16 Janar 2018

Fuqizimi i prodhimeve vendore mundësi për hapjen e vendeve të punës

Drenas, 5 janar - Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, gjatë vizitës që i bëri Parkut të Biznesit në Drenas, ftoi qytetarët e Kosovës që t'i kthejnë sytë nga prodhimet vendore, ndërsa theksoi se institucionet publike e kanë për obligim që të lidhin marrëdhënie kontraktuese me prodhues vendorë.

Më tutje, zëvendëskryeministri Limaj tha se nga ajo që ka parë në këtë park, tregon se ekonomia e vendit ka lëvizur, pavarësisht problemeve me të cilat është ballafaquar.

"Pamë prodhime vendore nga duart e njerëzve tanë, intelektualëve tanë dhe kjo më jep shpresë dhe vullnet se, nëse këta njerëz do ta kenë mbështetjen dhe kujdesin aq sa ka mundësi të japë shteti, ata do të vazhdojnë t'i fuqizojnë produktet e tyre dhe kështu do të mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, dhe mbi të gjitha që është qëllim i përbashkët, rritjen e mirëqenies së vendit tonë", tha zëvendëskryeministri Limaj. Sa u përket shqetësimeve që i kanë bizneset në këtë park, zëvendëskryeministri Limaj ka thënë se ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, do të marrë masa lehtësuese për eliminimin e barrierave për ata të cilët përballen.

Zëvendëskryeministri Limaj ka ftuar pronarët e barnatoreve në Kosovë që t’u japin hapësirë prodhimeve farmaceutike vendore, duke shtuar se nëse mungon vullneti për ta bërë këtë gjë, atëherë do të bëhet me ligj.

“Duke qenë se janë prodhues vendorë, duhet ta kenë një mundësi për ekspozim të produkteve në barnatore të Kosovës. Nuk është mirë që këto kompani farmaceutike të prodhojnë dhe në barnatore të shohin pak produkte medicinale vendore. Farmacistët ngurojnë të shesin produkte vendore në farmacitë e tyre dhe kjo logjikë duhet të hiqet. Ashtu siç po e bëjmë për prodhimet vendore në markete, e njëjta masë do të përdoret edhe për produktet farmaceutike. Prodhimet tona vendore duhet ta kenë vendin e vet. Nëse ata nuk kanë vullnet, do ta bëjmë me ligj”, tha zëvendëskryeministri Limaj.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se nga ky muaj do të lirohet qiraja për 50% për bizneset që operojnë në këtë park, duke treguar kësisoj vendosmërinë e Qeverisë për t'i përkrahur bizneset në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 Janar 2018 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit me Rekomandime për Projektligjin nr.06/L-019 për Standardizim, shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, etj.. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Shoqata Down Syndrome Kosova organizon hapjen e hapësirave të renovuara për ofrimin e shërbimeve terapeutike për fëmijët me sindromë Down pranë qendrës Down Syndrome Kosova në Prishtinë. (Zyrat e Down Syndrome Kosova, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të behët shqyrtimi i Planit të punës së Komisionit për vitin 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla S-I, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media lidhur me vazhdimin e Dialogut Kosovë-Serbi. (Zyrat e KDI-së, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, 13:00)

- Mbahet ceremonia zyrtare e fillimit të zhvillimit të kurseve trajnuese për pjesëtarët e FSK-së në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së. (Kazerma e FSK-së "Skënderbeu" në Ferizaj, ora 13:00)

- Ministria e Integrimit Evropian organizon takimin politik për Instrumentin e Para Anëtarësimit për vitet programuese 2018 dhe 2019”. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 13:30)

- Drejtori i Misionit të USAID-it James Hope, i shoqëruar nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama-Hajrizi, do të flasë me rastin e përurimit zyrtar të faqes së re të internetit të Gjykatës Kushtetuese. (Sheshi 21, ora 15:30)