21 Maj 2019

Rifillon prodhimi ne fabriken e NewCo Ferronikelit

Prishtinë, 20 gusht - NewCo Ferronikeli, një ndër kompanitë më të mëdha eksportuese të Kosovës ka rinisur me sukses prodhimin. E gjithë teknologjia që kompania zotëron është në gjendje funksionale dhe prodhimi u realizua me sukses pas disa javë përgatitjesh.

Sikurse dihet, "NewCo Ferronikeli Complex LLC", një nga operatorët më të mëdhenj në fushën minerare dhe metalurgjike në Ballkan së fundi është blerë nga Grupi Balfin.

Përveç likuidimit të pagave të papaguara për mbi 800 punëtorët e fabrikës, NewCo Ferronikeli ka edhe 200 bashkëpunëtorë përmes kontraktorëve të saj të cilëve iu siguron të ardhura të rregullta, gjë që e rrit në mbi 1,000 persona numrin të bashkëpunëtorëve të kompanisë.

Pas investimit të fondeve të mjaftueshme nga ana e Grupit Balfin, prodhimi në fabrikë rifilloi me sukses, dhe kompania ka planifikuar që të ndërmarrë hapa strategjik dhe afatgjatë, për të siguruar zhvillimin dhe stabilitetin e mëtejshëm të kompanisë. Në këtë mënyrë, garantohet një rrugë e sigurt për ta kthyer NewCo Ferronikelin si prodhues strategjik në Kosovë dhe si lider në industrinë e ferronikelit në nivel global.

Qindra kontraktorë të kompanisë janë në procesin e likuidimit të detyrimeve të papaguara financiare, të nënshkrimit të marrëveshjeve, dhe tashmë janë bërë pagesat e para, ndërkohë që kreditorët e fundit të mbetur janë në procesin e negocimit të kërkesave të tyre.

Pas rinisjes së prodhimit, synimi është të rritet kapaciteti prodhues, të zgjerohet tregu dhe të rriten eksportet, gjë që do të ndikojë pozitivisht në ekonominë e rajonit të Drenasit dhe në ekonominë e Kosovës në përgjithësi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 maj 2019 - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 9:00)

- Komiteti për Politik dhe Financa i Komunës së Rahovecit mban mbledhjen e pestë të rregullt në të cilen shqyrton Qarkoren e parë buxhetore të Ministrisë së Financave. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, ora 10:00)

- Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reqica dhe Avokati i Popullit raportojnë para komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me çështjen e statusit të personave të plagosur në Kosovë, para periudhës së luftës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Forumi Ekonomik Mbarëkombëtar, në mbështetje të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë organizon konferencën “Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë- Shqipëri”, konferencë kjo e cila do të adresojë problemet dhe barrierat tregtare që prodhuesit e dy të dy vendeve janë duke i hasur. (Hotel Tirana International në Tiranë, ora 10:30)

- “Let’s Do It” organizon aksion për pastrimin e deponisë më të madhe në Rajonin e Pejës, në fshatin Dydesh. (Fshati Dydesh, ora 10:30)

-  Projekti “Mbështetja e Komunikimit të Procesit të Integrimit Evropian”, I financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian, organizon panel diskutimime temën: Prodhimi vendor dhe tregu i BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit Komunal të Kamenicës, ora 10:30)

- Mbahet seancë e veçantë e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të përkujtohet 20 vjetori i Masakrës në Burgun e Dubravës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi do të pres në takim kryetarët e komunave: Prizren, Podujevë, Shtërpc, Obiliq dhe Novobërdë, me të cilët do të nënshkruajë Memorandume të Bashkëpunimit për realizimin e disa projekteve mjedisore të cilat financohen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. (Kabineti i Ministrit Matoshi, ish objekti Rilindja, kati 17, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova pret në takim zëvendës ambasadorin bullgar në Kosovë ku do të bëje nënshkrimin e një marrëveshjeje për financimin e një projekti në qerdhën “Gëzimi Ynë” në Istog. (Zyra e krytarit Rugova, ora 11:30)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të votohet vendimi i Qeverisë me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike "Telekomi i Kosovës". (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 12:00)

- Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan organizon promovimin e katër librave të profesorëve  të Fakultetit të Edukimit ne UKZ: “Poetika e këngës epike historike”  autore Nevrije Bislimi-Ismaili, “As engjëlli, as djall” autor  Merxhan Avdyli, “Kurrikula dhe të menduarit kritik” autor Mensur Neziri dhe libri “Kërkime në leksikun e Pjetër Bogdanit” i autorit Faton Krasniqi. (Salla A34 në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në të cilën do të shqyrtohet raportit vjetor i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vitin 2018, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të bëjë përurimin e parkut dhe këndit të lojërave për fëmijë. (Prapa Shtëpisë së Bardhë në Prizren, ora 13:00) 

- Mbahet mbledhja e komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor në të cilën do të shqyrtohet Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj merrë pjesë në përurimin e urës së fshatit Topanicë, komuna e Kamenicës. (Fshati Topanicë, rruga Crep - Kamenicë, kilometri i parë, ora 15:00)

- Mbahet Akademi përkujtimore në nderim të 20 vjetorit të rënies së dëshmorëve Kemal Thaqi e Ekrem Gudaqi dhe martirëve të rënë më 21 maj të vitit 1999, Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Baki Bela, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi. (Shtëpia e Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik 16:00)