03 Tetor 2022

Komuna e Prizrenit vazhdon ndarjen e subvencioneve në mënyrë jo transparente

Prizren, 25 korrik - Komuna e Prizrenit ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve nga thirrja e DKRS- së, në kategorinë e kulturës, rinisë dhe sportit. Në vendimet përfundimtare të DKRS- së për subvencionimin e OJQ- ve dhe individëve, figurojnë vetëm titujt e projekteve dhe përfituesit.

EC Ma Ndryshe edhe viteve të kaluara ka reaguar për jo trasnparencë gjatë publikimit të listave përfundimtare të përfituesve dhe ka kërkuar nga DKRS- ja që krahas titullit të projektit dhe emrit të përfituesit të përfshijë edhe informatat si në vijim:   

-  Kriteret e vlerësimit, në bazë të cilave janë përzgjedhur përfituesit;

- Listën e anëtarëve të komisioneve;

- Shuma financiare e aplikuar me projekt nga organizata/shoqata;

- Shuma financiare e përkrahur nga DKRS;

- Përshkrimin e shkurtër të projektit dhe rezultatet e pritura;

EC konsideron se me publikimin e këtyre informatave dhe dokumenteve, drejtoritë komunale do të tregonin transparencë dhe llogaridhënie, duke dhënë shembull për praktika të mira të qeverisjes.

Duhet cekur se në fushatën e fundit parazgjedhore, dy nga premtimet më të theksuara të kryetarit aktual kanë qenë transparenca radikale dhe llogaridhënia para qytetarëve e cila tani duhet të gjejë zbatim edhe në praktikë.

Ndërkaq praktika e njëjtë e ndarjes së subvencioneve bie ndesh me parimet themelore të qeverisjes transparente dhe po ashtu nuk përputhet me përpjekjet për promovimin e standardeve të qeverisjes së mirë.

Prandaj EC edhe njëherë i bën thirrje Komunës së Prizrenit që t’i rishqyrtojë këto veprime dhe të angazhohet për zbatimin e praktikave më të mira të qeverisjes, pasi që mospërfillja e këtyre kërkesave krijon hapësirë për dyshime për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë publike

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)