12 Korrik 2020

Gjilani nënshkruan marrëveshjen 26 milionëshe me BERZH’in për ndërtimin e impiantit

Gjilan, 28 maj - Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, drejtori i Bankës Evropiane për Zhvillim në Prishtinë, Neil Taylor dhe drejtori i kompanisë së ujësjellësit “Hidromorava”, Muhamet Suliqi,  kanë nënshkruar sot marrëveshjen për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në vlerë prej 26 milionë euro.

“Në këtë projekt përfshihen të gjithë kolektorët dhe ndërtimi i impiantit që është fabrika më e madhe për përpunimin dhe pastrimin e ujërave të ndotura që vijnë nga fshatrat dhe vendbanimet e Gjilanit dhe jashtë komunës sonë për të preventuar ndotjen e lumenjve. Qytetarët e komunës së Gjilanit, ne veçanti, Malisheva, Uglari dhe Pogragja dhe vendbanimet që janë më së shumti të prekura, do t’i gëzohen më së shumti këtij projekti”, ka thënë pas nënshkrimit të marrëveshjes kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Investitorë janë BERZH’i, Banka Evropiane për Investime dhe Komuna e Gjilanit. Janë tre partnerë që do të mbulojnë miliona euro në ndërtimin e impiantit, ndërsa Qeveria e Kosovës është garantuese e kredisë së butë, pro pjesa më e madhe do të jetë grant. Pra, kemi hyrë në fillimin e fundit të realizimit të projektit kryesor, që nënkupton largimin e të gjitha vadave, përrockave dhe ujërave të zeza, e që do ta bëjnë Gjilanin qytet të pastër, me lumenj të pastër dhe me sistem modern të impiantit”, ka shtuar Haziri.

Drejtori i Bankës Evropiane për Zhvillim në Prishtinë, Neil Taylor, theksoi se impianti do të ketë kapacitet për 76 mijë banorë, duke shtuar se bashkë me kryetarin e Gjilanin dhe drejtorin e “Hidromoravës”, janë dakorduar që puna të nis në vitin e ardhshëm.

“Para dy jave kemi nënshkruar në Sarajevë marrëveshjen  për kredi me Qeverinë e Kosovës dhe jemi duke e financuar implementimin e këtij projekti së bashku me Bankën Evropiane Investive dhe një pjesë është në formë granti nga BE. Jam shumë i lumtur që ky është investimi i parë në nivel komunal jashtë kryeqytetit dhe jemi pajtuar që kjo të jetë strategjia jonë për fokus në infrastrukturën komunale. Impianti do të ketë kapacitet për 76 mijë banorë”, është shprehur Taylor.

Kurse, drejtori i kompanisë së ujësjellësit “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, gjatë adresimit para gazetarëve, ka falënderuar kryetarin e Gjilanit për, siç tha, sjelljen e këtij donacioni të madh në Gjilan.

“Përfitues të këtij projekti janë qytetarët e Gjilanit, ku do të kenë një ambient më të pastër. Në projekt përfshihen kolektorët e ujërave të zeza, ku do të investohet në një gjatësi prej 38 kilometra, për të përfunduar me impiantin për trajtimin e ujërave të zeza. Impianti është paraparë të ndërtohet në rrethinë të Uglarit, në një sipërfaqe prej shtatë hektarëve”, ka përfunduar Suliqi. ​

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 Korrik 2020

- Kryeministri Avdullah Hoti do të mbajë konferencë për medie. (Oborri i Qeverisë, ora 16:00)