24 Tetor 2017

Produktet kosovare prezantohen në Panairin ndërkombëtar në Këln

Prishtinë, 9 tetor - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka organizuar pjesëmarrjen e tetë kompanive kosovare në Panairin më të madh ndërkombëtar të industrisë ushqimore “Anuga 2017” në Këln të Gjermanisë.

Kompanitë kosovare: “AMO”, “Ujë Rugove”, “Frutex”, “Abi&Elif 19”, “Kb Krusha”, “MOEA”, “ASK Foods” dhe “EuroFruti”, nga 7 tetori, janë duke i promovuar produktet e tyre si dhe janë duke i zhvilluar kontaktet me kompani pjesëmarrëse me qëllim të bashkëpunimit në të ardhmen.

Panairi “Anuga 2017” vizitohet nga rreth 160,000 vizitorë të cilët njihen për së afërmi me produktet më të fundit dhe më inovative nga 7,400 ekspozues të produkteve ushqimore në botë.

Në këte panair prezantohen prodhimet e ngrira nga frutat dhe perimet, industria përpunuese ushqimore nga pemët dhe perimet, industria përpunuese e qumështit, mishit, prodhime të prodhuara (EKO), etj,.

Përveç Kosovës, disa nga shtetet që prezantojnë në këtë panair janë: Italia, SHBA, Britania e Madhe, Kina, Spanja, Turqia, Franca, Holanda, Greqia, Belgjika etj,.

Në këtë panair Kosova prezantohet për herë të parë me brendin e ri “KOSOVO READY FOR YOU (KOSOVA GATI PËR JU)" dhe sloganin “KOSOVO READY FOR YOU TO TRADE (KOSOVA GATI PËR JU TË TREGTONI)”, shtandi gjendet në hollin 7.1 nr. D-048g.

Panairi mbahet nga data 7 deri më 11 tetor 2017 në Këln të Gjermanisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Tetor 2017 - Zyra e Bankës Botërore në Kosovë organizon tryezën e rrumbullakët ne tëmën “Vendet e punës dhe pengesat për krijim të punësimit në Kosovë”. (Hotel Swiss Diamond, ora 9:00)

- Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha informon Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës lidhur me prioritetet dhe sfidat e kësaj ministrie. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë,  Abelard Tahiri raporton para Komisioni për Integrime Evropiane lidhur me përmbushjen e obligimeve në kuadër të agjendës evropiane. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 10:00)

- Shefi Observer i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, Alojz Peterle mban një konference shtypi në të cilën do të japë një deklaratë mbi gjetjet paraprake të Misionit . (Hotel Swis Diamond, ora 10:30)

- Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj raporton para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi lidhur me programin legjislativ dhe prioritetet e Ministrisë së Inovacionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Zëvendës shefi i misionit të Eulex-it në Kosovë, Bernd Thran mban një ligjeratë ku do të diskutohet është ''Roli i EULEX-it në zbatimin e sundimit të ligjit'. (Objekti i kolegjit, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit i për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të bëhët shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla S-I, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike ku do të bëhët formimi i grupit punues për hartimin e Planit për zhvillimin e diplomacisë parlamentare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa në të cilën do të bëhët shqyrtimi i Raportit financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar-shtator 2017 dhe Programit të Shpenzimeve të RTK-së, për periudhën tetor-dhjetor 2017. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 13:00)

- Mbahet takimi i 140 -të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Objekti i Prokurorisë së Shtetit, ora 14:00)

- Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri raporton para Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në lidhje me Marrëveshjen për Drejtësinë të datës 10 shkurt 2015. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N sallën S-I, ora 14:00)

- UBT mban konferencen për të ardhmen Euro-Atlantike të Kosovës. (Kampusi i UBT-së në Lipjan, ora 17:30)

- Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës mban akademi solemnje në prag të shënimit të 500 vjetorit të Reformacionit Protestant. (Hotel Swis Diamond, ora 18:00)