28 Mars 2024

Interesim i madh për të mësuar shqipen

Prishtinë, 14 gusht - Sot në ambientet e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit të XXXVI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Në këtë solemnitet ishin të pranishëm: Arsim Bajrami, ministër në detyrë  i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Ismet Salihu, kryetar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës; Hivzi Islami kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve; Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë, ambasadorë, akademikë dhe seminaristë.

Ceremoninë e hapi dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, e cila tha se seminaristët janë dëshmia më e mirë se asgjë nuk e ndryshon formimin e vazhdueshëm shkencor tërëjetësor të studiuesve të rinj nëpërmjet këtij institucioni dhe standardet e larta që ky Seminar i ka vendosur tashmë.

“Një rrugëtim i vështirë, me shumë peripeci, por gjithnjë në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, në kërkim të forcimit të bashkëpunimit ndërakademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë, një tubim i lartë shkencor dhe kulturor që ka arritur të shndërrohet në një institucion të rëndësishëm ndërkombëtar dhe me impakt të lartë në avancimin e shkencës dhe të kulturës, në zbërthimin e gërshetimit të gjuhëve e të kulturave të ndryshme me shqipen dhe avancimin e studimeve gjuhësore, letrare dhe kulturore të shqipes në shumë qendra botërore universitare. Falë miqve tanë, seminaristëve, albanologjia vazhdon të studiohet dhe të mësohet gjithandej në botë.”, ka thënë dekanja.

Ajo për më shumë i ka falënderuar seminaristët (profesorë e studentë në universitete të mirënjohura evropiane), që kanë kontribuar në themelimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit të ndërsjellë me fakultetin tonë, me theks të veçantë në albanologji.

Në një fjalë rasti, ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në emër të Qeverisë së Kosovës e uroi fillimin e Seminarit duke thënë se ky tashmë është shndërruar në një nga institucionet më prestigjioze për studimin e albanologjisë. Më tutje, ai ka thënë se ata do të përpiqen, së bashku me Republikën e Shqipërisë, që ta krijojnë një linjë të veçantë buxhetore për Seminarin, duke e shndërruar kështu në ngjarje shtetërore.

“Ky Seminar ka shërbyer për internacionalizimin e studimeve të albanologjisë në universitetet e botës dhe për ruajtjen e traditës dhe kulturës shqiptare në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.”, ka thënë ministri Bajrami.

Po ashtu, kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Ismet Salihu, i uroi punë të mbarë Seminarit duke e vlerësuar lart këtë instituticion.

Ndërkaq, në emër të Akademisë së Shkencave, Artit dhe Kulturës, akademik Hivzi Islami, duke i uruar punë të mbarë seminarit tha se ky Seminar tashmë e ka krijuar dimensionin e vet si pjesë e pandashme e traditës dhe kulturës shqiptare.

“Seminaristët janë ambasadorët më të fuqishëm të Kosovës. Përçuesit më besnikë të vlerave të Kosovës dhe shqiptarëve”, ka thënë akademik Islami.

Ceremoninë e mbylli drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi, i cili ka thënë se sivjet kanë shënuar numër rekord të kërkesave për pjesëmarrje në kurset e mësimit të shqipes. Sipas tij, momenti i ri është interesimi i brezit të dytë e të tretë të mërgatës shqiptare me origjinë nga Kosova e Shqipëria për ta mësuar ose përmirësuar shqipen e tyre.

“Ne jemi institucioni më i madh dhe me traditën më të gjatë në studimet albanologjike. Synojmë të mbetemi të tillë. Këtë nuk mund ta bëjmë pa mbështetjen e seminaristëve dhe studiuesve joshqiptarë, të cilët na kanë mbështetë publikisht. Dhe, sivjet ka pasë një numër rekord të të paraqitur për ta mësu shqipen, më shumë se 170 – mbështetje më e madhe nuk na duhet.”, ka thënë Paçarizi.

Përndryshe, punimet e këtij Seminari do të mbahen gjatë 14 – 25 gusht. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)