02 Qershor 2020

Sot inaugurohet fabrika e trajtimit të ujërave të zeza

Prishtinë, 17 korrik - Sot do te inaugurohet fabrika e dytë e trajtimit të ujërave të zeza, në vlerë me më shumë se 700.000 euro, e ndërtuar në territorin e Republikës së Kosovës e cila do t'i dorëzohet përfituesve - Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, gjatë ceremonisë zyrtare.

Ceremonia do të fillojë në vendin e fabrikës së sapo ndërtuar të trajtimit të ujërave të zeza, në bregun lindor të Liqenit të Badocit, pranë fshatit Mramor dhe do të marrin pjesë Ambasadori i Republikës Çeke Ivo Silhavy si dhe Drejtori i Agjencisë së Zhvillimit Çek Pavel Frelich, përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të tjera relevante.

Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, do të jetë pjesë e kësaj ngjarje, duke marrë parasysh rëndësinë e Liqenit të Badocit për qytetin e Prishtinës, si burim i rëndësishëm i ujit të pijshëm. Albena Reshitaj, Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Valdrin Lluka Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Ivan Todosievic Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Srdjan Popoviq Kryetari i Graçanicës, do të jenë pjesë e po kësaj ngjarje mjaft të rëndësishme.

Pjesë e ceremonisë do të jetë edhe demonstrimi dhe shpjegimi i proceseve të trajtimit të ujërave të zeza.

Ky projekt është financuar nga Republika Çeke në kuadër të Programit Çek të Bashkëpunimit dhe Zhvillimitm, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe është bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës dhe KRU Prishtina. Ky projekt paraqet një moment të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit  të mjedisit në Kosovë.

Projekti është implementuar nga shoqata e kompanive profesionale nga Republika Çeke - Ircon sh.pk si udhëheqëse e konsorciumit dhe TopolWater. Partneri lokal në Kosovë ishte kompania Projekti Plus L.L.C.

"Ne jemi shumë të kënaqur që jemi një ndër kompanitë e para çeke që ndihmojnë Republikën e Kosovës për të zgjidhur problemin me ngarkesat ekologjike të ujërave të zeza të patrajtuara. Ky impiant i ri i trajtimit të ujërave të zeza do të pajiset me teknologjitë e fundit efikase në fushën e trajtimit të ujërave të zeza" tha Z. Jan Topol, drejtor i kompanisë TopolWater.

Kompania zbatuese, përveç ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza, realizoi trajnime për operim dhe mirëmbajtje dhe organizuan fushatë ndërgjegjësimi për banorët, me fokus të veçantë  te  fëmijët.

Ceremonia do të përfundojë me një gotë verë dhe pritje të vogël në restorantin e afërt  "Villa Valboni" në Badoc.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Qershor 2020 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën do të shqyrtohet kërkesa e 61 deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-301, ora 10:00 - mbledhja do të mbahet pa prezencën e mediave)

- Lëvizja Vetëvendosje nisë mbledhjen e nënshkrimeve për peticion “Duam Zgjedhje” (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 10:00)

- Mbahet seanca e tretë e Kuvendit të Komunës së Gjilanit. (Holli i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, ora 10:00) 

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Dardania. (Lagja Dardania, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, shqyrton Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, C203, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ku pas mbledhjes, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 16:30)