02 Shkurt 2023

Tranzicioni i gjelbër i Kosovës mbetet synimi kryesor i BE-së në vitin 2023

Prishtinë, 20 janar - Ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon të mbetet shqetësim madhor për vendin, jo vetëm për mjedisin, por për shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve.

Për ta ulur më tej varësinë e vendit nga emetimet e qymyrit dhe gazrave serrë, Bashkimi Evropian dhe Shtëpia e Evropës në Kosovë do të vazhdojnë ta mbështesin tranzicionin e gjelbër të vendit, siç është paraparë në Agjendën e Gjelbër të BE-së.

Fundi i vitit 2021 e shënoi lansimin e ngrohtores me biomasë në qytetin e Gjakovës. Kjo ngrohtore moderne i ndërtuar nga BE-ja u bë ngrohtorja e parë me biomasë në rajon dhe po prodhon me sukses ngrohje nga burime të pastra të energjisë, duke e ulur ndotjen për 90%.

Megjithatë, kjo është vetëm njëra nga historitë e suksesit në rrugëtimin e Kosovës drejt energjisë së pastër dhe të qëndrueshme, të mbështetur nga BE-ja. Kah fundi i vitit 2022, Bashkimi Evropian në Kosovë, së bashku me KfW-në dhe BERZh-in, e shpallën projektin  Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore me energji diellore”, duke e bërë Kosovën vendin e parë në rajon që e përdor energjinë diellore për të gjeneruar ngrohje.

Nga projekti i ngrohjes solare pritet të përfitojnë rreth 38,000 qytetarë të Prishtinës, me ngrohje qendrore efikase dhe të pastër, në vlerë prej 82 milion eurosh.

Investime të tjera të rëndësishme në energjinë e ripërtëritshme dhe efiçiente që do të vijnë në vitin 2023 janë projektet Solar4Kosovo – Termocentrali Fotovoltaik; Solar4Kosovo II – Ngrohja Qendrore Diellore; dhe Programi për Banim Social në Kosovë.

Të tria këto projekte, të cilat kapin vlerë prej gjithsej 55 milionë eurosh, burojnë nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, një nismë kjo e financimit të përbashkët nga BE-ja, organizatat financiare të tjera dhe donatorët bilateralë.

Në kuadër të projektit të Termocentralit Fotovoltaik të Solar4Kosovo parashihet ndërtimi i një termocentrali termik solar me kapacitet prej 70 MW për ngrohtoren e “Termokos”-it dhe një termocentrali solar me kapacitet deri në 100 MW për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK-un).

Në ndërkohë, Ngrohtorja Solare e Solar4Kosovo II përfshin ndërtimin e një termocentrali solar në afërsi të komunës së Obiliqit, i cili do t’i prodhojë 65 GWh ngrohje nga energjia diellore dhe do ta zgjerojë ngrohjen qendrore aktuale në Prishtinë.

Kur flasim për efiçiencën e energjisë, Bashkimi Evropian në Kosovë, së bashku me Bankën Botërore dhe Qeverinë e Kosovës, aktualisht janë duke i zbatuar masat e efiçiencës së energjisë në 74 institucione publike në Kosovë, ku e fundit është shkolla fillore “Shaban Shala” në Podujevë.

Nga ky projekt i bashkëfinancuar nga BE-ja me vlerë prej 13 milionë eurosh, konsumi i energjisë i institucioneve publike të synuara pritet të ulet për 70%, duke i ulur në masë të konsiderueshme shpenzimet për energji dhe ndotjen.

Përkushtimi i BE-së për ta mbështetur tranzicionin e gjelbër në Kosovë shihet edhe në Pakon e ardhshme të BE-së për Mbështetje të Energjisë në vlerë 75 milionë euro, e cila do t’u ndihmojë familjeve të pafavorizuara që t’i mbulojnë shpenzimet e tyre për energji, ndërsa sektorit publik dhe atij privat që ta përmirësojnë më tej efiçiencën e energjisë dhe kalimin në burimet e ripërtëritshme të energjisë.

#PërEnergjinëeMirë
#PërJuMeJu


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 shkurt 2023

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft-planin e punës për sesionin pranveror 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, N303, ora 9:00)

Paneli i Gjykatës së Apelit bën shpalljen e aktgjykimit të apelit në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. (Hagë, ora 9:30)  

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 10:00)  

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)  

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënon Ditën Globale të Zgjedhjeve me temën “Pjesëmarrja në zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe roli i institucioneve”. (Hotel Sirius, ora 10:00)  

-Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Ferizajt ku do të takohet me kryetarin Agim Aliu. (Ferizj, ora 10:30)

- Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Redžepi organizon tryezë të rrumbullakët me rastin e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:00)