24 Prill 2024

Qeveria diskuton për evitimin e krizës energjetike

Prishtinë, 2 gusht - Qeveria e Republikës së Kosovës, gjatë mbledhjes që ka mbajtur sot, ka diskutuar edhe rreth problemit të energjisë elektrike. Kryeministri Mustafa bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme për këtë çështje është diskutuar edhe me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, dhe drejtorin menaxhues të KEK-ut.

“Ne kemi pasur edhe dje një bisedë me dy ministrat, me drejtorin menaxhues të KEK-ut. Ajo për të cilën ne kemi biseduar është që ne t’i marrim të gjitha masat që vendi mos të mbetet pa energji, dhe që KEK-u mos të rrezikoj prodhimin e energjisë elektrike, sepse çdo shkuarje në import të energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë, dhe është kosto shumë e madhe për vendin. Është mirë, edhe dje i kemi sugjeruar KEK-ut, që ata të ndërmarrin të gjitha masat gjatë kësaj periudhe deri më datën 10, të negociojnë me palët. Do të ishte mirë që edhe palët, qytetarët të tregojnë gatishmërinë e tyre që t’i zgjidhin këto probleme përmes këtij procesi të negocimit, në të cilin do t’i realizojnë të drejtat e tyre ligjore që ju takojnë edhe vendimet përfundimtar që merr Qeveria për shpronësim, por në këtë rast do t’i ndihmonin edhe KEK-ut edhe vendit të mos kemi pengesa në mihjen sipërfaqësore atje. Është po ashtu e nevojshme që Ministria e Financave të ndërmerr masa përmes Departamentit që merret me vlerësimet e pronave, që ata ta bëjnë me kohë këtë, në mënyrë që më 10, kur përfundon debati publik, ne në bazë të zotimeve të Ministrisë së Mjedisit, me datën 11,  mundet Qeveria që menjëherë të merr vendimin përfundimtar për shpronësimin në mënyrë që të kapim krejt afatet dhe të mos ketë shtyrje edhe për 15 ditë tjera, sa është koha ankimore dhe vendimi hyn në fuqinë përfundimtare

Po ashtu, meqë e kemi zëvendësministrin e Punëve të Brendshme këtu, do të ishte mirë që të kemi edhe njësitë e emergjencës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të kenë kujdes gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që mos të ketë ndonjë rrëshqitje dheu, dhe të ndërmarrin të gjitha masat parandaluese, që mos të rrezikohen qytetarët, mos të rrezikohen objektet.

Ne ju kemi thënë qartë se ne nuk hyjmë në pronësi jashtë procedurave ligjore, por ndërhyrja në pronësi dhe evitimi i fatkeqësive të ndryshme janë çështje tjera, prandaj këtu rolin e emergjencës këtu më tepër e kuptojmë në pikëpamje të evitimit të ndonjë fatkeqësie ose të rrezikut për punë atje. Çështja e pronësisë mbetet çështje ligjore ose e marrëveshjeve që mund të arrihen deri më datën 10, ose e vendimeve për shpronësim të cilat i marrim ne këtu", tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala paraqiti një raport në lidhje me këtë çështje.

"Çështja e përgjegjësisë së KEK-ut dhe MMPH-së në raport me zhvendosjen dhe shpronësimin e fshatrave Hade dhe Shipitullë rregullohet me dy dokumente bazike: Kornizën e Politikave për Zhvendosje të miratuar me vendim të qeverisë nr. 10/22, datë 06.07.2011 dhe Ligjin për shpronësimin e pronës së paluajtshme.

Sipas Kornizës të politikave për zhvendosje (KPZh) (fq. 6), kompania e projektit (që në këtë rast është KEK) është përgjegjëse për përgatitjen e Planeve të Veprimit për Zhvendosje (PVZh), sipas kornizave të politikave të zhvendosjes të cilat plane i miraton MMPH, pas hartimit nga ana e Korporatës.

Sipas Ligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme, KEK-u duhet të bëjë kërkesë për shpronësim, Ministria e Financave bënë vlerësimin e pronës ndërsa vendimet i përgatitë MMPH dhe i miraton Qeveria.

KEK-u me 26.07.2014 ka paraqitur kërkesë për zhvendosje të fshatit Shipitullë dhe Hade pranë MMPH-së. Me datë 22.08.2014 është aprovuar kërkesa e KEK-ut nga MMPH dhe është obliguar që të hartoj Planin e Veprimit për Zhvendosje. ( përgjigja është dhënë brenda 28 ditësh).

KEK-u gjatë vitit 2015 për të hartuar këtë plan të veprimit ka angazhuar një kompani konsulente ndërkombëtare e cila me vonesë shumë të madhe ka sjellë Planin e Veprimit në MMPH tek në vitin 2017.

