19 Prill 2024

Infrastruktura e SHBA-ve në gjendje të rëndë

Washington, 6 prill - Infrastruktura e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është në gjendje të rëndë. Një analizë e Shoqërisë Amerikane të Inxhinierëve Civilë, arrin në përfundimin se rrugët, urat dhe objektet publike të vendit janë në gjendje shumë të keqe.

Presidenti Donald Trump ka rikonfirmuar premtimin për të shpenzuar një trilion dollarë për të meremetuar infrastrukturën. Komunitetet lokale kanë nevojë të menjëherëshme për këto fonde.

Në dhjetor të vitit 2015, një pjesë e historisë së qytetit të Pitsburgut, pësoi një goditje. Ura Greenfield është një nga mijëra projektet e infrastrukturës kritike nën restaurim në Shtetet e Bashkuara.

Projekte si ky për riparimin e urës 95 vjeçare janë shumë të shtrenjta për t’u përballuar financiarisht nga komunitetet lokale. Pa ndihmën e qeverisë federale dhe shtetërore, këto projekte nuk mund të realizohen.

“Është e nevojshme. Të gjithëve u duhet kjo urë. Jo vetëm këtu në Pitsburg dhe në Pensilvaninë Perëndimore por në gjithë vendin. Kemi infrastrukturë të vjetër, kemi infrastrukturë që po shpërbëhet prandaj çdo lloj fondi që na jepet, ndihmon”, thotë zyrtari i Bashkisë Guy Costa.

Ai shton se fondet federale mbulojnë 80 për qind të riparimeve, 15 për qind vijnë nga Pensilvania dhe 5 për qind nga Bashkia e Pitsburgut.

Që do të thotë se ura 19 milionë dollarëshe i kushton qytetit vetëm një milion dollarë.

Presidenti Trump bëri fushatë me premtimin se do t’i kërkojë Kongresit të miratojë ligje për financimin e një riparimi të përgjithshëm të infrastrukturës së dobësuar të vendit, me kosto 1 trilion dollarë.

Zyrtarët vendas thonë se duhet të ishte bërë me kohë.

“Ne ndërtojmë gjithë këtë infrastrukturë dhe nuk bëjmë asgjë për ta mirëmbajtur atë. Absolutisht asgjë”.

Pitsburgu ishte dikur një qytet industrial që kishte specialitet prodhimin e çelikut.

Por ashtu si qytete të tjera të vjetra, zgjerimi i qendrave urbane që lidhin Pitsburgun me rrethinat, do të thoshte se më shumë fonde u shpenzuan me projekte të reja dhe më pak për ato ekzistueset.

“Është njëlloj si një shtëpi. Fillon të pikojë çatia dhe nuk i kushton rëndësi për një kohë të gjatë derisa një ditë zgjohesh dhe kupton se duhet të zëvendësosh gjithë çatinë”.

Por procesi burokratik është i ngadaltë.

“Për shumë fonde, mund të duhen vite nga koha që miratohen në Uashington derisa arrijnë në nivelin lokal, dhe pastaj të duhet të kalosh në një proces projektimi katër vjeçar”.

Ky projekt infrastrukture ka ndikim për 20 mijë vetë. Dhe bëhet fjalë vetëm për një urë, në një qytet me 300 mijë vetë. Por nevoja të tilla ka gjithë vendi. Projekte të tilla shkaktojnë edhe probleme. Mijëra vetë që përdornin urën Greenfield tani kalojnë me makina përmes zonave të banuara, dikur të qeta.

“Na ka shkaktuar aq probleme dhe bezdisje, saqë kam menduar disa herë ta shes shtëpinë. Është e tmerrshme”, thotë Katie Lederman.

Ura Greenfield pritet të rihapet në mes të këtij viti me fonde të miratuara nga administrata e ish-Presidentit Obama. Fati i 58 mijë urave të rrezikuara është tani në duart e Presidentit Trump i cili duhet të bindë Kongresin që ta kthejë në realitet premtimin e tij të fushatës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)