19 Tetor 2020

Edicioni i 7 i festivalit "Mirëdita, dobar dan!" mbahet me 22 tetor në Beograd

Prishtinë, 16 tetor - Festivali "Mirëdita, dobar dan!", ngjarje kjo unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, do të mbahet nga 22 deri më 24 tetor në Beograd.

Këtë vit festivali do të jetë më i shkurtë se edicionet e kaluara për shkak të virusit korona, megjithatë ne konsiderojmë se është shumë e rëndësishme organizimi i tij, natyrisht në përputhje me të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Ashtu sikur edhe gjatë viteve të kaluara, edhe këtë herë qytetarët e Beogradit do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Kosovës përmes një sërë prodhimesh artistike; shfaqje, filma e ekspozitë. Një pjesë e festivalit do t'i kushtohet diskutimeve dhe debateve për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë - Serbi dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të dy shoqëritë.

Qëllimi i festivalit është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesëve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkon komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuoj në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.

Gjatë ditëve të festivalit, audienca e Beogradit do të prezantohet me artistë dhe performues që përfaqësojnë skenën kulturore moderne të Kosovës.

Këtë vit, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, festivali  "Mirëdita, dobar dan!" do të hapet me shfaqjen teatrore nga Doug Wright të titulluar "Unë jam vetë grua", me regji të Kushtrim Koliqit, në të cilën Adrian Morina, si aktori i vetëm në skenë, luan më shumë se 30 personazhe duke na sjellur një histori të një jete tejet të vështirë të një personi transgjinor gjerman - Charlotte von Mahlsdorf, e cila i ka mbijetuar regjimit Nazist dhe atij Stasi.

Në ditën e dytë të festivalit, publiku do të ketë mundësi të marrë pjesë në debatin "Kosova - trashëgimia e kujtesës" në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, si dhe të shohë ekspozitën me të njëjtin titull nga Korab Krasniqi në galerinë "Endžio" në Dobračina.

Në ditën e fundit të festivalit, do të ketë një debat mbi çështjet e drejtësisë tranzicionale në Kosovë dhe institucionalizimin e saj, për të vazhduar me leximin e aktorit Tristan Halilaj të disa pjesëve nga libri i tij "Richard Gere ishte këtu", një përmbledhje tregimesh.

Ngjarja përmbyllëse e edicionit të këtij viti do të jetë shfaqja e filmit "Shpia e Agës" nga Lendita Zeqiraj, i cili do të jepet në orën 20:30 në Qendrën për Dekontaminim Kulturor.

Frymëzim për festivalin “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit është falas, me regjistrim paraprak.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), Iniciativa Qytetare (Serbi) dhe forumZFD, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Serbi, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Tetor 2020  - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në shpërndarjen e lopëve për përfituesit nga thirrja e hapur nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. (Tregu i Kafshëve në Prizren, ora 9:30 - nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:00)   

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish-Ministrin e Ekonomisë dhe Financave Ali Sadriu. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme  do të organizojë ceremoni solemne me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore. (Ndërtesën e Qeverisë, salla P-38, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi fillon “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Mbrojtja e viktimave të krimit, mision ynë edhe gjatë pandemisë”. (Platforma zoom, ora 10:00)

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaqi dhe Kryeministri Avdullah hoti marrin pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 10:00)

- Aksioni për Nëna dhe Fëmijë organizon ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve mjekësore dhe mjeteve mbrojtëse kundër COVID-19, për Klinikën Infektive në QKUK, pajisje këto të siguruara nga bashkepunimi i AMC dhe LDS Charities. (Barnatorja Qëndrore e QKUK-së, ora 11:00)  

-  Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës voton kërkesën për pezullimin e lëshimit të lejeve të reja dhe rilicencimin e hidrocentraleve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303 Koha: 11:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban konferencë për media. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, hyrja nga sheshi, ora 11:30)

-  Kryeministri Avdullah Hoti takon deputetët e komunitetit jo shumicë për të diskutuar planin për zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00 - vetëm pamje)

- Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të bëjë pranimin e 215 tabletëve nga OSBE-ja. (Ambientet e MASh, ora 12:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ishish kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Gjilanit në të cilen do te votohet propozim vendimi për ndarjen e 200 bursave për student të Komunës së Gjilanit për vitin akademik 2019/2020. (Salla e mbledhjeve të KK-Gjilan, ora 13:00)

- Mbahet takimi i radhës i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. (Ndërtesa e Qeverisë, Salla P38, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 16:00)