20 Prill 2024

Prodhimi vendor është prioritet i Qeverisë

Prishtinë, 31 tetor - Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, mori sot pjesë në tryezën e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës më temën “Prodhimet vendore në supermarkete-rregullimi i tregtisë së brendshme”.

Me këtë rast, zëvendëskryeministri Limaj ka premtuar se Qeveria e Kosovës do të jetë partner i prodhuesve vendorë, dhe do të punohet për të hequr të gjitha pengesat së bashku, në mënyrë që të rritet zhvillimi ekonomik.

Lirimi i doganës dhe akcizës për lëndën e parë të importuar dhe për makineritë, janë hapat e ndërmarra nga Qeveria, që sipas zëvendëskryeministrit Limaj, kanë ndikuar drejtpërdrejt në stimulimin e prodhuesve.

“Prioriteti ynë është prodhimi vendor. Para së gjithash, ne kemi obligime para qytetarëve tanë, para shtetit tonë. Qeveria e Republikës së Kosovës i jep përgjegjësi qytetarëve të vet. Obligim të parë e ka mbështetjen e prodhuesve të vet. Ky do të jetë orientimi ynë. Kujdesi ynë i parë është qytetari i Republikës së Kosovës” ka theksuar zëvendëskryeministri Limaj.

Zëvendëskryeministri Limaj ka kërkuar që së bashku me prodhuesit të ndërmerren hapa konkretë për ndryshimin e gjendjes në rregullimin e tregut të brendshëm, në mënyrë që të ketë konkurrencë të barabartë të prodhuesve vendor me kompanitë rajonale.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, konfirmoi edhe njëherë përkrahjen e institucioneve të Kosovës për prodhuesit vendorë në tryezën e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, me temë: “Prodhimet vendore në supermarkete-rregullimi i tregtisë së brendshme”.

Ministri Hasani, theksoi se prioritet i kësaj qeverie është fuqizimi dhe përkrahja e prodhuesit vendor.

“Prioritet kemi fuqizimin e biznesit dhe përkrahjen e prodhuesit vendor. Kemi marr masa aty ku kemi mundësi dhe aty ku është konform mbrojtjes së prodhuesit. Duhet të bëhen hetime për rregullimin e tregut,  por gjithnjë në bazë të fakteve."

"Ne si MTI kemi bërë strategjinë ku parashihen forma për heqjen e barrierave dhe krijimin e lehtësirave për bizneset”, u shpreh Hasani, duke bërë të ditur se do të marrin masa në vazhdimësia konform mbrojtjes së prodhuesit.

Ai më tej ka shtuar se kemi marr masa, kemi filluar dhe besoj se jemi në proces aty ku na lejon ligji, aty ku ka mundësi. “MTI, ka mundësi vetëm nëpërmjet respektimit të marrëveshjes së MSA-së dhe CEFTA-s, nëpërmjet ligjit anti-damping, aty ku shohim se ka çmime dampuara dhe do të veprojmë konform ligjit që ti mbrojmë prodhuesit vendor”, deklaroi ministri Hasani”.

Po ashtu, ministri Hasani bëri të ditur se sot do të bëhet publik Raportit i ri i Bankës Botërore për “Të Bërit Biznes 2018” ku Kosova do të ketë avancim të mirë në renditjen e ranglistës botërore.

Astrit Panxha, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, ka bërë të ditur se sipas një hulumtimi që ka bërë Instituti “Riinvest”,  90 për qind e produkteve në supermarkete janë nga importi.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)