20 Prill 2024

IPA 2017, pjesa e parë ka vlerë mbi 49 milion euro për 11 projekte

Prishtinë, 23 korrik - Sot, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka prezantuar para Komisionit parlamentar për Integrim,  projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare IPA 2017, pjesa e parë ndërmjet Kosovës dhe BE-së”.

Ministrja u përgjigj edhe ndaj pyetjeve lidhur me rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, të cilin e vlerësoi si sukses ngase janë përmbushur të gjitha kushtet  e parapara. Ministrja dha shpjegime edhe për procedurat e mëtejme për këtë proces.

Në kuadër të programit IPA 2017, kemi përkrahje buxhetore sektoriale për menaxhimin e financave publike, programi është ndarë në dy pjesë, ku tani kemi vetëm pjesën e parë, ndërsa IPA 2017, pjesa e dytë, do të miratohet me një marrëveshje financiare ku ne përfitojmë mjete por nuk kemi obligime financiare prandaj ratifikimi i saj do të kryhet nëpërmjet dekretimit nga Presidenti”, theksoi Ministrja Hoxha, duke cekur se afati përfundimtar për hyrjen e saj në fuqi është data 31 dhjetor 2018.

Pra, nëse deri atëherë Kosova nuk e njofton BE-së ka kryer të gjitha procedurat për hyrjen në fuqi të marrëveshjes financiare, theksoi Ministrja Hoxha, duke përfshirë edhe ratifikimin në Kuvend si dhe më pas dekretimin nga Presidenti dhe shpalljen në Gazetën Zyrtare, atëherë fondet e dhuruara nga BE-ja si pjesë e kësaj marrëveshjeje, në shumën prej 48 milionë euro anulohen në mënyrë automatike.

Kjo marrëveshje financiare rregullon pra zbatimin e programit IPA 2017, pjesa e parë, i cili përfshin 11 projekte të cilat do të ndihmojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, të drejtat e njeriut, efiçiencën e energjisë, ekonominë digjitale, sigurinë ushqimore si dhe përkrahjen për lidhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale.

Në tërësi, programi konsiston në financimin e 48 milionë euro nga ana e Bashkimit Evropian për Kosovën, ndërsa shuma totale e përfshirë është 49 milion e 478 mijë euro, ku përfshihen pra edhe bashkëfinancimi nga ana e Kosovës, në shumën prej 1 milion e 478 mijë euro për disa nga projektet (1 milionë në fushën e energjisë dhe 0.45 milionë euro për fushën e arsimit, punësimit dhe çështjeve sociale, si dhe 23 mijë euro për programet e BE-së).

Në kuadër të demokracisë dhe qeverisjes, që ka shumën totale prej 14.8 milionë euro, do të përkrahet procesi i integrimit evropian, nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve institucionale për hartimin dhe zbatimin e politikave dhe legjislacionit që do të transpozojë legjislacionin e BE-së në kuadër të legjislacionit të Kosovës. Këtu përfshihen posaçërisht masat që do të mundësojnë zbatimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe ka shumën prej 6 milionë euro.

Ndërsa, me 3 milionë euro, BE-ja do të përkrah financiarisht zbatimin e prioriteteve që dalin nga dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e të cilat kontribuojnë në procesin e normalizimit, si parakusht esencial në drejtim të integrimit evropian.

Mbështetje do të ketë edhe për autoritetin e konkurrencës dhe ndihmën shtetërore me shumën prej 3 milionë eurosh si asistencë teknike, si dhe për forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë me shumë prej 2 milionë eurosh.
 

Së, fundmi, do të përkrahet edhe qasja e Kosovës në Programet e BE-së, në shumë prej 0.8 milionë eurosh, ku shuma kryesore do të shkojë për një asistencë teknike për të mbështetur qasjen e aplikuesve në kuadër të këtyre programeve, ndërsa një shumë e caktuar do të përdoret për të kryer rimbursimin në masën 90% të pagesës për qasje të Kosovës në katër programet e zgjedhura për vitin 2018: Evropa për qytetarët, Erasmus Plus, Evropa kreative dhe COSME.

“Në kuadër të sundimit të ligjit dhe të drejtave fundamentale, do të ketë përkrahje për institucionin e avokatit të popullit për të forcuar këtë institucion me ekspertizën e nevojshme me shumë prej 3 milionë euro.

Në kuadër të sektorit të energjisë, BE-ja parashihet të financojë 10 milionë euro, krijimin e fondit të efiçiencës së energjisë. Në kuadër të konkurrueshmërisë dhe inovacionit, do të ndahen 3 milionë euro për të përkrahur sektorin e teknologjisë së informimit dhe komunikimit.

Në kuadër të bujqësisë dhe zhvillimit rural, do të përkrahet siguria dhe cilësia e ushqimit me investime që arrijnë në 5.2 milionë euro”, theksoi Ministrja Hoxha, Ndërsa, për fushën e arsimit, punësimit dhe politikave sociale, përkrahja nga BE-ja do të mbërrijë në 12 milionë euro. Në këtë fushë do të përkrahet rritja e arsimit dhe qasjes në arsim, duke ndihmuar infrastrukturën arsimore si dhe qasjen në tregun e punës nëpërmjet arsimit vokacional.

Tenderimi dhe kontraktimi do të kryhet nga ana e Zyrës së BE-së në Kosovë e cila është autoritet kontraktues, theksoi Ministrja Hoxha, ata janë të gatshëm për të filluar me zbatimin sapo të kemi hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje.

Ministrja kërkoi që me procedurë të përshpejtuar të miratohen dy ligjet, IPA 2017, pjesa e parë si dhe Marrëveshja me BE-në, Evropa për qytetarët.

Ministrja u përgjigj edhe ndaj pyetjeve lidhur me rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, të cilin e vlerësoi si sukses ngase janë përmbushur të gjitha kushtet  e parapara. Ministrja dha shpjegime edhe për procedurat e mëtejme për këtë proces.

Sipas Ministres Hoxha, pritet që ky vit, të jetë vit i liberalizimit të vizave, procedurë që mund të realizohet, pas rekomandimit pozitiv, çështja shkon në shqyrtim te Këshilli i ministrave dhe procedura e votimit me shumicë të kualifikuar, në Parlamentin Evropian.
 
Ministrja u përgjigj edhe në pyetjet e parashtruara nga deputetët, anëtarë të Komisionit, të drejtuar nga Blerta Deliu-Kodra.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)