29 Mars 2024

35 ndërtime pa leje të shqyrtuara nga Task Forca mbeten në harresë

Prizren, 20 dhjetor - Kanë kaluar afër 8 muaj që prej se organet komunale i kanë lëshuar njoftimet lidhur me 35 rastet e shqyrtuara nga Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit, për tejkalimet e konstatuara në raport me lejet e ndërtimit në objekte të ndryshme brenda kësaj zone të mbrojtur.

Me këto shkresa ishte kërkuar që të ndërmerren veprimet sanuese në përputhje me standardet e përcaktuara me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, në të gjitha objektet private ku janë hasur parregullsitë, me ç’rast palët kanë pas në dispozicion një afat prej 60+30 ditësh për veprim. Ndërkohë Drejtoria e Inspektorateve pat paralajmëruar se në fund të gushtit do të niste ekzekutimi i detyrueshëm në këto raste, sipas rekomandimeve të Task Forcës.  

Por ekzekutimi i këtyre lëndëve sipas zyrtarëve përgjegjës komunal nuk është bërë deri më tani.

Pos kësaj as Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit nuk është mbledhur nga fundi i muajit maj të këtij viti.

Në këtë mënyrë autoritetet shtetërore të niveleve të ndryshme janë treguar jo-serioze sa i përket trajtimit të shkeljeve urbanistike në Qendrën Historike të Prizrenit, meqë tashmë po del se nuk janë marrë as me “35 rastet”, ku në 8 raste punimet janë në përputhje me projektin; në 1 rast nuk ka filluar ndërtimi; në 9 raste janë vendosur dritare të plastikës në vend të drurit; në 5 raste ka parregullsi me rrethoja, gardh, vitrina apo fasadë; në 11 raste ka tejkalime nga leja e ndërtimit, të natyrave të ndryshme dhe në 1 rast ka tejkalim në gabarit.

Në prill të këtij viti, lidhur me këtë çështje EC pat reaguar duke vlerësuar se “35 rastet” e Task Forcës janë blerje kohe, për faktin se Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit, përkatësisht institucionet që e përbëjnë këtë trup kanë vendosur që të vazhdojnë avazin e instaluar prej vitesh nga organet kompetente për ikje nga përgjegjësitë për vendosjen e rregullit urbanistik në qendër të Prizrenit. EC  pat pohuar se vendosja  e  rregullit  urbanistik  në  Qendrën  Historike  të  Prizrenit kërkon  veprime  më  energjike të institucioneve që kanë përgjegjësi ligjore e kushtetuese, për t’u përballë me rastet ekstreme, dhe jo për të blerë kohë duke numëruar punimet që janë bërë në përputhje me projektet apo devijimet me PVC dritare.

Për këto arsye EC shpreh qëndrimin se autoritetet e nivelit qendror duhet të jenë më aktive në funksionalizimin e Task Forcës, ndërkohë që organet komunale të Prizren duhet të tregojnë një përkushtim më të madh në vendosjen e rendit urbanistik në Qendrën Historike.

EC konsideron se edhe ndryshimi i drejtorëve komunal të linjës deri tashti është dashur që të përkthehet në veprime drejt rritjes së efikasitetit në vendosjen e rendit urbanistik dhe ruajtjen e mbrojtjen e Qendrës Historike të Prizrenit.    

Paaftësia e autoriteteve për ta parandaluar degradimin në Qendrën Historike të Prizrenit është konfirmuar edhe nga Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Kosovën. Degradimi sistematik i trashëgimisë kulturore, me theks të veçantë në Prizren sikurse edhe vazhdimi i kulturës së pandëshkueshmërisë lidhur me rrënimet dhe ndërtimet ilegale janë përmendur si shqetësime në kuadër të këtij raporti, ku gjithashtu pohohet se degradimi sistematik i trashëgimisë kulturore në Prizren paraqet edhe rrezik të shtuar për sigurinë publike. Në të njëjtën kohë theksonte se Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit që ishte themeluar në vitin 2014 për trajtimin e ndërtimeve pa leje ka pas ndikim minimal. Raporti ka nënvizuar se nevojiten përpjekje të shtuara për të siguruar mbrojtjen dhe menaxhimin adekuat të trashëgimisë kulturore.

Projekti \"Transparenca e Planifikimit Hapësinor në Prizren\" synon hapjen e dokumenteve të planifikimit hapësinor në komunën e Prizrenit, për të përmbushur obligimet e Kartës për Hapjen e të Dhënave, dhe rritur nivelin e llogaridhënies publike në këtë sektor. Hapja e të dhënave dhe dokumenteve të planifikimit hapësinor do të krijojë mundësi më të mëdha për mbikëqyrjen e punës së autoriteteve publike  në  raport  me  urbanizmin,  lejet  e  ndërtimit,  planifikimin zhvillimor  dhe  menaxhimin  e trashëgimisë kulturore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)