15 Gusht 2018

Kompania e minierave nga Kanadaja interesohet për zinkun e Kosovës

Prishtinë, 23 prill - Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi priti një delegacion të kompanisë Trevali, kompani kjo e fokusuar në sektorin e minierave në veçanti atë të zinkut.

Në prezantimin e kësaj kompanie, Mark Cruise, që është president dhe CEO i kompanisë, tregoi për operacionet të cilat momentalisht i kanë në Kanada dhe Afrikë, ndërsa tash janë të interesuar në sektorin e minierave të Kosovës.

“Nga prezantimet të cilat i pamë në Konventën e PDAC ku ju ishit prezent në Toronto, u interesuam për këtë sektor në Kosovë, dhe si prodhuesi i 8 më i madhi në botë i zinkut, ne jemi specializuar në minierat e vjetra të cilat i kemi revitalizuar dhe i ke mi bërë të leverdishme .Nga kjo, buxheti ynë i përgjithshëm e tejkalon shifrën e 1 miliardë dollarësh”, tha Cruise.

Zv. kryeministri Dardan Gashi, i informoi delegacionin  nga Kanadaja për ndryshimet të cilat do ti bëhen Ligjit për investime strategjike në sektorin e minierave ashtu që ai të jetë akoma më i mirë për kompanitë e mëdha që vijnë në Kosovë me projekte serioze.

“Ne jemi duke e përmirësuar legjislacionin. Tani në sektorin e minierave do të kemi atë që quhet one stop shop, ndërsa për kompanitë të cilat kualifikohen si investitor strategjik me ndryshimet e ligjit do ti heqim edhe disa barriera shtesë për ta bërë procesin akoma më të lehtë dhe më të favorshëm”, tha Gashi.

Gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, delegacioni që po shoqërohet edhe nga zyrtarë të qeverisë kanadeze do të vizitojë minierat në Kishnicë, Hajvali dhe Artanë për tu njoftuar nga së afërmi me mundësitë për investime siç thanë ata afatgjate dhe qindra milionëshe. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 Gusht 2018 - Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit do të mbajë konferencë për media lidhur me aprovimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit nga Parlamenti i Kosovës. (Ndërtesa e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës prezanton platformen e re dixhitale në kuadër të transparencës komunale "Kontratat e hapura". (Salla e Kuvendit komunal në objektin e vjetër të Komunës, ora 11:00)

- Kryetari i Lëvizjes për Bashkim se Valon Murati mban një konferencë për media lidhur me qendrimet e Lëvizjes për negociatat Kosovë - Serbi.  (Selia Qendrore e Lëvizjes për Bashkim ora 14:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, viziton lokacionin ku po zhvillohen punimet në ndërtimin e Spitalit Pediatrik Kirurgjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i cili do t’i integrojë të gjitha shërbimet shëndetësore që kanë të bëjnë me fëmijët. (QKUK, ora 14:00)

- Ne kuader te Festivalit Anibar prezantohet Aisha Madu me një program special. (Kinema “Jusuf Gërvalla” ora 14:00)

- Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së organizon ekspozitën e artistit pamor Yll Xhaferi, të titulluar “Scrolling”. (Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së, ora 19:00)