28 Mars 2024

Qeveria miraton Statutin e Shoqërisë Aksionare Trepça

Prishtinë, 29 maj - Sipas Ligjit për Trepçën, si dhe Ligjit për Shoqëritë Tregtare, Qeveria e Kosovës ka aprovuar propozimin nga Bordi Mbikëqyrës për Statutin e Shoqërisë Aksionare 'Trepça” SH.A. Statuti përcakton themeluesit, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin, si dhe çështjet tjera organizative specifike të Trepça.

Statusi përcakton Qeverinë e Republikës së Kosovës pronare të 80% të aksioneve, kurse pronarë të 20 % të aksioneve do të janë punëtorët, sipas Ligjit për Trepçën.

Trepça themelohet me transformimin e njësive biznesore:

1. Minierat me Flotacion Trepça - Stan Tërg

2. Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë 

3. Minierat me Flotacion Kopaonik - Leposaviq.

Bazuar në studimin e qëndrueshmërisë dhe arsyetimin ekonomik e financiar, në përbërje të ,,TREPÇA” SH.A do të formohen edhe këto njësi biznesore:

1. Metalurgjia e Plumbit;

2. Metalurgjia e Zinkut;

3. Industria Kimike.

Miratimin e statutit të “TREPÇA” Sh.A. kryeministri e ka vlerësuar ngjarje të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Pas miratimit nga Qeveria, Statuti i shoqërisë aksionare ,,TREPÇA” SH.A, dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe aprovim.

Në mbledhjen e sotme është miratuar Urdhër për të gjithë stafin qeveritar dhe shërbimin civil për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për udhëtimet zyrtare.

Ky udhëzim rregullon mënyrën e realizimit të udhëtimeve zyrtare dhe pagesën e mëditjeve për këto udhëtime, duke siguruar përdorim ekonomik dhe efikas të mjeteve financiare të Qeverisë së Kosovës.

Udhëtime Zyrtare janë të gjitha lëvizjet në destinacion dhe qëllim në shërbim të kryerjes së detyrave në interes të Qeverisë apo shërbimit civil të Kosovës.

Ministrat janë të obliguar sipas Urdhrit të aprovuar, që paraprakisht të informojnë kryeministrin për secilin udhëtim zyrtarë dhe pas udhëtimit të raportojnë për udhëtimin, qëllimin dhe pjesëmarrësit në udhëtim.

Ministrat obligohen që çdo tre muaj të raportojnë për udhëtimet e stafit të ministrive të tyre dhe në të ardhmen do të ketë një pikë të rregullt të rendit të ditës në mbledhjet e Qeverisë në të cilën ministrat do të raportojnë për udhëtimet zyrtare të zhvilluara nga ministria e tyre.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Konkurrenca e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Me miratimin e këtij projektligji dhe me aprovimin  e tij në Kuvendin e Kosovës do të hapet rruga që Kosova dhe bizneset në Kosovë të përfitojnë nga ky program zhvillimor i Bashkimit Evropian.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka emëruar Mendim Rugovën, Koordinator për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit dhe Rexhep Hotin, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Republikën e Kosovës.

Pas shqyrtimit të kërkesës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për mbështetje të rehabilitimit të 1500 pjesëtarëve të kësaj organizate, Qeveria ka aprovuar vendimin për mbështetjen financiare të programeve rehabilituese për veteranët e luftës së UÇK-së.

Në mbledhjen e sotme, pjesërisht është anuluar, ndryshuar dhe plotësuar vendimi përfundimtar për shpronësimet e pronave për interes publik të pronave që preken nga ndërtimi i rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë.

Vendimin preliminar për shpronësimet për interes publik, e ka miratuar Qeveria për pronat të cilat preken nga shndërrimi në “Shtëpi Muze” i shtëpisë së Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe të Komunës së Rahovecit.

Me qëllim të realizimit të projektit për ndërtimin e fushës së sportit “Stadiumi Sintetik” në Zabelin e Ultë të Komunës së Drenasit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë për shpronësimin për interes publik të pronave të ish-Radio Televizionit të Prishtinës në këtë zonë kadastrale.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës, janë ndarë mjete për mbulimin e shpenzimeve për shërim dhe trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Republikën e Kosovës, në pronat e Agjencisë Pyjore të Kosovës në Harilaq të komunës së Fushë Kosovës. Objekti për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme do të mundësojë menaxhimin e mbeturinave në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt nga aspekti i mbrojtjes së shëndetit të njeriut dhe mjedisit.

Edhe Plani Kombëtar për Zvogëlimin e Emisioneve 2018-2027, ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar. Ky plan ka për synim të zhvillojë dhe zbatojë instrumente të caktuara për të ngritë cilësinë e jetës përmes sigurimit të cilësisë së ajrit.

Plani siguron kornizën  për zvogëlim të emetimeve në ajër nga Korporata Energjetike e Kosovës, që do të reflektojë me zvogëlimin e ndotjes së ajrit në pajtim me standardet e përcaktuara të Bashkimit Evropian dhe obligimeve që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Kërkesa e ministrit të Shëndetësisë për pagesën e specializantëve me vetëfinancim ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Arsyeja e vendimit është situata aktuale në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ku sipas analizave, numri i kuadrove profesioniste shëndetësorë është në nivel të ulët në krahasim me vendet e rajonit dhe vendet e Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik.

Kryeministri ka informuar për vizitën e tij në Prizren dhe shqetësimet e ngritura gjatë kësaj vizite nga autoritetet komunale. Ai ka kërkuar nga dikasteret qeveritarë që të adresojnë këto shqetësime. Kryeministri ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe me iniciativën e tij për të takuar drejtorët e Policisë së Kosovës me qëllim që të diskutohet situata e sigurisë dhe lufta kundër krimit në vendin tonë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)