19 Prill 2024

Qeveria e Kosovës aprovoi Projektligjin për Trepçën

Prishtinë, 5 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e 111, të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ku ndër të tjera miratoi Projektligjin për Trepçën.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka prezantuar këtë Projektligj që ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për vitalizmin e “Trepçës”, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik.

Dispozitat e këtij projektligji përcaktojnë transformimin e disa njësive biznesore të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça” në Shoqëri Aksionare me ç‘rast Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë pronar i 80 për qind të këtyre aksioneve, ndërsa punëtorët pronarë të 20 për qind të aksioneve. Më detajisht dhe më saktësisht nenet tjera të kapitullit që bënë fjalë për aksionarët i rregullojnë këto çështje.

Po ashtu, ky projektligj trajton nëpërmjet kapitujve të tij, edhe këto çështje specifike: resurset minerale, bartjen e pasurive të të drejtave dhe burimeve njerëzore, statusin, regjistrimi dhe qeverisja e Shoqërisë Aksionare, mundësia e formimit edhe të njësive tjera biznesore, mundësia e pjesëmarrjes së sektorit privat, çështje sociale dhe raportin me komunitetin, pretendimet e kreditorëve si dhe dispozitat kalimtare dhe përfundimtare.

Ministri Blerand Stavileci, po ashtu, tha se ky proces nuk përfundon me kaq dhe se qysh në fillim secili prej institucioneve ka marrë detyrat e tyre: komisioni parlamentar trajtimin e disa rasteve studimore; Agjencia Kosovare e Privatizimit përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit; dhe që pastaj hap rrugë për Strategjinë Zhvillimore të “Trepçës”.

“Edhe në ligj e kemi precizuar që gjashtë muaj më së voni nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Qeveria së bashku me Bordin Mbikëqyrës të Ndërmarrjes, do t’ia prezantojnë Kuvendit për aprovim Strategjinë Zhvillimore të saj. Duke e ditur që kjo ndërmarrje nuk është një ndërmarrje e thjeshtë dhe karakteri i punëve që janë aty ka një karakter shumë komercial, atëherë kemi dashur që shumë më shumë t’i japim trajtën e një Shoqërie Aksionare e cila i hap në të ardhmen rrugë investimeve, po ashtu edhe tek pjesa ku flet për punëtorët, një lloj kontributi i cili lidhet edhe me performancën e tyre në bazë të njësive biznesore ku ata janë të punësuar.\"

\"Pra, kemi një ndërmarrje e cila në trajtën e një Shoqërie Aksionare, e cila i ka të definuara shumë mirë me parimet e qeverisjes korporative, dhe të cilat janë të përfshira edhe këtu. Jemi munduar pra që në kuadër të kapitullit të qeverisjes sa më mirë t’i specifikojmë funksionet e dy strukturave kryesore organizative të nivelit më të lartë në hierarkinë e kësaj Shoqërie, Bordit Mbikëqyrës dhe Bordit Menaxhues, dhe natyrisht që në shumë çështje tjera mbetet të precizohen nëpërmjet Statutit të saj.\"

\"Po ashtu një kapitull shumë i rëndësishëm është ai i mundësisë së pjesëmarrjes së sektorit privat, që qysh tani ky aset i rëndësishëm të nis rrugën e saj të revitalizimit dhe të jetë i hapur për investime të ndryshme. Ne e dimë që sektori minerar në përgjithësi dhe fushat e veçanta të cilat i trajton në këtë rast edhe mineralet dhe xehet “Trepça”, sot për sot në botën bashkëkohore, i kemi disa modele të investimeve të cilat janë të preferuara.\"

\"Ne edhe këto i kemi paraqitur, pra katër forma të mundshme të tyre: partneriteti publiko-privat; investimet private direkte; investimet e përbashkëta; po ashtu meqenëse kemi të bëjmë me një lloj shoqërie të tillë, edhe mundësia e shitjes dhe emetimit të aksioneve. Tjetër risi është edhe kapitulli për çështje sociale dhe komunitetin. Pra, kemi bërë edhe këtu në kuadër të principeve që kanë sot korporatat gjithandej, ta fusim konceptin e ri të përgjegjësisë sociale. Po ashtu edhe një përqindje e caktuar, e kemi si propozim, e rentës minerare, të jetë e dedikuar për komunitetin, në mënyrë që të mundësoj investime në fushën e infrastrukturës, mbrojtjes së mjedisit, shëndetësisë, arsimit dhe sportit”, tha ministri Stavileci.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashti foli për Projektligjin për Trepçën.

