06 Shkurt 2023

Filloi turneu ‘Muzikë n’Teatër’ nga Shpat Deda

Prishtinë, 6 dhjetor - Në mesin e kamerave që luftonin për hapësirë dhe publikut që mezi priste të fillonte programi, e hëna e 5 dhjetorit u shënua me sallën e stërmbushur të Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë ku filloi turneu ‘Muzikë n’Teatër’ i kantautorit Shpat Deda. Ishte një mbrëmje magjike me figura të spikatura të Kosovës në mesin e të pranishmëve e cila do të jehojë për një kohë të gjatë në kujtimet më të bukura të kryeqytetit.

Skena e hapur, audienca e hipnotizuar përreth saj, instrumentet e bukura muzikore dhe ndërveprimet magjepsëse në mes të tyre e shndërruan këtë performansë të Shpat Dedës, shoqëruar mjeshtërisht nga Visar Kuçi e Tomor Kuçi, në një koncert autorial që i prek nivelet më të larta artistike.  

Dymbëdhjetë këngët e performuara ishin një udhëtim ëndërrash për secilin të pranishëm, ku këngët e albumit ‘Rrugës’ nga Shpat Deda dhe disa nga hitet e tij të pavdekshme erdhën në një formë krejtësisht të re dhe të freskët për publikun kryeqytetas.

Shpati, tanimë një kantautor i  kompletuar dhe i dëshmuar i skenës me mbi tridhjetë këngë origjinale të publikuara në tre albume përgjatë 15 viteve të fundit, shkëlqeu në një dritë të re ku vinte në shprehje përvoja e tij e gjatë në skenë, zotërimi i pakontestueshëm i saj dhe një pjekje e theksuar artistike.

Ishte një mbrëmje ndryshe prej çkado që ka servuar skena e kryeqytetit në vitet e pasluftës, dhe një festë e origjinalitetit dhe virtuozitetit kryeqytetas nën lojën e këtyre tre artistëve të mahnitshëm, ndërsa dëshmia më e mirë për këtë janë duartrokitjet e pandalshme dhe brohoritjet frenetike të të pranishmëve.

Pas Prishtinës, turneu ‘Muzikë n’Teatër’ do të vazhdojë edhe në skenat teatrale të pesë qyteteve të ndryshme të Kosovës. Pas një koncerti të tilë në Prishtinë, një gjë është e sigurt: datat e këtij turneu assesi nuk bën të humben sepse muzika n’teatër është një magji që nuk harrohet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 shkurt 2023

- Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të organizoj një aksion si reagim ndaj skandalit të fundit me vende të punës në Arsim dhe akuzave publike për shitjen e vendeve të punës. (Para Komunës së Prizrenit, ora 9:30)
    
- Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve lanson Platformën për Punësim të të rinjve ku pjesëmarrës do të jenë Kryeministri, Albin Kurti, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe Ministri, Hekuran Murati. (Hotel Sirius, ora 10:00)
    
- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku në rend dite është Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. (Kuvendi i Kosovës, salla C301, ora 11:00)

- Kryesia e Parlamentit Studentor mban konferencë për media lidhur me organizimin e marshit kundër asociacionit. (Para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ora 11:00)

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të  Zhdukur gjatë luftës në Kosovë. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 12:00)

 

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati vizitojnë ndërmarrjen “Liri”, në Prizren. (Ndërmarrja "Liri", Prizren, ora 16:00)

 

- Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizojnë ceremoninë e nënshkrimit të Agjendës për Kontratën Sociale për Kryeqytetin që është zotim i përbashkët ndërmjet zyrtarëve të komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (SHFMU “Ismail Qemajli”, Bregu i Diellit, ora 19:00)