19 Mars 2024

Vitia përftuese e fondeve amerikane për Riparimet në Ndërtesat Banesore

Prishtinë, 15 prill - Vitia është komuna e radhës që do të përftojë mbështetje financiare për riparimet e ndërtesave banesore me qëllim të përmirësimit të masave për efiçiencë të energjisë në sektorin rezidencial, përmes Programit “Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë-SEEK” të Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK).

Me këtë rast, MFK, përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv, Petrit Selimi, dhe  Komuna e Vitisë, përfaqësuar nga Kryetari Sokol Haliti, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi me qëllim të formalizimit të bashkëpunimit për implementimin e projektit për Riparimet për Efiçiencë të Energjisë në Ndërtesa Banesore (AER) në këtë komunë.

Ky Memorandum Mirëkuptimi konfirmon përkushtimin e MFK-së dhe Komunës së Vitisë për të shtuar përpjekjet drejt përmirësimit të masave për efiçiencë të energjisë, duke strukturuar dhe forcuar strukturat organizative për masat efiçiente dhe reduktimin e energjisë elektrike në sektorin e banimit, përmes ofrimit të asistencës teknike dhe mbështjetjes financiare për të bërë shtëpitë në këtë komunë më efiçiente.

Në kuadër të Intervenimit SEEK, MFK do të investojë mbi 20 milion euro në riparimin e rreth 700 banesave në 7 komuna, si dhe 2800 shtëpive në tërë Kosovën, kështu duke investuar në promovimin e masave të eficiencës së energjisë, zvogëluar konsumin e energjisë për ngrohje, si dhe duke ngritur vetëdijen e konsumatorëve për benefitet afatgjate të masave të eficiencës së energjisë.

Me këtë rast, drejtori ekzekutiv, Petrit Selimi deklaroi se “Aktivitetet që përmirësojnë eficiencën e energjisë në sektorin e banimit në Kosovë kanë ndikim direkt në përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve dhe gjithashtu ndihmon institucionet e Kosovës të krijojnë një mekanizëm afatgjatë për zvogëlimin e konsumit të energjisë në shtëpitë kosovare.”

“MCC është e lumtur që kjo marrëveshje po nënshkruhet sot, që nënkupton zyrtarizimin e një bashkëpunimi të mrekullueshëm me komunën e Vitisë. Mezi presim të fillojnë punimet së shpejti për të përmirësuar rehatinë dhe eficiencën e banesave në Viti” - u shpreh Drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead.

Kryetari Sokol Haliti shprehi mirënjohjen ndaj MFK dhe MCC për këtë investim duke thënë se këto investime kanë një ndikim të madh në ekonomitë familjare, respektivisht në zhvillimin e vetëdijes qytetare për kursim të energjisë dhe në zvoglimin e ndotjes së ambientit.

Në kuadër të këtij projekti, MFK deri tani ka lidhur Memorandume Mirëkuptimi me 4 Komuna të tjera: Prishtinën, Lipjanin, Mitrovicën dhe Novo Bërdën. Janë gjithsej 7 komuna që janë përzgjedhur nga Banka Botërore, përfshirë këtu dhe Gjakovën dhe Gracanicën, për të përftuar investime nga ky projekt.

Intervenimi AER është pjesë e projektit SEEK (Subvencione për Eficiencë të Energjisë në Kosovë), projekt që implementohet nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK), subjekti zbatues i Programit “Threshold” me vlerë $49 milion i arritur midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), një agjenci e pavarur amerikane për ndihma të jashtme. Programi “Threshold” i Kosovës i adreson dy çështje kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës: furnizimi jo i qëndrueshëm me energji elektrike dhe sundimi i dobët i ligjit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)