“Ndoshta mund të jetë një mos të them problem, por pasqyrë e veçantë kjo që është përshtypja që në mënyrë të ngutshme ne po e vëmë këtë në rend dite edhe në Qeveri edhe në Kuvend. Kam parasysh edhe vërejtjet për këtë që dhanë disa anëtarë të Qeverisë, mirëpo po ashtu kam parasysh edhe një periudhë shumë të gjatë kohore, në të cilën ne kemi punuar për gjetjen e mundësive më të mira për statusin e ardhshëm të “Trepçës”.\"

\"Ne e kemi themeluar me kohë një komision këtu në Qeveri, që ka pasur për detyrë të hartojë Ligjin për “Trepçën” dhe të përcaktojë statusin e saj, një komision i cili është përbërë prej ekspertëve që ne kemi menduar se janë më të mirët në këtë fushë, përfshirë edhe komunitetin serb. Kemi pasur prezantimin e pesë studimeve të rastit, që janë financuar nga Qeveria, por janë bashkërenditur nga Komisioni për Ekonomi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, që kanë trajtuar rastet e ngjashme ose të njëjta me vendet qoftë në tranzicion ose me vendet e tjera, të cilat pastaj na kanë shërbyer që ne të marrim disa elemente shumë të rëndësishme nga ato dhe t’i inkorporojmë në këtë ligj. Agjencioni për Privatizim ka kontraktuar Studimin e Fizibilitetit, për të cilin ne jemi zotuar me këtë ligj, se rezultatet e atij studimi, do t’i aplikojmë qoftë në themelimin e njësive të pavarura të ardhshme, qoftë edhe në atraktimin e kapitalit privat në “Trepçë”.

\"Natyrisht se unë si Kryeministër nuk mund të konstatoj se ne me këtë kemi gjet zgjidhjen optimale edhe një zgjidhje të pëlqyeshme dhe të pranueshme për të gjithë, por jam shumë i bindur se është një zgjidhje shumë e mirë për “Trepçën”, se ky ligj për “Trepçën” është me rendësi të veçantë, duke pasur parasysh se “Trepça” paraqet një sinonim të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por paraqet po ashtu një sinonim të sakrificës dhe flijimit për Kosovën, që nuk duhet ta lëmë anash.\"

\"Por, ne me këtë ligj, si Qeveri, nuk pretendojmë në asnjë rast që ta kthejmë “Trepçën” në të kaluarën, por pretendojmë dhe kemi për qëllim që të pasqyrojmë të ardhmen dhe të hapim të ardhmen e “Trepçës”. Kjo e ardhme mendoj se është mjaft mirë e prezantuar në ligj, sepse janë konsultuar përvojat më të mira dhe rastet më të mira, të cilat na ndihmojnë që ky ligj të mbështes zhvillimin ekonomik, të respektoj kriteret e ekonomisë së tregut dhe të mbrohen interesat e punonjësve, përkatësisht minatorëve të “Trepçës”, përkatësisht të atyre që sot punojnë dhe të atyre që do të punojnë edhe në të ardhmen, sepse ligji i ofron mundësi të hapjes.\"

\"Me ligj është thënë qartë se prona e “Trepçës” është pronë e Republikës së Kosovës dhe se kjo nuk mund të negociohet, se resurset minerare janë pronë e Kosovës, por po ashtu kemi hap një kapitull të ri në të cilin kemi paraparë që asetet mbitokësore të “Trepçës” janë aset mbi të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë aksione 80 për qind dhe 20 për qind do të jenë të punëtorëve të “Trepçës”, dhe po ashtu edhe 20 për qind nga taksat minerare do t’i ndajmë për komunat, përkatësisht për komunitetin në të cilat veprojnë njësitë organizative të “Trepçës”, në mënyrë që të ndihmojmë atje ndërtimin e infrastrukturës, ndërtimin e objekteve të arsimit, kulturës, shëndetësisë, dhe të kompensojmë të gjitha dëmet që ju krijohen vendbanimeve atje dhe ambientit në atë pjesë.

Unë mendoj se organizimi i tillë e nxit frymën konkurruese, sepse kemi pjesëmarrje në aksione edhe të punëtorëve të cilët do t’i mbajnë fitimet e tyre në njësitë organizative ku ata i realizojnë këto fitime dhe nuk do të ketë derdhje të të ardhurave prej një njësie në njësinë tjetër, ndërkaq “Trepça” do të jetë organizatë unike me bilanc të konsoliduar, pra njësitë biznesore do ta kenë pavarësinë e tyre në të ardhura, në shpenzime, në identifikimin e rezultatit dhe në ndarjen e devidentit sipas rezultatit që arrihet.\"

\"E tha edhe ministri gjatë prezantimit që në bazë të Studimit të Fizibilitetit, lihen mundësi të hapura për themelimin e organizatave të reja, të themi te metalurgjia e plumbit, zinkut, industria kimike, por edhe të atyre tjerave që merren me përpunimin dhe me finalizimin e produkteve, edhe për partneritet privat, qoftë përmes investimeve direkte, investimeve të përbashkëta, shitjes së aksioneve.

