29 Mars 2024

Sektori i energjisë është një ndër ndotësit më të mëdhenj

Prishtinë, 14 tetor - Sot, në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Grupi i Deputetëve të Gjelbër (GDGj) në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), ka mbajtur debatin me temën: “Potenciali energjetik i Kosovës dhe problemet mjedisore”.

Në këtë takim, për të ndarë shqetësimet e tyre për çështje të ndryshme mjedisore, që afektojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, të ftuar ishin përfaqësues nga shoqëria civile, që merren ekskluzivisht me sektorin e energjisë dhe me çështje mjedisore.

Deputetja Mimoza Kusari – Lila, njëkohësisht edhe kryesuese e Grupit të Deputetëve të Gjelbër, në hapje të këtij takimi falënderoi shoqërinë civile për kontributin e saj për shtytje përpara të kauzave në mbrojtje të mjedisit, duke përmendur iniciativat e fundit të ndërmarrura nga organizata të ndryshme, në veçanti iniciativat kundër ndotjes dhe degradimit të lumenjeve.

Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, e ftuar në cilësinë e panelistes, vlerësoi lart natyrën e një takimi të tillë, duke shtuar se trajtimi i temave si kjo, lidhet direkt me shëndetin e qytetarëve.

Kryetarja Osmani tha se mbrojta e ambientit hyn në top tri prioritet e saj që nga koha kur ushtron detyrën e kryeparlamentares.

Duke konsideruar se gjendja aktuale e ambientin është e rënduar, ajo përmendi se sektori i energjisë është një ndër ndotësit më të mëdhenj, dhe për të preventuar rrëziqet që kanosen prej tij, duhet të ndërmerren hapa konkretë në gjetjen e alternativave për përmirësim të gjendjes.

"është momenti i fundit që zhvillimi i sektorit të energjisë të vendoset prioritet në agjendën tonë zhvillimore“, theksoi Osmani.

Ajo, në fund të fjalimit tha se ekziston vullneti i Kuvendit të Kosovës dhe pikërisht e këtij grupi, për të mirëpritur të gjithë ata që marrin iniciativa pro ruajtjes së ambientit, duke e fuqizuar në këtë mënyrë bashkëpunimin për një të ardhme më të mirë dhe mjedis të shëndetshëm.

Një pjesë e madhe e kohës së paraparë për këtë takim ishte në dispozicion të përfaqësuesve nga shoqëria civile, të cilët paraqitën pikëpamjet e tyre karshi çështjeve mjedisore para Grupit të Deputetëve të Gjelbër.

Duke shprehur pakënaqësi sa i përket trajtimit të çështjeve mjedisore dhe mungesës së hapave konkretë për përmirësim të gjendjes, ata përmenden se në mesin e sfidave kyçe hyjnë mos zbatimi i legjislacionit ekzistues për mjedisin, ndërhyrjet e dëmshme në mjedis, si dhe mungesa e harmonizimit për çështjet mjedisore mes nivelit të qeverisjes lokale dhe atij qëndror.

Në këtë takim, nga këta përfaqësues nuk mbetën pa u përmendur edhe veprimet e përditshme që po vazhdojnë të bëhen në dëm të mjedisit, si: mungesa e përdorimit efiçient të energjisë, degradimi i pyjeve, përdorimi i qymyrit, keqmenaxhimi me deponitë e mbeturinave, mungesa e ujit, ndotja masive e ajrit, rrëzikimi i zhdukjes së kafshëve, shfrytëzimi i pyjeve në mënyrë ilegale dhe një sërë problematikash të tjera.

Pas dëgjimit të shqetësimeve të përfaqësuesve nga shoqëria civile, të pranishëm në takim, deputetët nga Grupi i Gjelbër premtuan se do të marrin hapa konkrejtë, duke rishikuar legjislacionin ekzistues për mjedisin, nevojat për plotësim-ndryshim të tij, si dhe mundësitë e inicimin e projektligjeve që adresojnë çështjet e ngritura.

Takimi u përmbyll nga deputetja Kusari-Lila, e cila në emër të Grupit të Deputetëve të Gjelbër tha se do të punohet ngushtë me shoqërinë civile për të trajtuar me seriozitet nismat mjedisore.

Këtë takim ajo e vlerësoi si mundësi ideale për të ndërtuar bashkëpunimin afatgjatë dhe të sigurt për një shoqëri të zhvilluar, të shëndetshme dhe me mjedis të pastër.

​


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)