29 Mars 2024

Qeveria miraton shpronësimet e pronave që preken nga zgjerimi i mihjes

Prishtinë, 15 shtator - E drejtuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj, Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e dytë të saj, në të cilën ka diskutuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021, ka miratuar vendimet që mbështesin angazhimin e Qeverisë për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me shpronësimet e pronave të paluajtshme që preken nga zgjerimi i mihjes në Shipitullë, dhe vendime tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria e Kosovës e ka filluar mbledhjen me një minutë heshtje, për humbjen e jetës në aksidentin tragjik në komunikacion, të kryetarit të komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq dhe kryesuesit të Asamblesë Komunale të Ranillugut, Sasha Aleksiq.

Kryeministri i ka shprehur ngushëllimet për familjet e të vdekurve dhe për qytetarët e komunës së Ranillugut. Ndërsa të lënduarës, bashkëshortes së kryetarit Gradimir Mikiq, Vesna Mikiq, shërim të shpejt.

Në vendimin e parë të kabinetit qeveritar është shqyrtuar dhe miratuar plotësim ndryshimi i vendimit të Qeverisë Nr.02/145 të datës 15 maj 2017 për alokimin e mjeteve financiare për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Vendimi i mundëson Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që mjetet e mbetura nga zgjedhjet e parakohshme nacionale t’i shfrytëzojë për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Në vazhdim është miratuar kërkesa e Presidentit të Republikës së Kosovës për ndarjen e mjeteve për ndihmë familjeve të prekura nga uragani Harvey në Houston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për këtë qëllim janë ndarë 100 000 dollarë.

Qeveria ka miratuar vendimin me të cilin obligon Korporatën Energjetike të Kosovës që të rishikojë Matricën e të drejtave për metodën e llogaritjes  së vlerësimit për kompensimin e objekteve të banimit në zonën kadastrale Shipitullë të Komunës së Obiliqit.

Matrica duhet ta inkorporojë Planin e Veprimit për Zhvendosje konform dokumentit “Korniza e Politikave për Zhvendosje për zonën Fusha e Mihjes së Re të Republikës së Kosovës’’.

Vlerësimet e pasurisë do të kryhen në bazë të praktikës së më hershme të zhvilluar në rastin e vlerësimit të pasurisë së objekteve të ndërtimit në fshatin Hade.

Për zbatimin e këtij Vendimi obligohen Korporata Energjetike e Kosovës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Vendimi nuk krijon kosto shtesë për buxhetin e Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi me të cilin banorët e zonës së veçantë në pesë (5) vitet e fundit, në fshatrat Hade dhe Shipitullë,  kanë përparësi në kushte të barabarta, në procedurat e punësimit, për profesionet dhe vendet e punës që gjenerohen nga mihjet sipërfaqësore dhe prodhimi i energjisë elektrike, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

Me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, Qeveria është zotuar se do të mbulojë shpenzimet e ekspertizës së hetuesisë për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Anëtarët e kabinetit qeveritar janë njoftuar me materialin e punës për hartimin e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021 i cili do të përfundohet deri të hënën.

Kryeministri ka paralajmëruar se pas finalizimit të Programit të Qeverisë dhe rishikimit të Programit Legjislativ, Qeveria do të fokusohet në procesin e rishikimit të buxhetit të vitit 2017, që do të ndodhë deri në fund të javës së ardhshme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)