\"Unë nuk shoh asnjë arsye që ne në këtë fazë të mos e përkrahim këtë zgjidhje. Unë pajtohem që edhe gjatë procedurave të Kuvendit të mundohemi që, përmes propozimit të amendamenteve, të gjejmë zgjidhje që do të jenë të pranueshme për shumicën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Por, mund t’ju siguroj se ligji nuk është hartuar për të mbrojtur interesa politike, sepse ne përmes “Trepçës” tani nuk do të zhvillojmë aktivitete të tilla, por është hartuar që “Trepçën” ta konstituojmë në të ardhmen si organizatë e cila do të punojë mbi bazat e ekonomisë së tregut, do të realizojë objektivat ekonomike, do t’ju ndihmojë të punësuarve atje, do të rregullojë çështjet e ambientit dhe do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit, nga e cila përfitojnë të gjithë njerëzit dhe të gjitha komunitetet, dhe ky është qëllimi ynë themelor që pretendojmë ta realizojmë edhe përmes këtij ligji.\"

\"Prandaj, ju ftoj që ta përkrahim, ta votojmë dhe ta procedojmë në Kuvend, dhe po ashtu të jemi aktiv edhe në Kuvend dhe të përkrahim të gjitha iniciativat e deputetëve dhe grupeve parlamentare në Kuvend të cilat mund të përmirësojnë edhe më tutje këtë ligj”, tha kryeministri.

Qeveria e Kosovës miratoi vendimin Preliminar për shpronësim të pronave të cilat preken nga ndërtimi i Rrethrrotullimit që lidhë rrugën Nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë me Rrugën Lokale Vushtrri-Gojbulë, Zona Kadastrale Vushtrri, Komuna e Vushtrrisë.

Raporti vjetor për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë mori miratimin e Qeverisë. Qëllimi i këtij raporti, në radhë të parë është informimi për gjendjen e mjedisit në Kosovë mirëpo, të dhënat e tij janë një bazë e mirë edhe për ndërtimin e politikave adekuate mjedisore dhe për orientimin e zhvillimeve, planifikimeve dhe investimeve strategjike në sektorët të cilët kanë ndikim në mjedis siç janë: ekonomia, industria, energjetika, transporti, bujqësia, etj.

Kabineti Qeveritar mori vendim për themelimin e Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Me këtë do të krijohet një trup i ekspertëve nga kjo fushë i cili përcjellë në vazhdimësi gjendjen e sigurisë në punë i cili do të propozojë, rekomandojë dhe sugjerojë hartimin e politikave me qëllim të nxitjes dhe përmirësimit të masave për ngritjen e nivelit dhe sigurisë në punë.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, aprovoi vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për skemën e pensioneve të veteranëve. Kjo shumë e mjeteve nevojitet për mbulimin e pensioneve për muajin shtator 2016.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se në buxhetin e aprovuar për vitin 2016 për pagesat e pensioneve të veteranëve kanë qenë të ndara 25 milionë euro, kurse me procesin e rishikimit të buxhetit në këtë skemë janë ndarë edhe 7 milionë shtesë, që në total buxheti për ketë skemë ka arritur 32 milionë euro.

“Në periudhën janar-gusht, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka paguar për pensione të veteranëve mjete në shumë prej 28 milionë e 932 mijë e 253. 49 euro, ndërkohë që kësti i pagesës së pensioneve për muajin shtator është 4 milionë e 749 mijë e 377.50 euro. Sipas këtyre shifrave del se për të kryer pagesën e pensioneve për muajin shtator për 28 mijë e 268 veteranë nevojiten mjete shtesë në shumë prej 1 milion e 685 mijë euro.\"

\"Me qëllim të ekzekutimit të pagesave të pensioneve për veteranë për muajin shtator, kërkojmë që të aprovohet vendimi për ndarjen e mjeteve në shumë prej 1 milion e 685 mijë euro nga rezerva shtetërore dhe të alokohen në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kjo ka të bëjë vetëm për ndarjen e mjeteve për muajin shtator, ndërsa për mjetet rreth tre mujorit të fundit të këtij viti do të jemi në kontakt për të gjetur një zgjidhje afatgjatë”, tha ministri Arban Abrashi.

