03 Qershor 2020

Artistët e pavarur kërkojnë të bëhen pjesë e fondit emergjent

Prishtinë, 6 maj - Artistët, kuratorët, hulumtuesit, punëtorët e pavarur në skenën e kulturës të poshtë shënuar, kanë shtru kërkesë zyrtare në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) që të përfshijë përfaqësuesit e Artistëve të Pavarur në Grupin Punues për përpilimin e kritereve për shpërndarjen e Fondit Emergjent për kulturë, rini dhe sport.

Nga rrethanat e krijuara me shpërndarjen e shpejtë të COVID-19, Qeveria e Kosovës ka ndarë 5 milion euro për mbështjetjen e kulturës, rinisë dhe sportit.

 Si hap të parë në këtë drejtim MKRS do të themelojë Grupin Punues me mandat për të përcaktuar kriteret dhe rregullat për shpërndarjen e fondeve në skenën e pavarur të artit dhe kulturës në Kosovë. Përfshirja e Artistëve të Pavarur e plotëson Grupin Punues dhe ofron një perspektivë të domosdoshme në mbrojtje të artistëve dhe punës së tyre.

Në shikim të parë duket që pandemia ka sjellë një lloj barazimi shoqëror, ku të gjithë janë në ballafaqim me të njejtën sfidë. Përkundrazi, ne konsiderojmë që kjo situatë vetëm se ka theksuar relacionet ekzistuese të formësuara përgjatë viteve të karakterizuara me sisteme të ndryshme të pabarazisë, duke bërë që grupe të caktuara të dëmtohen më shumë.

Puna e Artistëve të Pavarur në Kosovë mund të cilësohet si punë e padukshme duke qenë se procesi i punës në shumicën e rasteve nuk formalizohet dhe shpeshherë rezulton si punë e papaguar.

Mënyrat e vetme përmes së cilës puna e artistëve kompenzohet janë përmes kontratave mbi vepër, komisionimeve të veprave, ekspozitave, koncerteve apo ngjarjeve të ndryshme si dhe projekteve të përkohshme.

Përveç kësaj, burim tjetër i të ardhurave për artistët mbetet shitja e veprave të artit ku në fakt ndodhë i vetmi relacion formal në mes të shtetit dhe individëve përmes regjistrimit si biznes individual, ndonëse ky treg në Kosovë është i parregulluar dhe pothuajse nuk ekziston.

 Në situata të tilla si kjo me COVID-19 edhe këto angazhime anulohen ose shtyhen për një afat të pacaktuar kohor, duke e rënduar gjendjen dhe duke bërë ndërhyrjen emergjente institucionale të domosdoshme.

Në fakt, ekziston një sistem i tërë i prodhimit artistik që qëndron mbrapa punës që mund të duket e vetmuar. Punët apo veprat që të gjithë i konsumojmë, ndër tjera janë rezultat i një procesi hulumtues, të zanatit, prodhimit, mirëmbajtjes, shkrimit, arkivimit, konservimit dhe hapësirës së mjaftueshme për punë. Sigurimi dhe qasja në këto elemente zakonisht është rrethanore. Para pandemisë ky sistem është përkrahur nga materialet vetanake,  improvizimet dhe nga mbështetja që është ofruar përmes marrëdhënieve ndër-personale. Rrjedhimisht, përbën një ambient fragjil dhe të varur nga faktorë të ndryshëm që mundësojnë ose pamundësojnë krijimtarinë artistike të ekzistojë. Për më tepër, është qenësore që të rimendojmë edhe përkufizimin e punës, duke marrë parasysh të gjitha elementet që mundësojnë krijimtarinë në Kosovë, si dhe pasojat e vështirësitë që sjell përkufizimi aktual.

Vlerësojmë gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht të MKRS-së, për të përkrahur skenën e pavarur në këtë kohë të pandemisë së COVID-19.

Megjithatë, për të siguruar një proces gjithëpërfshirës dhe adresim sa më të saktë të nevojave në skenën e pavarur të artit konsiderojmë se grupi punues duhet të ketë së paku dy përfaqësues të skenës të zgjedhur nga Artistët e Pavarur.
 
Pandemia ka ndryshuar tërësisht përditshmërinë tonë dhe një gjendje e tillë do të mund të vazhdojë edhe për shumë kohë.

Ndryshimet e përkohshme apo afatgjate në mënyrën e funksionimit të galerive, muzeve, koncerteve, apo ngjarjeve tjera kulturore do të jenë thelbësore. Në tavolinën e diskutimeve, në mesin e institucioneve duhet të ketë vend edhe për pikëpamjet e Artistëve të Pavarur.
 
Për këtë arsye, kërkojmë bashkëpunim në mes të MKRS-së dhe Artistëve të Pavarur si dhe subvencionim adekuat që është qenësor për skenën e pavarur të kulturës, në ballafaqimin me këtë kohë sfiduese si dhe për përpilimin e politikave dhe fuqizuese në të ardhmen. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Qershor 2020

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ku raporton Drejtorit te AKI-së Kreshnik Gashi lidhur me gjendjen e sigurisë gjate periudhës se pandemisë dhe situatën aktuale. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00) 

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e qeverisë, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë për votimin  për votimin e Qeverisë. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të vendos vazo dekorative gjelberuese në sheshin Bill Klinton. (Shshi Bill Klinton, ora 11:00)
  
- Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruan kontratën për Bursën Olimpike Tokyo 2020 me mundësin, Egzon Shala. (Zyret e KOK-ut në Shtëpinë e Sportit, 13:00)