15 Tetor 2019

OEAK fton prodhuesit kosovarë që të përfitojnë nga lehtësirat tregtare me SHBA-të

Prishtinë, 7 gusht - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka ftuar kompanitë prodhuese dhe përpunuese nga Kosova që të shfrytëzojnë statusin preferencial tregtar që Kosova gëzon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të të ashtuquajturit Sistem i Përgjithësuar i Preferencave (GSP) për të eksportuar produktet e tyre në SHBA.

GSP është program tregtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i cili lejon importe të liruara nga detyrimet doganore të mallrave nga shtetet përfituese, me qëllim promovimin e rritjes ekonomike në shtetet në zhvillim.

Kosova bënë pjesë në grupin e shteteve të pavarura në zhvillim të cilat përfitojnë nga GSP tash e disa vite.

Oda Amerikane njofton se Presidenti i SHBA-ve ka nënshkruar më 23 mars 2018 aktin ligjor i cili zgjat këto masa preferenciale tregtare për një numër shtetesh, përfshirë edhe Kosovën, për tri vite të tjera, respektivisht për periudhën 1 janar 2018 deri më 31 dhjetor 2020.

GSP përfshin më shumë se 3500 produkte që listohen sipas kodeve tarifore që mund të eksportohen në SHBA nga shtetet përfituese pa iu nënshtruar detyrimeve doganore.

Produktet e përfshira në këtë program janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga produktet ushqimore, ato të tekstilit, plastikës, letrës dhe shumë industri tjera të cilat prodhuesit në Kosovë mund t’i shfrytëzojnë.

Oda Ekonomike Amerikane fton të gjitha bizneset e Kosovës të interesuara që të eksportojnë në SHBA dhe të përfitojnë nga këto lehtësime doganore që të kontaktojnë Odën Amerikane për informata më të detajuara lidhur me mundësitë e ofruara.

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 tetor 2019

-  Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media lidhur me zhvillimet në sektorin privat. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëorganizim me MASHT-in dhe OJQ – të mjedisore do të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Ecjes së Lirë në Natyrë. (Parku “Germia”, ora 10:00)

- Shoqata Down Syndrome Kosova në bashkëpunim me GIZ-in gjerman organizon “Panairi i karrierës: takimi i punëdhënësve me punëkërkuesit” i cili zhvillohet në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” organizon takimin Fakultet-Biznese, ku do të diskutohet për të ardhmen e Fakultetit dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe praktikes per studentet. (Objekti i Universitetit të Gjilanit, ora 12:00)

- Hapet edicioni i dytë i Metamorphosis. Flirting with leftovers e cila është një  intervenim artistik, specifik për lokacionin,  konceptuar nga artistja Koja. (Ish Restorant Marsi, rr. Bedri Gjini - Kodra e Trimave, ora 18:30)