Pra, kemi vonesë përafërsisht  për 2 vjet dhe gjatë kësaj faze janë ndërtuar dhjetëra objekte ilegale në zonën e interesit.

Me datë 25.05.2017, KEK ka sjellë për miratim në MMPH  Planin e Veprimit për Zhvendosje. Me datë 02.06.2017 MMPH ka miratuar PVZH-në dhe ka kërkuar nga KEK-u që të bëjë marrëveshje sipas planit dhe dokumenteve zyrtare me banorët që gjenden në atë zonë t’i bindë banorët të i nënshkruajnë marrëveshjet. (miratimi i planit nga MMPH është bërë brenda 7 ditësh).

Pas dështimit për zhvendosje së banorëve sipas KPZH dokumentit të parë bazik, KEK me datë 14.07.2017 (ditë e Premte)  ka paraqitë pranë MMPH-së kërkesën për shpronësim sipas dokumentit të dytë në fuqi të pronave të paluajtshme në zonën Kadastrale: Hade dhe Shipitullë, Komuna Obiliq.

Me datë 17.07.2017( ditë e Hënë) , MMPH ka dorëzuar në Qeveri, Propozimin për shpronësim dhe Qeveria e Kosovës me datë 21.07.2017 ka nxjerr Vendimin Nr.05/150 me të cilin aprovon  shqyrtimin e mëtejmë të  kërkesës për shpronësim. ( përgjigja është dhënë brenda 1 ditë pune, nga e premte në të hënë).

MMPH ka publikuar Vendimin në Gazetën Zyrtare, njoftimin e banorëve dhe institucioneve tjera  të cilat duhet të ndiqet rregullativa ligjore sipas Ligjit për Shpronësim dhe Dëgjimi Publik është caktuar më datën 10 gusht 2017 konform Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme i cili kërkon që kjo periudhë të lihet në dispozicion të banorëve, në të kundërtën mund të kemi përballje ligjore për afate apo për situata tjera.

MMPH gjatë kësaj periudhe ka ndalur të gjitha ndërtimet ilegale në Zonën e interesit të veçantë Mihja Hade e Re dhe zonat tjera. Poashtu ministria gjatë vitit 2017 ka ndërprerë të gjitha ndërtimet ilegale dhe ka rrënuar 7 objekte ilegale në ndërtim e sipër në këtë zonë.

Gjatë këtij mandati që unë e udhëheq këtë ministri janë ndërprerë 100 për qind ndërtimet ilegale, janë rrënuar ato që janë dokumentuar që janë ilegale dhe i kemi të gjitha obligimet ligjore edhe sipas kornizës së politikave të Zhvendosjes dhe sipas Ligjit në fuqi për Shpronësim. Procedurat tjera që janë obligim i institucioneve tjera dhe i ndërmarrjes ne i kemi theksuar në dokumentin dhe në inspektimet tjera.

Po ashtu, gjatë vitit 2017 ne kemi pas dhjetëra inspektime në terren me trupat inspektuese, kemi bërë dhjetëra fletëparaqitje kemi bërë padi edhe ndaj institucioneve lokale dhe akterëve për masat që po ndodhin në atë zonë.

Kjo praktikë e zhvendosjes dhe e aplikimit të Ligjit për Shpronësim nuk është e re. KEK-u ka pas praktika të tilla edhe të zhvendosjes edhe sipas Planit të Zhvendosjes por edhe sipas Ligjit të Shpronësimit së paku në dy raste gjatë vitit 2011 dhe 2013.

Po ashtu ja vlen të theksohet se janë disa zona të shpronësuara të lira, fusha mineralmbajtëse të cilat kanë qenë në vitin 2010, 2013 të planifikuara të zhvillohet miniera por që me përgjegjësinë e KEK-ut, fronti i punës të minierës është kthyer në drejtim të Shipitullës në ndërkohë, për të cilat saktësisht ky plan i zhvendosjes është përgjegjësi e ndërmarrjes, ekspertëve apo niveleve menaxhuese dhe jo e ministrisë.

Mund të them me përgjegjësi të plotë që gjatë periudhës që menaxhoj me këtë ministri të gjitha detyrat ligjore që pas dy dokumenteve bazike kornizës dhe ligjit i kemi realizuar dhe plotësuar me përpikëri. Për herë të parë ne rrënojmë shtëpi ilegale, për herë të parë Ministria e Mjedisit vepron dhe zbaton ligjin, të tjerat janë përgjegjësi e instancave tjera, qoftë të pushtetit lokal, qoftë të ndërmarrjeve publike, qoftë të akterëve juridikë apo fizikë.

