28 Mars 2024

Gjilani me kujdes maksimal po shfrytëzon ujin e pijshëm, reduktimet vazhdojnë

Gjilan, 8 korrik - Është mbajtur sot takimi i radhës i Task Forcës për menaxhimin e thatësisë për furnizimin e ujit të pijshëm, të kryesuar nga nënkryetari, Arbër Ismajli, ku është theksuar mirëkuptimi i gjerë i qytetarëve të Gjilanit për tejkalimin e gjendjes së vështirë të furnizimit me ujë të pijes.

Në konferencën me gazetarë, ka folur në emër të task forcës për menaxhimin e thatësisë, Muhamet Suliqi, drejtor i KRU "Hidromorava", i cili ka përshkruar gjendjen e përgjithshme të furnizimit me ujë të pijes dhe njëkohësisht ka falënderuar Komunën e Gjilanit për angazhimin maksimal dhe qytetarët në përgjithësi për mirëkuptimin në shfrytëzimin e kufizuar të ujit.

“Është takimi i radhës i task forcës dhe jemi me një gjendje të vështirë momentale me furnizim me ujë. Kemi marrë mbështetjen e gjerë institucionale që nga kryetari Haziri dhe te të gjitha institucionet për shfrytëzim të kufizuar të ujit dhe reduktime në bazë të furnizimit. Niveli te Penda e Përlepnicës nga niveli maksimal që është prej 30.30 gjendja në ditën e sotme është 15.84, që ka një rënie të nivelit mbi 50 për qind”, ka njoftuar Suliqi.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se reduktimet janë të domosdoshme dhe për këtë ka falënderuar edhe qytetarët për mirëkuptimin e tyre që bashkërisht dhe me kujdes të shtuar është duke u shfrytëzuar uji.

“Nga penda e Përlepnicës ka reduktime prej orës 21:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit, nga burimi “Baja”, ka reduktime prej orës 24:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit, kurse nga fabrika e përpunimit të ujit në fshatin Velekincë, jemi duke bërë furnizimin 24 orë. Sot është njoftuar task forca që kompania është e detyruar që të fus në reduktime edhe zonat rurale konkretisht fshatin Përlepnicë, Kmetoc, Shillovë dhe Velekincë, ku reduktimet do të nisin nga ora 11:00 e ditës deri në orën 15:00”, ka njoftuar ai.

Për pikat më të larta ku niveli i ujit nuk arrin, janë futur në funksion furnizimi përmes cisternave, për furnizim me ujë.

Ai njëkohësisht ka thënë se janë në pritje të qeverisë së Kosovës për fondin prej mbi 640 mijë euro për  hapjen e 13 puseve që do të ndikonin në rritje të kapaciteteve të furnizimit me ujë në një sasi prej 20 – 40 litra për second.

Përndryshe, Komuna e Gjilanit vazhdimisht ka bërë thirrje dhe do të jetë aktive përmes mediave dhe inspektorëve që të ketë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të ujit, me qëllim që deri në maksimum të ndalet keqpërdorimi i mundshëm i ujit të pijshëm.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)