18 Prill 2024

Qeveria aprovon licencën për Projektin e kompanisë ENVIDITY

Prishtinë, 25 qershor - Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 106-tën me radhë, ku ndër të tjera, u mor vendimi për ndarjen e mjeteve për parandalimin dhe luftimin e sëmundjes gungore të lëkurës së gjedhit.  

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin me të cilin aprovohet kërkesa e Komitetit për Partneritet Publiko-Privat për konfirmimin e interesit publik nga lëshimi i licencës për Projektin e kompanisë ENVIDITY.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se Komiteti për Partneritet Publiko-Privat sipas nenit 18, paragrafi 7 i Ligjit për Miniera dhe Minerale, i ka rekomanduar Qeverisë nxjerrjen e vendimit, me të cilin aprovohet moszbatmi i procedurës konkurruese ndaj një investitori specifik për marrjen e një licence për një mineral nëse projekti për të cilin kërkohet licenca, është i nevojshëm për sigurimin e furnizimit energjetik në Kosovë, ose do të kontribuojë në tërheqjen e investimeve të konsiderueshme në Kosovë.

“Komiteti për PPP bazuar në kriteret për përcaktimin e interesit publik për vlerësimin nëse një projekt do të kontribuojë në tërheqjen e investimeve të konsiderueshme, të drejtpërdrejta në Kosovë dhe vlerësimin nga ana e Departamentit Qendror për PPP në Ministrinë e Financave, ka konstatuar se projekti ndihmon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit, duke ndikuar në përmirësimin e kushteve dhe standardeve të prodhimit të mallrave, ofrimit të shërbimeve dhe në përmirësimin e përgjithshëm të kualitetit të jetës së qytetarëve, në mbrojtjen e ambientit.

Projekti i kompanisë ENVIDITY inkurajon futjen në përdorim të teknologjive të përparuara, të cilat do të ndikojnë në rritjen e konkurrencës dhe efikasitetit të ekonomisë dhe uljen e deficitit tregtar të vendit.

Projekti ka vlerë kapitale për jo më pak se 30 milionë euro, ashtu siç e kërkon ligji dhe ka potencial të krijojë të paktën 80 vende të punës, pasi që fillon faza e shfrytëzimit të mineraleve energjetike. Projekti është në pajtim me standardin mjedisor të përcaktuar me legjislacionin e Kosovës dhe të BE-së.

Projekti nuk është në kundërshtim me detyrimet e Republikës së Kosovës të përcaktuara me konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Propozim-vendimi që po e prezantoj para jush konstatohet se ka interes publik në lëshimin e licencës për projektin ENVIDITY, ka kaluar në të gjitha fazat e parashikuara nga rregullorja e punës së Qeverisë.

Kompania ENVIDITY është kompani kanadeze. Kjo kompani në maj të vitit 2013 ka parashtruar tri aplikacione për licencë hulumtimi në Komisionin për Miniera dhe Minerale. Sipërfaqja, për të cilën ka aplikuar kjo kompani, është e përshkruar në aplikacion dhe lidhur me këtë eksperti i gjeologjisë ka bërë elaborat.

ENVIDITY ka shprehur interesim për gazifikimin nëntokësor të qymyreve të Kosovës dhe prodhimit të gazit sintetik, dizelit dhe kerozinës.

Komiteti për PPP ka kërkuar vlerësimin e këtij projekt-propozimi nga aspekti ligjor, teknik dhe financiar. Kjo kompani ka bërë një prezantim të projektit në janar të vitit 2015. Sa i përket implementimit sipas këtij propozimi, ENVIDITY do të implementojë projektin në dy faza.

Në fazën e parë kompania synon të prodhojë 1200 barel derivate në ditë, kurse në fazën e dytë 20 mijë barel derivate për ditë. Sipas informatave të ofruara nga kompania përfitimi mund të llogaritet si më poshtë:

Investimi në fazën e parë 150 milionë dollarë.

Në fazën e dytë 1.8 deri në 2 miliardë dollarë.

Në fazën e tretë deri në 5 miliardë dollarë.

Po ashtu sipas propozimit të kompanisë gjenerimi i vendeve të punës në fazën e parë do të jetë 100 vende pune, ndërkaq në fazën e dytë 300 vende pune.

Duke u bazuar në këto, Komiteti PPP i rekomandon Qeverisë marrjen e vendimit, me të cilin konstatohet interesi publik nga lëshimi i licencës për projektin ENVIDITY, të dorëzuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik me datë 16.09 2013 dhe të përcjellë në Ministrinë e Financave me datë 13.12.2013. Me rastin e marrjes së vendimit nga Qeveria, atëherë vendimi procedohet për miratim përfundimtar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ministri Hoti.

Gjithashtu, sipas kërkesës së Komitetit për Partneritet Publik-Privat, është aprovuar vendimi për konfirmimin e interesit publik nga lëshimi i licencës për projektin e kompanisë “Sharr Cem” dhe “Titan America”.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, prezantoi Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore në fushën e mjedisit, transportit, energjisë dhe sektorit social.

“Si rezultat i një pune voluminoze të ministrive përgjegjëse, sot para nesh për miratim kemi programin e përbërë prej 55 projekteve në vlerë prej 2.7 miliardë Euro. Çdo projekt i identifikuar është vlerësuar sipas kritereve të dakorduara me Bashkimin Evropian dhe është ranguar sipas rëndësisë strategjike dhe kontributit në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Po ashtu, çdo projekt ka kaluar edhe nëpër fazën e vlerësimit të pjekurisë për investime dhe fillimin e punimeve. Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore do të shërbej si udhërrëfyes për investimet e ardhshme infrastrukturore në Kosovë dhe bazë për orientimin e shpenzimeve tona buxhetore, asistencën e donatorëve dhe negociatave financiare me Bankat zhvillimore”, tha ministri Çollaku.

Qeveria ka miratuar edhe Koncept Dokumentin për Botimin e Teksteve dhe Mjeteve Shkollore, Lekturës Shkollore dhe Dokumentacionit Pedagogjik. Me miratimin e këtij koncept dokumenti, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të fillojë hartimin e Projektligjit për botimin e teksteve dhe mjeteve shkollore, lekturës shkollore dhe të dokumentacionit pedagogjik.

Kryeministri Mustafa e ka quajtur të rëndësishëm këtë vendim.

“Edhe qasja që ka Ministria e Arsimit është shumë konkrete, shumë e dobishme dhe shumë aktuale që të zgjidhet ky problem në afat më të gjatë dhe të racionalizohet edhe sa i përket buxhetit”, tha kryeministri.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)