Ky është raporti në pika të shkurtra jam i gatshëm që të sqaroj edhe në detaje, por mendoj se ne kemi kryer obligimet tona. Tanimë jemi në një situatë kur ne jemi duke zbatuar Ligjin e Shpronësimit nuk mund t’i shpejtojmë afatet ligjore as të dëgjimit publik e as të fazës tjetër që parasheh nxjerrjen e vendimeve preliminare dhe vendimeve përfundimtare. Mbështetjen në këtë ligj që është në fuqi ende ekziston mundësia që deri sa të nxirret vendimi përfundimtar KEK-u të mund të negociojë me banorët dhe të zgjidhe këtë problem. Në momentin që ai ka marrëveshje të shkruar ai mund të operojë në zonat e tyre. Ekziston edhe një kohë relativisht e mirë që instancat që kanë përgjegjësi juridike me zgjidh këtë problem dhe të negociojnë me ata që kanë pasuri legale të patundshme. Ne nuk kemi asnjë ingerencë. KEK-u tashmë ka angazhuar një kompani të specializuar ndërkombëtare është vonuar gjatë dhe nuk kam arritur pajtueshmëri me ata që kërkojnë kompensim apo kërkojnë kushte të tjera.

Gjata vitit 2017 kam takuar akterë, kam takuar sindikatat e pavarura, shoqërinë civile, pushtetin lokal kemi ofruar mbështetjen maksimale aq sa kemi kompetencë dhe aq sa na lejon ligji", tha ministri Shala.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se në kuadër të përgjegjësive ligjore dhe mandatit që ka në sistemin elektro-energjetik të vendit, është punuar në dy rrafshe.

"Në njërën anë, në bashkëpunim me të gjithë aktorët relevant, në këtë rast, KEK-u, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komuna e Obiliqit, dhe organet e tjera, të jemi pjesë e këtij procesi, ku në mënyrë ligjore do të ezaurohen të gjithë hapat ligjor, në përputhje me obligimet e secilit institucion,  në mënyrë që ato nga njëra anë të shteren dhe nga ana tjetër të jepet mundësi që në përputhje me ligjin, të zhvillohen të gjitha procedurat e nevojshme, për problematikën numër një, që është shfaqur gjatë gjithë kohës, pra të shpronësimeve; dhe në rrafshin e dytë, atë të konsultimit me aktorët e tjerë të këtij sistemi, në mënyrë që në cilindo prej varianteve, apo edhe në rast të moszgjidhjes së problemeve, të mos ketë pasoja të furnizimin e rregullt me energji elektrike edhe për qytetarët edhe për bizneset në vendin tonë, që në fakt është përgjegjësia kryesore, e drejtpërdrejt, e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, dhe aktorëve të tjerë.

Kemi pasur takime konsultative me të gjitha palët, përfshirë edhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë. Andaj ndoshta duke e lënë anash jo për nga rëndësia, por për shkak të shpejtësisë së veprimeve, atë pjesë e cila u tha dhe u përmblodh në mënyrë kronologjike dhe të detajuar nga ministri Shala,  unë mendoj që pas vendimit që është marrë në Qeveri më 21 korrik, përsëri është hapur rrugë që në bazë të Ligjit për Shpronësimin ne t’i zgjidhim këto probleme dhe duke parë tashmë edhe gatishmërinë e të gjitha institucioneve, dhe përgatitjet që po bëhen nga të gjithë, besoj që në përputhje me këto afate, duke nisur nga data 10 gusht kur do të mbahet ky dëgjim publik, konsideroj se prej datës 11 gusht ne mund të veprojmë, në përputhje me të gjitha këto veprime dhe mandatet ligjore që i ka secili institucion, për të pasur së pari një vendim preliminar, që parasheh Ligji për Shpronësime, pastaj të ezaurohet edhe pjesa tjetër e 15 ditëshit si kërkohet në këtë ligj, dhe pas periudhës 15 ditore, t’i hapet rrugë vendimit final të shpronësimeve, që pastaj do të jetë një sinjal për KEK-un që do të mund të rinis ose të vazhdoj punën. Duke ditur ato që janë ngritur në opinionin publik, dhe nga KEK-u dhe të tjerët, mendoj që nuk ka hapësirë për ndonjë panik, sepse edhe koha për të cilën ka paralajmëruar ata, edhe kjo që parashihet në bazë të ligjit, mund të jenë në proporcion kohor në mënyrë që mos të ketë ndonjë krizë. Por edhe nëse supozojmë variantin më të keq, ne do të ndërmarrim të gjitha masat, dhe të gjithë aktorët janë të përgatitur në mënyrë që mos të ketë asnjë pengesë në furnizimin e rregullt me energji elektrike", tha ministri Stavileci.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)