19 Prill 2024

Qeveria e përkushtuar për rimëkëmbjen e Trepçës

Prishtinë, 28 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësuesit e menaxhmentit, të sindikatës dhe një numër të minatorëve të Trepçës, me rastin e shënimit të Javës së Minatorëve, që shënohet për nder të 28 vjetorit të grevës së Minatorëve të Trepçës.

Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, u bisedua për problemet që janë me prioritet për Trepçën.

Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi përpjekjet, punën dhe kontributin e minatorëve në rimëkëmbjen e Trepçës, jo vetëm tani por në të gjitha proceset e shtetndërtimit.

“Kontributi i minatorëve të Trepçës ka qenë i rëndësisë esenciale në të gjitha proceset e ndërtimit të Kosovës, edhe në proceset e pavarësisë dhe të lirisë së Kosovës dhe janë çështje, të cilat i vlerësojnë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por i vlerësojnë të gjithë edhe më gjerë sesa në Kosovë”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi përpjekjet maksimale të Qeverisë për rikthimin e Trepçës në një dimension krejtësisht të ri.

“Është vështirë që të kopjohet gjendja që ka qenë përpara. Tash duhet të bëjmë diçka të re, sepse kemi të bëjmë me tregje të reja, me teknologji të re, me dije të reja dhe me ju bashkërisht ato t’i bëjmë”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se është aprovuar Ligji dhe ka kaluar edhe sfidën e Gjykatës Kushtetuese dhe po punohet për përcaktimin e kritereve për zgjedhjen e bordit, shpalljen e konkursit, në mënyrë që të jenë njerëzit më të mirë që e njohin punën, që e njohin atë fushë dhe mund të kontribuojnë që Trepça të zhvillohet si duhet.

“Është gati studimi i fizibilitetit dhe është zhvilluar një debat para disa ditëve. Edhe aty po presim një përgjigje se çka po thotë ky studim, çka duhet të bëhet më tutje për fazat e tjera të Trepçës, në fazën e përpunimit, finalizimit të produkteve, të shkritores, të metalurgjisë së zinkut, të industrisë kimike dhe në qoftë se duhet të bëjmë diçka tjetër, duhet që studimet të na tregojnë se cila është mënyra më e mirë e financimit të investimeve në të ardhmen. Por, ne do të mbesim të përkushtuar që të kemi investime atje dhe të finalizojmë produktet e Trepçës, mirëpo krejt me një koncept të ri”, theksoi kryeministri.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa tha se për të gjitha këto nevojitet bashkëpunim i të gjithëve, në mënyrë që të gjendet rruga më e mirë.

“Është mirë që situata në vitin e kaluar ka qenë më e mirë sesa një vit përpara. Shpresoj se tash në vitin 2017 do të jetë edhe më e mirë, mirëpo ajo që na duhet të kemi parasysh është që gjithmonë duhet të kemi pak durim, duhet t’i peshojmë gjërat mirë, ato që i dërgojmë përpara t’i matim, në mënyrë që mos të kthehemi dy herë të bëjmë të njëjtën punë dhe në këtë aspekt unë ju siguroj se, edhe unë si kryeministër, edhe zëvendëskryeministri Kuçi dhe ministri Stavileci, dhe të gjithë të tjerët do t’ju përkrahim maksimalisht dhe do të bashkëpunojmë me ju”, tha kryeministri Mustafa.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se jo vetëm greva e minatorëve, por edhe puna e bërë me djersë, është shembull i mirë si mbrohet dhe si duhet vendi.

Duke folur për ndryshimet ligjore me Trepçën, zëvendëskryeministri Kuçi tha se ato kanë për qëllim që gjiganti ekonomik të kthehet në një ndërmarrje e cila është e gatshme të ballafaqohet me ekonominë e lirë të tregut.

“Natyrisht që Ligji ka qenë i konsultuar në plotëni, dhe mendoj që edhe udhëheqja që e ka bërë kryeministri, por edhe miratimi nga Kuvendi i Kosovës, ka krijuar një bazë të mirë për punë të re, për aktivitete të reja dhe për një riorganizim të plotësishëm të Trepçës. Në këtë drejtim, në radhë të parë është vullneti i Qeverisë që të jeni pjesëmarrës aktiv, por në anën tjetër, jeni edhe sipas Ligjit, pjesëmarrës në proceset e mëtejme që do të zhvillohen në Trepçë. Ne do të kemi gatishmërinë e plotë që ta ndihmojmë Trepçën, dhe pastaj Trepça ta ndihmoj edhe Buxhetin e Kosovës, ta ndihmoj ekonominë e Kosovës në tërësi. Ne ju përgëzojmë për “Javën e Minatorëve”, ju dhe të gjithë minatorët, ata që tani në pension, por edhe familjet e atyre që janë të ndjerë dhe presim që bashkërisht të punojmë në vitet që po vijnë, për ta ringjallur edhe më shumë Trepçën dhe për ta kujtuar Trepçën për kontributin e saj, por mbi të gjitha, për zhvillimin ekonomik që do ta kemi bashkërisht” , tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, theksoi përkushtimin që viti 2017 të jetë vit i zgjidhjes së problemit ekonomik dhe social të kombinatit Trepça.

“Viti 2015 ka qenë vit i shpëtimit nga likuidimi i Trepçës. Viti i kaluar ka qenë vit i zgjidhjes ligjore dhe ky vit do të jetë vit i zgjidhjeve ekonomike dhe sociale. Të gjitha këto lidhen me zbatimin e ligjit, por edhe me derën e cila është hapur, në mënyrë që ne të kemi mundësi edhe për pjesën e investimeve kapitale. Mbetet që këtë vit, pasi të përfundojë fizibiliteti, të përgatitet Strategjia dhe në funksion të zbatimit të Ligjit, ne ta bëjmë bordin, statutin dhe ta regjistrojmë ndërmarrjen”, tha ministri.

Në këtë takim, ministri Stavileci njoftoi minatorët edhe për dy projekte konkrete, konferencën më të madhe për sektorin e minierave që në fokus do ta ketë Trepçën dhe projektin tjetër me shtetin gjerman i cili krijon mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës.

Drejtori Menaxhues i Ndërmarrjes Trepça, Ahmet Tmava, tha se përkundër problemeve të shumta, këtë vit “Java e Minatorëve” është shënuar me një gjendje më të relaksuar, duke shtuar se ethet se Trepça do të hyj në procedurë të likuidimit i takojnë të kaluarës.

“Është emergjente që Ligji të zyrtarizohet në aspektin e obligimeve që dalin. Në këtë periudhë të tranzicionit kemi bashkëpunim të plotë me MZHE-në”, tha drejtori Tmava, duke theksuar se janë të gatshëm që t’i marrin të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat që u takojnë.

Drejtues të sindikatës paraqitën kërkesat e tyre për formimin e Bordit të Trepçës, për Ligjin për Pensione, njohjen e përvojës së punës së minatorëve gjatë viteve të 90-ta, por edhe për nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit mes MZHE-së, menaxhmentit dhe sindikatës për adresimin e çështjeve që lidhen me minatorët e vdekur në vendin e punës dhe çështje të tjera.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)