Kryeministri Isa Mustafa tha se Qeveria tani ka bërë përpjekje që nga rezerva buxhetore e cila është shumë e kufizuar të ndajë mbi 1 milion e 600 mijë, në mënyrë që të sigurohet kjo pagesë.

“Unë ju ftoj që ta aprovojmë, por po ashtu kemi marrë zotimin në bisedë me përfaqësuesit e FMN-së që ne të gjejmë një zgjidhje e cila do të jetë e përballueshme për ne, por edhe e pajtueshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar në të ardhmen, në mënyrë që të kapërcejmë këtë problem i cili mund të na qet prej programit që e kemi me FMN-në dhe të rrezikojmë të gjitha projektet tjera të cilat ne i kemi fituar në bazë të këtij programi.\"

\"Ne do të bisedojmë së bashku me zëvendëskryeministrin edhe me përfaqësuesit e veteranëve edhe me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, do të mundohemi që së bashku me ta të gjejmë një zgjidhje. Kemi biseduar edhe me kryetarin e Kuvendit dhe do të koordinohemi me të edhe si kryetar i Kuvendit edhe si kryetar i Partisë Demokratike, sepse jemi partner të koalicionit, në mënyrë që bashkërisht të mundohemi ta gjejmë një zgjidhje e cila na nxjerrë nga kjo situatë.\"

\"Ndërkaq, mbetet më vonë që të shihet se si të racionalizohen listat dhe si të jenë përfituesit, sepse ne jemi deklaruar edhe në Qeveri dhe unë personalisht, që asnjë prej atyre që janë meritor si veteranë nuk do ta dëmtojmë në këtë rast, por duhet të krijojmë kushte që këto mjete t’i marrin ata që i meritojnë dhe veteranët e vërtet të luftës. Ju kisha lutur ta përkrahim këtë vendim dhe pastaj, ndërkohë, ne do të mundohemi të gjejmë zgjidhje”, tha kryeministri.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, njoftoi kabinetin qeveritar për rifillimin e punës në ndërmarrjen “Ferronikel”.

“Ju e dini që disa muaj aty ka pasur probleme dhe është ndërprerë puna. Ne bashkërisht me ju dhe disa ministra të tjerë i kemi ndjekur këto shqetësime dhe në kuadër të vizitave dhe diskutimeve që kemi pasur jemi munduar që maksimalisht të ofrojmë përkrahjen tonë institucionale brenda mundësive dhe kompetencave ligjore për këtë ndërmarrje, në mënyrë që të rinisë puna, që punëtorët që janë aty ta ndjejnë vetën të sigurt për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre.\"

\"Në këtë drejtim, unë shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj të gjitha institucionet, të gjithë aktorët në këtë përkrahje, të cilën e kemi bërë, duke i përfshirë institucionet qeveritare, në këtë rast, KEDS-in, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, të cilat e kanë bërë të pamundurën, në mënyrë që t’i akomodojmë disa prej kërkesave të menaxhmentit të ndërmarrjes “Ferronikel” dhe që ata të pajtohen që të rinisin punën.\"

\"Në veçanti Ministria e Infrastrukturës, Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe dy që i përmenda më lart, në takimet e përbashkëta që i kemi pasur, kanë treguar edhe gatishmëri, por edhe kanë vepruar gjatë gjithë kohës, në mënyrë që t’i akomodojmë zgjidhjet e pajtueshme, zgjidhje ligjore, në mënyrë që kjo përkrahje institucionale të përkthehet në një rinisje të punës të kësaj ndërmarrje të rëndësishme” , tha ministri Stavileci.

Kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast, vlerësoi se është bërë një punë shumë e madhe e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së  Financave, të Infrastrukturës dhe Ministrisë së Mjedisit.

“Ne i kemi përmbushë të gjitha çështjet që janë kërkuar prej nesh, falë interesit tonë që t’iu ndihmojmë punëtorëve atje. Këtu ka qenë qëllimi themelor, që mos të rrezikojmë punën e punëtorëve në “Ferronikel” dhe të mundësojmë që ai të funksionojë. Unë përshëndes këtë lajm tepër të rëndësishëm për fillimin e punës, por edhe përgëzoj të gjitha organet për punën që e kanë bërë në Komunën e Drenasit, sepse edhe kryetari i Komunës, me përkushtimin më të madh, është përpjekur dhe i ka përmbushur zotimet për aq sa ata kanë pasur fushëveprim dhe kompetenca në këtë fushë”, tha kryeministri Mustafa.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)