12 Prill 2021

Gazetarët në Kosovë të shqetësuar për të gjeturat e DASH-it

Prishtinë, 31 mars – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK, shpreh shqetësimin lidhur me gjetjet e Raportit të Departamentit të Shtetit i SHBA-ve për Kosovën, në lidhje me kufizimet e padrejta në medie nga vetë pronarët e tyre dhe dhuna ose kërcënimet për dhunë në drejtim të gazetarëve, në raportin e publikuar për vitin 2020.

Raporti evidenton se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare, u kanë bërë presion gazetarëve dhe përfaqësuesve të medieve që të mos publikonin artikuj dhe storje të caktuara.

"Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik hulumtues për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës", thuhet ndër të tjera në raportin e Departamentit të Shtetit.

Sipas raportit, mediet e pavarura në Kosovë ishin aktive dhe shprehën një larmi pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, disa gazetarë janë ankuar se pronarët dhe menaxherët e medieve, i kanë penguar ata të publikonin ose transmetonin materiale që kritikonin qeverinë, partitë politike ose disa zyrtarë publikë.

"Në disa raste, pronarët e medieve thuhet se kërcënuan të largonin nga puna gazetarët nëse publikonin shkrime kritikuese. Gazetarët, gjithashtu u ankuan se pronarët e medieve i kanë penguar të raportonin për korrupsionin e nivelit të lartë të qeverisë", thuhet më tej në raport.

AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 Prill 2021

- Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës hap Ekspozitën “Vullkani” i Republikës, për nder të 40 Vjetorit të demonstratave të Viti 1981, dhe Ekspozitën “70 Vjet Arkiv”. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 10:00)

- Myftiu Naim Tërnava do të japë mesazhin me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit. (Selia e Kryesisë së BIRK-ut, ora 11:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban konferencë për media, në oborrin e Kuvendit të Kosovës, hyrja nga sheshi qendror. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, hyrja nga sheshi, ora 11:30)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Limani-Kazaz, do të bëjnë lansimin e projektit “View Point”. (Afërsi të fshatit Jabllanicë, ora 12:00)