28 Mars 2024

TC ‘Kosova e Re’ pamundëson liberalizimin e tregut të energjisë elektrike

Prishtinë, 3 maj - Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në vazhdën e publikimit të infografikave për TC ‘Kosova e Re’ ngrenë shqetësimin mbi ndikimin e garancive që i ipen kompanisë ContourGlobal gjatë shfrytëzimit njëzet (20) vjeçar të Termocentrali ‘Kosova e Re’.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar tetë (8) marrëveshje komerciale me kompaninë ContourGlobal për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’.

Këto marrëveshje komerciale parashohin që qeveria të garantojë furnizimin, financimin dhe rreziqet e tregut (duke garantuar blerjen e të gjithë prodhimit dhe një normë fikse të kthimit në investim), që lë vetëm rrezikun e ndërtimit dhe rreziqeve operative me kompaninë private.

Përveç këtyre garancive, Qeveria e Republikës së Kosovës garanton edhe për shërbime tjera si furnizimi me thëngjill kualitativ, ujë, si dhe deponim të hirit dhe gipsit.

Më poshtë mund të gjeni një përmbledhje të karakteristikave të garancive për furnizim nga Qeveria e Kosovës për ContourGlobal:

Marrëveshja për furnizim me thëngjill: Qeveria i garanton thëngjillin më efikas për një çmim më të ulët, duke ua lënë konkurrentëve linjitin më pak efikas për një çmim më të lartë.

Sipas raportit të KEK-ut për Gjendjen Mjedisore, analizat e thëngjillit të shfrytëzuar nga TC Kosova A dhe B tregojnë se vlera kalorike e thëngjillit në pesë (5) vitet e fundit ka qenë mesatarisht 7.580 GJ/t.

Nën marrëveshjen për furnizim me thëngjill, parashihet që KEK t’ia shesë thëngjillin TC Kosova e Re me vlerë kalorike shumë më të lartë sesa thëngjilli që është shfrytëzuar deri më sot. Pra, ContourGlobal do të pranojë të blejë thëngjill i cili si vlerë kalorike ka një numër i cili bie në brezin e 8.000 - 9.500 GJ/t.

Marrëveshja për furnizim me ujë: Furnizimi me ujë i një termocentrali nevojitet për kullat ftohëse, desulfurizim, sasi plotësuese për ciklin avull‐ujë, rigjenerim përcjellës të përgatitjes kimike të ujit, ujë sanitar, trajtim të ujërave të zeza dhe përdorim për lagështimin e hirit. 

Në vitin 2018, kërkesa e TC Kosova A dhe B për ujë ka qenë afërsisht 7.50 milionë m3/vit (për termocentral). Mesatarisht, vlerësohet se TC ‘Kosova e Re’ do të ketë nevojë për 7.80 milionë m3/vit ku furnizues do të jetë hidrosistemi i Ibër-Lepencit. 

Marrëveshja për hedhjen e hirit dhe gipsit: Hiri i cili do të prodhohet nga procesi i djegies, do të mblidhet dhe të ftohet në sistemin e ftohjes së hirit. Hiri fundërrues do të transportohet në deponi me anë të sistemit transportues të shiritave të mbyllur dhe në rast të operimit emergjent ose kur hiri përdoret për qëllime komerciale mund të transportohet me kamion.

Në vitin 2018, rreth 620,000 t/vit (hi) janë deponuar si rezultat i procesit të djegies së thëngjillit nga TC Kosova B. Aktualisht, TC Kosova A dhe B nuk kanë mundësi teknike të zhvillojnë procesin e desulfurizimit për të prodhuar gips kështu që të dhënat paraqiten vetëm për hi.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës ka marrë për barrë që të garantojë edhe trajtimin e hirit dhe gipsit. Mesatarisht, vlerësohet se për TC ‘Kosova e Re’ do të duhet të deponohen plotë 900,000 t/vit (hi) dhe 104,000 t/vit (gjips).

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur shqetësimin rreth zgjerimit të deficitit të llogarisë rrjedhëse gjatë ndërtimit të TC ‘Kosova e Re’ dhe mundësisë së rritjes së ndjeshme të borxhit publik pasi që Qeveria e Kosovës mbart përgjegjësinë e alokimit të rrezikut nga ky investim i madh vlera e të cilit përbën 20% të BPV-së (€1.3 miliardë).

Sipas klauzolës së investimeve, Kosova është e përjashtuar nga rregulli fiskal i 2% të BPV-së përderisa borxhi i përgjithshëm publik mbetet nën 30%. Garancitë në këto kontrata komerciale priten të rrisin borxhin publik të Kosovës për rreth 5-6% të BPV-së, nga 20% që është aktualisht. Në total, këto garanci e sjellin borxhin publik (25-26%) afër tavanit të lejuar (i cili është 30%).

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të Kosovës nga kontrata për ndërtimin e këtij termocentrali.

Ky projekt do të falimentojë Kosovën ekonomikisht, do të pamundësojë liberalizimin dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe paraqet një goditje vendimtare të mjedisit, shëndetit dhe të drejtave të njeriut.

Duke ndërprerë këtë projekt të dëmshëm, Kosova ka mundësinë të ndërtojë të ardhme evropiane përmes tranzicionit të energjisë drejt burimeve të ripërtërishme, efiçiencës së energjisë dhe një tregu të integruar e liberal në funksion të përballueshmërisë së çmimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)