16 Nëntor 2018

Kosova me 11 zona të interesit të veçantë ku mund të kërkohet për minerale

Prishtinë, 16 maj - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani në konferencën “Sektori minerar dhe resurset minerale Kosovë-Shqipëri”, ka treguar për përparësitë që i ofron Ligji për Investime Strategjike për investitorët në fushën e minierave.

Ministri ka theksuar se Kosova është në fazën më të mirë që mund të investohet, duke përmendur shumë faktor që kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

“Për rendësin e sektorit minerar flet organizimi i kësaj konference. Ne kemi qenë në kontakt me organizatorët e kësaj konference dhe e kemi përkrahur fuqishëm një organizim të tillë sepse mendojmë që Kosova është në fazën më të mirë për të bërë investime, e sidomos në fushën e minierave sepse Kosova ka pasuri nëntokësore që mund të shfrytëzohen”, ka thënë Hasani.

Hasani ka theksuar se janë përcaktuar 11 zona të interesit të veçantë ku mund të kërkohet për minerale, e që sipas tij, rruga më e mirë për investitorët është Ligji për Investime Strategjike.

“Falënderojmë organizatorët për këtë konferencë që e kanë bërë dhe  për bashkëpunimin që e kanë ofruar në vazhdimësi, sepse kanë sjell një listë që i kanë përcaktuar 11 zona të interesit të veçantë që ne po mendojmë si ministri, sepse jemi bartëse e Komisionit për Investime Strategjike, që tanimë e kemi Ligjin për Investime Strategjike që ka krijuar lehtësira të mëdha dhe besoj që rruga më e mirë për të nisur punën investitorët në këto zona të interesit të veçante është Ligji për Investime Strategjike”, ka thënë Ministri.

Hasani ka bërë të ditur se kanë rënë dakord në Komisionin Ndërministror që të ketë edhe më shumë lehtësira për investitorët në fushën e minierave.

“Në takimin e fundit që kemi pasur në Komisionin Ndërministror që e drejtoj unë ka pasur analiza dhe kërkesa nga të gjithë investitorët në fusha të minierave dhe kemi rënë dakord që t’iu krijojmë lehtësira, ta bëjmë një rekomandim për Qeverinë e Kosovës që investitorët që mund të investojnë në këto zona, pas marrjes së statusit të investitorit strategjik, në rast se nuk ka minerale atu ku kanë bërë kërkime t’i ofrohet mundësia në një afat ligjor që të tërhiqen pa penallti”, ka shpjeguar Hasani.

Ministri Bajram Hasani ka thënë se viti 2018 do të jetë vit i investimeve, sepse sipas tij, janë krijuar të gjitha parakushtet.

 “Vlen të theksohet se edhe sa i përket infrastrukturës rrugore jemi mirë, sepse janë ndërtuar autostrada dhe kjo krijon lehtësira edhe për bizneset. Të gjitha këto janë parakushte për të ardhur investitorët e huaj dhe Kosovën ta shohin një treg ideal. Presim që ky vit të jetë vit i shpresës, vit i investimeve”, ka thënë Ministri Hasani.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 nëntor 2018 - Mbahet takimi i radhës i Grupit Ndërministror për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 9:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në takimin e Grupit Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Zyra e BE-së dhe Këshilli i Evropës do të bashkëorganizojnë një konferencë në kuadër të projektit të përbashkët kundër Krimit Ekonomik e cila do të përqëndrohet në rezultatet e vlerësimit pajtueshmërinë e Kosovës me standardet evropiane dhe ndërkombëtare në fushat e anti-korrupsionit, pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit. (Swiss Diamond Hotel, ora 9:15)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të mbahet debat parlamentar sipas kërkesës së 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për avancimin e shërbimeve sociale. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Universiteti “Isa Boletini” nga Mitrovicë në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Mosisiu” nga Durrësi organizojnë konferencën ndërdisiplinore ndërkombëtare "Vazhdimësia historike dhe ndryshimi: Ballkani në kontekst evropian dhe global". (Kampusi i ri i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti do të mbajë takim informues me Drejtorët Komunalë të Arsimit në Republikën e Kosovës ku do të shpaloset Programi Nacional për Rininë. (Hotel International në Veternik, ora 10:00)

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal organizon ceremoninë solemne për projektet e përzgjedhura për financim në kuadër të Thirrjes së Parë të Programit IPA BNK Mali i Zi – Kosovë 2014-2020. (Hotel International Prishtina, ora 12:00)

- Shfaqet për gazetarë premiera vendore të filmit të metrazhit të gjatë “Nëntori I ftohtë/Cold November” me regji të Ismet Sijarina ku pas shfaqes se filmit do të zhvillohet një konferencë për media ku prezent do të jenë disa prej protagonisteve kryesor. (Cineplexx në Albi Mall, ora 12:00)

- Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat mban takim me punëtorët e Llamkosit. (Salla e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët qendrore te Vetëvendosjes, ora 14:00)

- Mbahet takimi i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me qytetarë të Drenasit. (Shtëpia e Kulturës në Drenas, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve të rrugës së qarkores së Gjakovës. (Rruga Gjakovë - Prizren, ish Fabrika e Elektromotorëve, ora 14:00)

- Muzeu i Kosovës organizon hapjen e ekspozitës “Moti i Madh” kushtuar Heroit të Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. (Muzeu i Kosovës, ora 18:00)