29 Mars 2024

ZRRE konstaton shkelje të rënda nga KEDS-i me ndërprerjet e energjisë

Prishtinë, 3 janar - Raporti i monitorimit i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për vitin 2018 ka konstatuar një mori shkeljesh nga kompania turke KEDS, me rastin e ndërprerjeve të paralajmëruara të energjisë elektrike.

Një numër të madh të shkeljeve kanë evidentuar ekipet monitoruese të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) me rastin e ndërprerjeve të paralajmëruara të energjisë elektrike nga kompania turke KEDS. Raporti i monitorimit përfshin vitin 2018, ndërsa vizitat në terren janë kryer në muajt shtator dhe nëntor.

Ndërprerjet e energjisë elektrike gjatë dy viteve të fundit janë shpeshtuar dhe arsyetimi nga KEDS-i ka qenë se po bëhet ndërhyrje në rrjet, kryesisht për mirëmbajtje. Por sipas raportit të monitorimit nga ZRRE për vitin 2018, të cilin e ka siguruar Buletini Ekonomik, pas kërkesës për qasje në dokumente publike, KEDS kreu shkelje të ndryshme me rastin e ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Shkelja më e rëndë e konstatuar nga ekipet e ZRRE-së ka të bëjë me faktin se në disa raste kohëzgjatja e ndërprerjes së energjisë elektrike, ishte më e gjatë sesa koha që nevojitej për t’u kryer mirëmbajtja e caktuar nga KEDS-i.

Në disa raste, KEDS e kishte paralajmëruar ndërprerjen e energjisë elektrike në një zonë të caktuar me arsyetimin për mirëmbajtje, por kur ekipet e ZRRE-së kishin shkuar për monitorim, në vendin e planifikuar nuk kishte qenë i pranishëm asnjë zyrtarë i KEDS-it.

Sipas raportimit të monitorimit, KEDS-i po ashtu kishte njoftuar për ndërprerje të energjisë në linja të caktuara për të cilat nuk kishte raportuar më herët në ZRRE. Po ashtu janë evidentuar raste kur ndërprerjet e energjisë elektrike janë bërë deri në pesë herë brenda muajit tek e njëjta linjë.

Shkeljet e konstatuara nga vizitat në terren të ekipit të ZRRE-së

Që në hyrje të këtij raporti, monitoruesit e ZRRE-së thonë se pasi kanë analizuar planifikimet për mirëmbajtje nga KEDS-i dhe realizimet e tyre, ajo që duket e dyshimtë është fakti se përshkrimi i arsyes së ndërprerjes është shumë herë i njëjti dhe se nuk paraqet ndonjë njoftim se për çfarë arsye është parashikuar ndërprerja.

“Këto përshkrime janë të një forme të përgjithësuar si p.sh mirëmbajtje preventive, ku për muajin nëntor 2018 nga 100 linja kV të planifikuara për ndërprerje të gjitha kanë përshkrimin e njëjtë si “mirëmbajtje preventive”. Edhe koha edhe kohëzgjatja janë po ashtu të njëjta”, thuhet në raportin e ZRRE-sw.

Gjatë muajve shtator dhe nëntor, ekipet e ZRRE-së relalizuan disa vizita në terren për të parë nëse njoftimi nga KEDS-i për ndërhyrje në rrjet do të përmbushej. Por në shumë raste puna nuk ishte kryer.

Sipas raportit, njëra nga vizitat e ekipit të ZRRE-së është realizuar në NS 110/10 Kv Prishtina 5. KEDS-i kishte njoftuar për media për shkyçjen e linjës që furnizon NS 10/04 Kv Kodra e Trimave 4 nga ora 08:00 deri 16:00 me arsyetimin “kyçje e konsumatorëve dhe demontimi i linjave ekzistuese”.

Por, siç konstaton rapiorti i ZRRE-së, në raportet për ndërprerjet e planifikuara në ZRRE nuk figuron kjo linjë në listën e shkyçjeve. Ekipet e ZRRE-së po ashtu ishin njoftuar nga banorët e lagjes se nuk ka pasur as ndërprerje të energjisë siç ishte njoftimi nga KEDS-i.

