18 Shkurt 2020

Impianti i ujërave të zeza, është suksesi më i madh i këtij viti në Gjilan

Gjilan, 20 dhjetor - Sukses kryesor për sivjet në Gjilan, është projekti i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe infrastruktura përcjellëse, që ka rezultuar me nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet BERZH-it dhe Qeverisë së Kosovës. Kështu ka thënë Valbona Tahiri, drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik, në një konferencë me gazetarë, ku ajo ka paraqitur punën e këtij viti. 

“Investimi arrin vlerën 26 milionë euro dhe tashmë ka filluar procesi i vlerësimit të kompanisë konsulente, ndërsa projekti pritet të përfundojë në vitin 2022”, ka thënë Tahiri.

Sa i përket investimeve kapitale, duhet veçuar projektin për rregullimin dhe modernizimin e tregut të gjelbër, i cili do të ndikojë jo vetëm në përmirësimin e kushteve për shitjen e prodhimeve të freskëta vendore, por edhe do ta transformojë plotësisht lokacionin, duke e shndërruar atë në një vend atraktiv për qytetarë dhe vizitorë. Sipas planit dinamik, tregu pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.  

Gjatë këtij viti kemi vazhduar projektin e rregullimit të shtratit të lumit Mirusha, faza 2, që po bëhet në bashkëfinancim me MMPH, e cila ka ndarë një shumë prej 250 mijë euro.   

Janë rregulluar dy terrene sportive, njëri në fshatin Pogragjë, në bashkëpunim me shoqatën Pogragja me seli në Zvicër dhe tjetri në fshatin Bresalc, që është duke u punuar, në bashkëpunim me Rotary Club.

Një tjetër punë e rëndësishme është bërë në sektorin e EE (efiçiencës së energjisë), ku në kuadër të planit komunal të veprimit për 2019-2021 kemi arritur të finalizojmë atë në 7 objekte publike.

Është përgatitur projekti për shkollën në fshatin Uglar dhe është duke u realizuar nga donatori “Shqip king”. Programi me MZHE AEE dhe KfW ka shënuar progres dhe vitin tjetër pritet të fillojë realizimi në 3 shkolla, në Bresalc, Perlepnicë dhe “Dëshmorët e Kombit” në Gjilan. 

Në kuadër të programit PPP janë realizuar 3 studime të fizibilitetit, si: “Penda e Livoçit”, “Shtrirja e rrjetit të gazit natyror dhe të kompresuar” dhe “Palestra e sporteve Bashkim Selishta -Petriti”, të cilat janë në faza të ndryshme të realizimit.

Kësisoj po krijojmë mundësi për investime përmes partneritetit publiko-privat, në projekte zhvillimore që kanë për qëllim krijimin e vendeve të reja të punës dhe tërheqjen e investimeve.  

Po ashtu, Drejtoria ka realizuar me sukses 6 aktivitete me biznese, 3 panaire, 2 konferenca informuese me biznese si dhe ka prezantuar në një konferencë me diasporën, pastaj ka realizuar disa projekte me donatorë, si me USAID-in, ku kanë përfituar 167 të rinj, me BE-në, ku kanë përfituar 114 ndërmarrëse artizanale etj.

Një sukses tjetër, është krijimi dhe lansimi i platformës online për shitjen e produkteve artizanale “Art4craft” si dhe krijimi i ndërmarrjeve sociale.

Ndërkaq, sa i përket bizneseve të reja, sivjet janë regjistruar 480 biznese me 833 punëtorë. Vlen të nënvizohet se këtë vit, pas dy dekadave, prin veprimtaria shërbyese, derisa më herët ka dominuar tregtia. Ky është një indikator pozitiv që sektori privat ka filluar të bëhet shtytës i zhvillimit ekonomik lokal.

Arkëtimi i të hyrave vetanake nga bizneset ka shënuar trend pozitiv dhe është ndër më i larti që është arritur ndonjëherë - 92% ose 140 % krahasuar me vitin paraprak.

Ndërkaq, sfidë për ne mbetet shlyerja e borxhit nga bizneset, të akumuluar ndër vite, përkundër faktit se gjatë këtij viti nuk ka pasur rritje të borxhit të përgjithshëm, krahasuar me vitet paraprake. 

Përndryshe, Drejtoria jonë do të vazhdojë punën dhe përpjekjet me qëllim të koordinimit të aktiviteteve, të cilat ndikojnë në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetareve dhe arritjen a objektivave të saj, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjithë  akteret relevantë lokalë dhe qendrorë, donatorët, shoqërinë civile, komunitetin e biznesit dhe investitorët potencialë, ka thënë drejtoresha Tahiri.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 shkurt 2020 - Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media lidhur me rezultatet e anketës të klimës në biznes. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 9:30)

- Forumi për Udhëheqje dhe Diplomaci organizon debatin publik me temë “Si duhet ta adresojnë institucionet barazinë gjinore në pozicionet vendimmarrëse?”. (Kafiteri “Dit e Nat” ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit “Dialogu Kosovë-Serbi: Çfarë pas formimit të Qeverisë së re dhe përfshirjes amerikane?”, në një diskutim rreth të ardhmes së dialogut Kosovë - Serbi. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Zyra Kombëtare e Auditimit prezanton raportin e auditimit të performancës “Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit”. (Zyra Kombëtare e Auditimit, lagja “Arbëria”, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e parë e rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa në Komunën e Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Kryeministri Abin Kurti pret në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, z. Jean-Hubert Lebet. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët propozimi për formimin e grupeve të miqësisë, dhe propozimi i anëtarëve në delegacione për përfaqësim të Kuvendit më organizata ndërkombëtare. (Ndertesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Kryeministri Albin Kurti pret në takim, kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.   (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)
 
- Korabi Corporation organizon ceremoninë e hapjes së “Qendrës Inovative Korabi”, një qendër unike arsimore në fushën e kulinarisë si dhe do të mbahet “Nata e çokollatës belge”, një spektakël me çokollatën më të mirë në botë, që do të prezantohet nga çokollatrier me famë ndërkombëtare. (Zyrat e Korabi Corporation në Çagllavicë, ora 18:00)