjes i hapet rrugë të rinjve që të angazhohen më tepër për interesat e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Tetor 2020

- Qendra e parë shoqërore në Prishtinë “Termokiss” nisë programin pesë ditor “Krejt Ka Pak V - Me Zemër Ngat” me aktivitete të ndryshme. (Hapësira e Termokissit, ora 9:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me përfaqësuesit e Divizionit të Skemave për Kategoritë e Luftës në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe përfaqësues të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të  Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të  “Muajit të mundësive të barabarta për personat me aftësi të kufizuara”, që është muaji tetor, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Administratës Osman Hajdari, do të vizitojnë personat me aftësi të kufizuara që janë të angazhuar në Administratën Komunale të Komunës së Prizrenit. (Objekti i Administratës Komunale në Qendrën për Shërbime të Integruara-One Stop Shop, ora 10:00)

- Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq raporton para Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim lidhur me raportin e punës së ministrisë, për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti së bashku me Zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj mbajnë tryezë konsultative me Organizata të Shoqërisë Civile për prioritetet e Agjendës së Reformave Evropiane. (Objekti i Qeverisë, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi do të mbajë një konferencë për media. (Ministria e Drejtësisë, ish-objekti i Rilindjes, kati IX, salla 914, ora 11:00)

- Ministri i Tregtisë dhe industrisë, Vesel Krasniqi raporton para Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike lidhur me problemet që është duke u ballafaquar ministria në përgjithësi, në veçanti për prodhuesit dhe transportuesit vendor për CEFTA si dhe për subvencionet e ndara për biznese gjatë pandemisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti viziton Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. (Objekti i KRPP-së, ora 14:00)

- Ministrja e Financave Hykmete Bajrami raporton para Komisionit për Buxhet dhe Transfere lidhur me zhvillimet e fundit në Sistemin e Menaxhimit të Financave Publike në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)

- Forumi për Lidership dhe Diplomaci përmbyllë Projektin “Akademia për Lidership”. (Swiss Diamond Hotel, ora 14:00)

- Ambasada e Gjermanisë bashkë me Asociacioni për Evropën Juglindore dhe Instituti Aspen Gjermani organzojnë konferencën digjitale “Të rinjtë, migrimi dhe sfida demografike në Ballkanin Perëndimor”. (Onlne, ora 16:00)