06 Shkurt 2023

Kompania ruse Rosneft raportoi rënie prej 9 miliardë dollarë

Moskë, 8 dhjetor - Kompania më e madhe ruse e naftës, Rosneft, raportoi sot rënie të të ardhurave të saj neto për periudhën janar-shtator të këtij viti me 15 për qind në 591 miliardë rubla apo rreth 9.4 miliardë dollarë.

Të ardhurat neto për nëntë muajt e parë të vitit të kaluar ishin më të lartat në historinë e kompanisë, duke arritur në 696 miliardë rubla (mbi 11.06 miliardë dollarë).

Kompania thotë se rënia është shkaktuar nga "faktorë jomonetarë", duke përmendur transferimin e aseteve të kompanisë në Gjermani tek administrata e jashtme e Agjencisë Federale të Rrjetit, Bundesnetzagentur.

Transferimi i aseteve, i cili çoi në një ndikim të ndjeshëm negativ në të ardhurat, rezultoi në "përjetimin e një humbjeje shtesë prej 56 miliardë rubla (mbi 890.16 milionë dollarë)" dhe "një ulje prej 76 miliardë rubla (rreth 1.2 miliardë dollarë) në para”, tha Rosneft.

Shpenzimet kapitale për të njëjtën periudhë arritën në 822 miliardë rubla (rreth 13,06 miliardë dollarë), me një rritje prej 19,3 për qind në bazë vjetore, kryesisht për shkak të rritjes së planifikuar të investimeve në projektin e naftës Vostok, që pritet të jetë projekti më i madh i naftës në botë në dekadën e fundit.

Prodhimi i hidrokarbureve për nëntë muajt e parë të vitit shënoi rritje me 2.2 për qind në bazë vjetore në 4.97 milionë fuçi ekuivalente nafte në ditë.

Vëllimi i shitjeve të naftës shënoi rritje me 3.3 për qind në 86.9 milionë tonë ndërsa shitjet e naftës bruto në vendet jashtë Komonuelthit të Shteteve të Pavarura u rritën me 4.8 për qind në 77.3 milionë tonë gjatë të njëjtës periudhë.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 shkurt 2023

- Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të organizoj një aksion si reagim ndaj skandalit të fundit me vende të punës në Arsim dhe akuzave publike për shitjen e vendeve të punës. (Para Komunës së Prizrenit, ora 9:30)
    
- Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve lanson Platformën për Punësim të të rinjve ku pjesëmarrës do të jenë Kryeministri, Albin Kurti, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe Ministri, Hekuran Murati. (Hotel Sirius, ora 10:00)
    
- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku në rend dite është Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. (Kuvendi i Kosovës, salla C301, ora 11:00)

- Kryesia e Parlamentit Studentor mban konferencë për media lidhur me organizimin e marshit kundër asociacionit. (Para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ora 11:00)

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të  Zhdukur gjatë luftës në Kosovë. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 12:00)

 

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati vizitojnë ndërmarrjen “Liri”, në Prizren. (Ndërmarrja "Liri", Prizren, ora 16:00)

 

- Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizojnë ceremoninë e nënshkrimit të Agjendës për Kontratën Sociale për Kryeqytetin që është zotim i përbashkët ndërmjet zyrtarëve të komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (SHFMU “Ismail Qemajli”, Bregu i Diellit, ora 19:00)