25 Prill 2024

Përurohet fabrika e brumërave “Orex” në Ferizaj

Prishtinë, 10 tetor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fabrikës së brumërave “Orex” në Ferizaj.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli tha se Ferizaj po përçon mesazhin se si zhvillohet vendi ynë, nëpërmjet hapjes së bizneseve të vogla, të cilat janë duke krijuar vende të reja pune.

Duke konfirmuar përkrahjen ndaj këtyre bizneseve, kreu i Kuvendit tha se prioriteti më i madh i institucioneve të Republikës së Kosovës, sot është zhvillimi ekonomik dhe punësimi i qytetarëve.

“Si institucioneve, qoftë nga niveli qendror, qoftë nga ai lokal, do të punojmë bashkërisht që të lehtësojmë sa më shumë punën e këtyre njerëzve, të cilët po përpiqen, me shumë peripeci, të hapin vende të lira pune dhe të rrisin prodhimin vendor”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Duke falënderuar pronarët e fabrikës për lajmin e mirë që numri i punëtorëve të saj do të rritet vit pas viti, kryetari Veseli inkurajoi ata që të vazhdojnë më punë dhe biznesin e tyre.

Veseli konfirmoi se do të punohet që kamatat e kredive të ulen, duke u mundësuar investitorëve vendorë dhe atyre jashtë vendit, që të vijnë dhe investojnë në Kosovës, ndërsa bizneseve aktuale, t’i zhvillojnë edhe më tej ato.

Edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se është kënaqësi që të jem pjesëmarrëse me rastin e përurimit të fabrikave dhe shtoi se gjatë kësaj periudhe janë përuruar disa fabrika dhe janë promovuar shumë biznese.

Ajo shtoi se kjo tregon rezultatin e punës së institucioneve, të cilat përmes krijimit të infrastrukturës krijojnë një ambient më të mirë për bizneset, duke hapur rrugë për krijimin e vendeve të reja të punës.

Ajo më tej shtoi: “Sot, këto 30 vende të reja të punës që hapen në komunën e Ferizajt përmirësojnë kualitetin e jetës së 30 familjeve dhe tashmë këto produkte që prodhohen në këtë fabrikë do të ndikojnë drejtpërdrejt në zbutjen e bilancit tregtar dhe njëkohësisht do të ndikojnë edhe në zëvendësimin e produkteve të importuara me produkte më kualitative vendore”, u shpreh ministrja Bajrami.

Ndër të tjera, ministrja Bajrami bëri të ditur për dy projekte të rëndësishme për bizneset: Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, i cili është njëri ndër projektet më të mëdha që ka pasur qeveria në bashkëpunim me donatorët sa i përket lehtësimit të qasjes në financa; si dhe Projekti për Certifikimin e Produkteve, që iu ndihmon prodhuesve që t’i certifikojnë produktet e tyre, që ata mos të synojnë vetëm tregjet vendore, por edhe ato ndërkombëtare, e që mundësohet edhe me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA).

Ministrja Bajrami edhe njëherë u premtoi ndërmarrësve se institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë në përkrahje të vazhdueshme dhe se po punohet në vazhdimësi në përmirësimin e mëtutjeshëm të ambientit të biznesit në Kosovë.

Pronari i fabrikës, Elmaz Çoçaj, nga ana e tij, bëri të ditur se aktualisht kjo fabrikë ka 30 punëtorë, ndërsa pretendon që brenda tri viteve ky numër të arrijë në 200.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)