“Nga operatori i NS të KOSTT u njoftuam se nuk ka pasur ndonjë kërkesë për shkyçje të asnjë dalje në këtë NS. Bazuar në këto ndryshime është shqetësuese si përcaktohen daljet për të cilat ekipet e punës kërkojnë shkyçje, dhe a janë ata të sigurtë se është shkyçur linja e kërkuar për mirëmbajtje!”, konstaton raporti.

Rast i dyshimtë për ekipet e ZRRE-së ka qenë edhe nënstacioni 110/10 kV Prishtina 5. Nga grupi monitorues janë kërkuar informata edhe për furnizimin e NS 10/04 Kv, rruga Ismet Krasniqi për të cilën ka qenë i publikuar informimi për ndërprerje të planifikuar për datë 13.11.2018 nga ora 08:00 deri 11:00 dhe 13:00 deri 16:00 me arsyetimin kyçje e konsumatorëve në rrjetin e ri.

Edhe për këtë ndërprerje, ZRRE-ja konstaton se KEDS-i nuk ka pasur kërkesë për shkyçje, por as nuk kishte informatë nëse kjo linjë furnizohet nga ky NS.

“Po ashtu pas vizitës në këtë lagje ku është NS 10/04 kV Ismet Krasniqi në rrugën Ismet Krasniqi, nga banorët është konfirmuar se nuk ka pasur ndërprerje të energjisë në ditën e përmendur si dhe për disa ditë më parë. Në raportet për ndërprerjet e planifikuara në ZRRE as kjo linjë nuk figuron në listën e ndërprerjeve për mirëmbajtje”, thuhet në raport.

Ka pasur edhe raste kur publiku është njoftuar në mënyrë të gabuar.

“Vizita tjetër ka qenë në NS 220/35/10 kV të KOSTT në Podujevë, lidhur shkyçjen e lajmëruar të daljes 10 kV Ballovc. Sipas planifikimit të KEDS të dërguar në ZRRE për muajin nëntor për daljen 10 kV Ballovc (Kodi 14000008) është paraparë shkyçja për mirëmbajtje preventive me datë 12.11.2018 dhe me 24.11.2018 nga ora 10:00-16:00. Sipas informimit publik nga KEDS në media, kjo punë është paraparë për datën 13.11.2018 nga ora 10:00-16:00 si mirëmbajtje preventive dhe me kërkesë të palëve të treta, dhe gjatë kësaj periudhe pa energji është paraparë të mbesin fshatrat Surkishi, Ladovci, Sveçla, Shajkovci, Dumoshi, Surdulli, Hertica, Drazhnja, Rakenica dhe Turuçica. Dalja e Ballovcit është shkyçur me 12.11.2018 nga ora 10:00 – 16:00 ashtu si është planifikuar. Këtu është informuar publiku në mënyrë të gabuar”, thuhet në raport.

Gjetjet përfundimtare nga ZRRE

Në fund të këtij raporti ZRRE-ja tregon se i njëjti është punuar bazuar në dokumentet e lartcekura dhe vizitat e realizuara të grupeve të monitorimit. Në analizë është marrë planifikimi për muajin nëntor, si dhe planifikimi dhe realizimi i muajit shtator.

Si përfundim, nga analiza e dokumenteve të poseduara dhe vizitave në terren janë evidentuar si çështje për shqyrtim këto aspekte:

– numri i lartë i ndërprerjeve për mirëmbajtje (siç është rasti me muajin nëntor);

– arsyeshmëria dhe përshkrimi i punëve të disa rasteve jo të sakta, dhe me përsëritje të shpeshta;

– kohëzgjatja e ndërprerjeve jo në harmoni me punët e nevojshme për mirëmbajtjen e caktuar;

– ndërprerje të shumta madje deri në 5 herë brenda të njëjtit muaj të njëjtës linjë; 20

– mospërputhje e disa rasteve të planit të mirëmbajtjeve të dërguar në ZRRE dhe njoftimeve në media, dhe vet realizimit të ndërprerjes.

– emërtimi i daljeve të deklaruara të KEDS nuk përputhet me emërtimin që kanë operatorët në SCADA e as në evidencat e tyre.

/Buletini Ekonomik/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)