19 Prill 2024

Nga sot, furnizim i pandërprerë me ujë të pijshëm

Prishtinë, 17 mars - Sot u inaugurua fabrika e ujit në Shkabaj, e cila i jep fund pritjes shumëvjeçare të qytetarëve të Prishtinës për furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në inaugurimin e Fabrikës së re të Ujit të pijshëm në Shkabaj të Prishtinës, nga funksionalizimi i të cilës do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë banorët e Komunës së Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës, ndërkaq do të përfitojnë edhe komunat e Podujevës, Graçanicës, Drenasit, Lipjanit dhe Shtimes.

Para të pranishmëve, kryeministri Isa Mustafa u shpreh i kënaqur që po merr pjesë në promovimin e një prej investimeve më të mëdha në Kosovë që ka të bëjë me ujin, në këtë rast të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

“Është kënaqësi e madhe që ne po zgjidhim problemet më të rënda të qytetarëve, problemin e ujit, problemin e energjisë, atë të ngrohjes, që nuk e kanë rënduar vetëm Prishtinën si komunën më të madhe të Kosovës dhe kryeqendrën e Kosovës, por kanë ngarkuar edhe komunat e tjera”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri theksoi se me këtë nuk po zgjidhet vetëm problemi i furnizimit të rregullt me ujë të Prishtinës, por edhe të gjashtë komunave që janë të ndërlidhura me këtë ujësjellës rajonal, të cilat do të kenë ujë më shumë, për arsye të furnizimit më të madh.

“Unë veçmas jam i kënaqur, sepse edhe mua më ka rënë hise para pesë viteve kur e kemi përgatitur dokumentacionin për këtë investim që të nënshkruajmë, që të përcaktojmë strukturën e financimit. Më vjen mirë që Komuna e Prishtinës i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta në shumë prej pesë milionë eurove, programi IPA i Bashkimit Evropian, poashtu Banka Zhvillimore Gjermane prej 20 milionëve dhe kështu, kemi arritur që të realizohen dhe të kryhet përafërsisht në afatin e paraparë. Sot, po shfrytëzoj rastin që t’ju uroj juve, qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të Prishtinës dhe veçmas të falënderoj shtetin gjerman, Bankën Gjermane, Komisionin Evropian për një investim shumë të rëndësishëm, sepse nuk ka gjë më të mirë se sa qytetarëve t’iu sigurohet uji dhe nevojat elementare te tyre”, tha kryeministri Mustafa.

Të pranishmëve me nga një fjalë rasti i janë drejtuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, përfaqësuesja e BE-së, Nataliya Apostolova, zëvendës shefja e Ambasadës Gjermane në Kosovë, Cristina Gehlsen, drejtori gjeneral i KfW-së, Roland Siller, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti si dhe udhëheqësi i Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Ilir Abdullahu.

Abdullahu, në fjalën tij e ka quajtur objekt me rëndësi të veçantë dhe nga më të mirët në regjionin e Ballkanit objektin e Fabrikës së Re në Shkabaj, duke i falënderuar të gjithë kontribuuesit që kanë bërë që ky projekt të arrijë në fazën finale.

Ai, po ashtu, bëri të ditur se projekti i cili u përurua sot është vazhdimësi e projektit të fazës Prishtina – faza e parë, e dytë dhe e tretë.

“Me lëshimin e punës me kapacitet të plotë të këtij impianti do të arrihet një furnizim i qëndrueshëm me ujë për banorët e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit dhe indirekt do të përfitojnë Komuna e Podujevës dhe ajo e Graçanicës, por do të përfitojnë gjithashtu edhe komunat, të cilat ne i menaxhojmë, Drenasi, Lipjani dhe Shtimja. Para nesh janë edhe sfida tjera, si impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, në mënyrë që të kemi një Kosovë shumë më të pastër”, tha Abdullahu.


Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, tha se jemi angazhuar dhe kemi punuar tash e sa kohë për këtë ditë, dhe sot arritëm që t’i shtojmë 700 L/s më shumë ujë për qytetarët e Prishtinës dhe komunave të tjera. “Falënderoj të gjithë ata që na ndihmuan në këtë projekt.

"Në 2 vitet e para të këtij projekti kemi punuar në ndërrimin e gypave të ujësjellësit, kurse para një jave përuruam fabrikën për trajtimin e ujit në Badovc. Sot, po e rrumbullakojmë këtë projekt tepër të rëndësishëm dhe po e zgjidhim një problem jetik për qytetarët e kryeqytetit”, tha ndër të tjera Ahmeti.

Ai në veçanti falënderoi dhe uroi qytetarët e Prishtinës, të cilët janë më meritorët për realizimin e këtij projekti, qoftë për durimin që kanë treguar, qoftë për kontributin dhe investimin.

 “Përveç 5 milionë eurove investim të Komunës, që janë para të taksapaguesve të Prishtinës, edhe kredia prej 20 milionë euro e marrë nga KFW kthehet më së shumti nga po këta qytetarë. Kjo pasi që 70% të konsumatorëve të KUR “Prishtina” janë qytetarë të Prishtinës , dhe këta qytetarë kanë arritur që të paguajnë mbi 90% të faturave të ujit”, tha në fund Ahmeti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)