29 Mars 2024

Raportet tregojnë për një gjendje jo të mirë të mjedisit në Kosovë

Prishtinë, 13 nëntor - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka raportuar para anëtarëve të  Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në të cilin është shqyrtuar Raporti Vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017.

Ministri Matoshi tha se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po angazhohet në përmirësimin e mjedisit duke ndërmarrë veprime  në fushën e ujërave të zeza, burimeve ujore, zonave të mbrojtura, mbeturinave dhe kornizës ligjore.

“Gjatë punës së deritanishme të kësaj Qeverie, jemi angazhuar në përmirësimin e gjendjes së mjedisit  në shumë sektorë, duke përfshirë: furnizimin me ujë të pijshëm, trajtimin e ujërave të zeza, rregullimin e shtretërve të lumenjve, mbrojtjen e burimeve ujore, menaxhimin më efikas të mbeturinave, mbrojtjen e zonave të mbrojtura si dhe plotësimin e kornizës ligjore në fushën e ndërtimit dhe planifikimit hapësinor”, deklaroi Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi  tha se mjedisi në të kaluarën nuk ka qenë prioritet i Qeverisë, dhe kjo situatë sipas tij ka ndikuar në degradimin e mjedisit në Kosovë.

“Raporti i fundit për vitin 2017 i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe raportet e tjera që po bëhen qofshin nga institucionet e Kosovës, apo mekanizmat ndërkombëtar , tregojnë për një gjendje jo të mirë të mjedisit, me gjithë përpjekjet e bëra nga Ministria dhe komunat. Mos dhënia prioritet e mjedisit nga institucionet tona me vite, ka bërë që krahas rindërtimit dhe ndërtimit të vendit, mjedisi të shkatërrohet dhe degradohet”, tha Matoshi.

Ministri Matoshi tregoi që në kuadër ta angazhimeve për përmirësimin e mjedisit, me propozimin e MMPH-së dhe të Task Forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, Qeveria  ka marrë vendim për ndërprerje të thëngjillit në institucionet publike.

“Në kuadër të masave që po mundohemi me i aktivizuar si MMPH, ne i kemi propozuar qeverisë të ndërpres përdorimin e thëngjillit në institucione publike.  Qeveria ka pasur kërkesa shtesë, dhe ne i kemi ofruar ato. Andaj javën e kaluar, ne kemi marr vendim në bazë të propozimit tonë që të ndërpresim përdorimin e thëngjillit në institucione publike”, theksoi Matoshi.

Krahas këtyre vendimeve, ministri Matoshi, ka treguar se  inspektorët e MMPH-së,  së bashku me Policinë e Kosovës, do të fillojnë aksione për konfiskimi të  thëngjillit që shitet në rrugë ilegale.

Ministri Matoshi falënderoi anëtarët e Komisionit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratim të ligjeve në fushën e mjedisit.

Ndërsa kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, ka prezantuar të dhënat e Raportit Vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017, duke u fokusuar kështu edhe në  fushën e ajrit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)